LDK mban 'Akademi Përkujtimore në Gjermani'

  • A.P /
  • 28 April 2024 - 15:46
LDK mban 'Akademi Përkujtimore në Gjermani'

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbajtur Akademi Përkujtimore në Hamburg të Gjermanisë për heroin Sali Çekaj,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

I pranishëm në mesin e bashkatdhetarëve të shumtë, ishte edhe kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorët e tij.

 

Abdixhiku gjatë fjalimit të tij Çekajn e kujtoi me fjalët si figurë e madhe e historisë së Kosovës, luftës dhe rezistencës së armatosur.

“Ushtarak me profil, intelektual me plotë kuptimin e fjalës, jurist me profesion por mbi të gjitha njeri i brumosur me vlera atdhetare. Sali Çekaj ishte bir i një familje atdhetare me origjinë nga fshati Belle, fshat ky i cili ishte djegur disa herë nga forcat e regjimit të asaj kohe. Sali Çekaj, ishte rritur me këto rrëfime të trishta; i rritur mes kuvendesh burrash se si duhet mbrojtur atdheu, për të, familjen e tij, liria e çlirimi ishin misione të parapërcaktuara me kohë”, tha Abdixhiku.

Sali Çekaj dikur kishte qenë nënkryetar i degës së LDK-së në Gjermani, ndërsa ndihmonte në organizimin e shqiptarëve për ta ndihmuar Kosovën.

“Ndonëse përndjekja që ia bënte regjimi e kishin shtyrëtë ikte në mërgim, e shumë kush e mendonte që largimi i tij ishte i përhershëm; por, shtypjet që po i bëheshin popullit të tij e detyruan të kthehej në vendlindje, për të iu bashkuar burrave e grave në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atje në Alpet Shqiptare në Koshare. Si bir besnik i këtij vendi, më i vendosur se kurrë më parë, iu rikthye luftës, ndaj nuk ishte e rastit edhe nofka e tij “Veterani”, sepse i tillë ishte. Kështu, fillimi i luftës së hapur në Kosovë në vitin 1998, ishte vetëm vazhdimësi e aksioneve të tij. Tashmë Sali Çekaj ia kishte vënë syrin kufirit shqiptaro-shqiptar që na ndau për një shekull; aty gjente motivin më të madhin për t’i shkuar deri në fund misionit të tij prej çlirimtari dhe atdhetari të përjetshëm. Kosharja kurrë më parë nuk kishte njohur zjarr më të fortë. Kufiri dridhej”, deklaroi Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së i ndau familjes së Sali Çekajt dekoratën ‘’Dr Ibrahim Rugova’’.

(Kosova Sot Online)