Shpëtojeni Milaimin

  • 05 February 2016 - 19:15
Shpëtojeni Milaimin

Kërkohet ndihmë humanitare nga bamirësit

Ish- pacienti i spitalit tashmë nën hetime “Eda”, Milaim Xhaferi po kërkon ndihmë emergjente për ndërrimin e stentave aktuale, por familja e tij jeton vetëm me ndihmë sociale dhe operacioni i kushton 13 mijë euro

Pas dy sulmeve në zemër që i kishte pësuar Milaim Xhaferi, 39- vjeçar, nga fshati Hajvali, komuna e Prishtinës, dy vjet më parë kishte  kërkuar ndihmë në spitalin “Eda”, tashmë nën hetime nga Prokuroria e Shtetit për rastin “Stenta”. Sipas Xhaferit, në atë kohë, pas kontrolleve mjekësore që ai kishte bërë në Qendrën Klinike Universitare e pastaj në spitalin “Eda”, atij i ishin propozuar nga mjekët e kësaj të fundit që t’i vendosen stenta në zemër. Ai kishte pranuar të bëjë këtë intervenim kirurgjik në zemër duke paguar edhe një shumë të parave spitalit privat prej  7500 eurosh. Pas intervenimit mjekësor, që i ishte bërë në atë kohë , Xhaferi thotë se nga mjekët e këtij spitali  kishte marrë lajme të mira se gjendja shëndetësore e tij  është e mirë  dhe se do t’i kalojë këto probleme shëndetësore. Por nuk doli ashtu, sepse gjendja shëndetësore erdhi duke iu përkeqësuar. Ai thekson se tani mund të ngrihet dhe të ulet  nga shtrati vetëm me ndihmën e të tjerëve, ka dhimbje të mëdha trupi dhe është i paftë për të punuar dhe për t’u kujdesur për familjen e tij tetë anëtarëshe. Xhaferi tashme ka kërkuar ndihmë në QKUK. “Tash mjekët më  kanë thënë se duhet ndërruar stentat, pasi  ato janë të vendosura vetëm përkohësisht dhe u ka dalë afati. Andaj, jam rekomanduar nga mjekët e QKUK-së  për trajtim jashtë vendi”, tha ai.

Image
Image

Jetojnë me 100 euro ndihmë sociale

Xhaferi thotë se 13 mijë euro i janë kërkuar nga një spital për trajtimin e sëmundjeve të zemrës në Tiranë.  Ai është në hall të madh, pasi e gjithë familja janë të varur vetëm nga një ndihmë sociale prej 100 eurosh. “Pasi mjekët e QKUK-së më rekomanduan trajtim jashtë vendi, aplikova në Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar ndihmë financiare përmes programit për trajtim jashtë vendi. Fatmirësisht, nga kjo Ministri mora gjysmën e shumës së kërkuar. Por, çka  të bëj me shumën tjetër, nuk kam mundësi vetë ta siguroj, janë  edhe mbi 5  mijë euro”, shpjegoi ai. “Unë jam i pazotë të punoj, madje edhe ndonjë punë të lehtë”, ka thënë ndër të tjerash ai.  Xhaferi i është falënderues edhe xhematit të xhamisë së Hajvalisë, ku thotë se e kanë ndihmuar me një shumë prej më shumë se 200 eurosh. Ai thotë se derisa nuk është sëmurë nuk ka kërkuar ndihmë kurrë dhe se është munduar t’u dalë në ndihmë kërkesave të gjashtë fëmijëve. “Përveç hallit tim, që jam mbetur në një gjendje të palëvizshme dhe i paftë për t’u kujdesur për familjen, kam hallin edhe për gjashtë fëmijët dhe bashkëshorten, të cilët janë në mungesë të gjithçkaje dhe unë nuk po arrij t’u dal në ndihmë”, tha ai.  Të gjithë ata të cilët kanë mundësi t’i dalin në ndihmë këtë mund ta bëjnë duke thirrur në numrin e telefonit: 045 654 658.  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT) 

Image