Thaçi më së gjati, Kurti i dyti – kush, sa qëndroi në krye të Qeverisë së Kosovës
Tetë kryeministra e kanë udhëhequr Qeverinë e Kosovës në 11 mandate që nga përfundimi i luftës. Më së gjati në krye të ekzekutivit ka qëndruar Hashim Thaçi, gjatë mandatit të tij të dytë. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjëri shef Qeverie nuk e ka çuar deri në fund mandatin kushtetues katërvjeçar.
Radio Evropa e Lirë ka publikuar një infografikë ku ka llogaritur ditët që kanë qëndruar në pushtet secili prej kryeministrave. Llogaritja e ditëve është bërë nga momenti kur një legjislaturë ka zgjedhur kryeministrin e ri, deri në momentin kur deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë zgjedhur pasuesin.
Sipas kësaj infografike, ish-kryeministri Hashim Thaçi ka qëndruar në pushtet, në mandatin e dytë, 1 mijë e 387 ditë.
Pas tij, renditet kryeministri aktual, Albin Kurti, në këtë mandat. Pastaj sërish renditet Thaçi, me ditët e qëndrimit në pushtet gjatë mandatit të parë, apo 1 mijë e 141 ditë.
Pas tij me të njëtat ditë qëndrimi në pushtet janë ish-kryeministri Bajram Rexhepi dhe Isa Mustafa, me nga 1 mijë e 6 ditë.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj renditet pas tyre me 878 ditë në pushtet gjatë mandatit të dytë, pasuar nga Agim Çeku me 671 ditë, pastaj Bajram Kosumi me 353 ditë.
Me 293 ditë në pushtet renditet ish-kryeministri Avdullah Hoti, që pasohet nga Kurti me 121 ditë në pushtet gjatë mandatit të parë dhe Haradinaj me 96 ditë në mandatin e parë.
Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt më 2004, Qeveria e Kosovës u udhëhoq për disa ditë nga zëvendësi i tij, Adem Salihaj, deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri.
(Kosova Sot Online)