Sunak: Asgjë s’do na pengojë

  • A.P /
  • 23 April 2024 - 21:49
Sunak: Asgjë s’do na pengojë

Parlamenti britanik miratoi mbrëmjen e 22 prillit projektligjin për dërgimin në Ruanda të emigrantëve të paligjshëm. Dhjetëra konservatorë janë të mendimit se projektligji kishte mangësi dhe shkelte të drejtat e njeriut dhe kishin kërcënuar se do të rebeloheshin, por në fund, vetëm 11 votuan kundër tij, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Projektligji pritet të shkojë në Dhomën e Lordëve ku mund të përballet me kundërshtime të ashpra. Kryeministri Rishi Sunak argumenton se depërtimi i disa azilkërkuesve në Ruandë do të jetë një pengesë për emigrantët që kërkojnë të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar duke kaluar Kanalin e La Manshit me varka të vogla, por laburistët e kanë etiketuar planin një mashtrim dhe me një kosto shumë herë më të lartë.

Pas votimit të hënën mbrëma, sekretari i Brendshëm, James Cleverly, tha se ishte një moment historik në planin e qeverisë për të ndaluar anijet me emigrantë. Në një video të postuar në mediat sociale, ai tha se ligji do të ndalojë abuzimin e emigrantëve që përdorin pretendime të rreme për të drejtat e njeriut. Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak ka deklaruar këtë mëngjes se ligji për të dërguar klandestinët në Ruandë është një ndryshim thelbësor për ‘ekuacionin global të migracionit’.

“Asgjë nuk do të na pengojë ta bëjmë këtë dhe të shpëtojmë jetë,” tha ai.

Gjatë dy ditëve të fundit, deputetët e djathtë të Partisë Konservatore janë përpjekur të ndryshojnë projektligjin, duke argumentuar se plani i qeverisë për Ruandën mund të bllokohet nga gjykatat.

Në nëntor 2023, Gjykata e Lartë vendosi se skema e Ruandës ishte e paligjshme dhe se shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), që ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor.

(Kosova Sot Online)