Ajeti: Dekriminalizimi duhet të nisë në çdo institucion shtetëror

  • 10 February 2016 - 16:21
Ajeti: Dekriminalizimi duhet të nisë në çdo institucion shtetëror

Dren Ajeti, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka theksuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë është pre e kritikave për korrupsion dhe mosefikasitet. 

''Çdo vit raportet e progreseve të Komisionit Evropian, por edhe raporte të tjera ndërkombëtare kritikojnë këtë sistem. Hulumtimet e ndryshme tregojnë se ky sistem gëzon besimin më të ulët në vargun e institucioneve shtetërore. Me të drejtë. Themi kështu sepse çdokush që ka pasur raste nëpër gjykata apo prokurori, ka vërejtur së pari një dukuri: punën e ngadalshme. Përderisa në vendet e BE-së zgjidhja e një rasti zgjat mesatarisht 150-200 ditë pune, në Kosovë për zgjidhjen e një rasti kërkohen mesatarisht 400 ditë pune'', tregon Ajeti për gazetën ''Kosova Sot''.

Ai flet se dekriminalizimi është i nevojshëm në çdo institucion shtetëror, duke i vënë një theks më të veçantë atij brenda gjykatave dhe prokurorive.

''Dekriminalizimi duhet të nisë në çdo institucion shtetëror, por sigurisht se kjo duhet të ndodhë më së shumti në institucionin që ndjek dhe dënon krimet - prokuroritë dhe gjykatat. Për këtë, duhet krijuar dhe forcuar mekanizma që mbrojnë informatorët që paraqesin rastet korruptive në gjyqësi dhe prokurori. Rastet korruptive në sistemin e drejtësisë duhet zgjidhur me prioritet dhe fajtorët duhet dënuar me ashpërsinë e plotë të ligjit, ngase ata që do të duhej ta zbatonin ligjin dhe e shkelin atë, meritojnë të ndjejnë gjithë fuqinë e tij. Vetëm kështu, qytetarët, por edhe punonjësit brenda sistemit marrin guximin të denoncojnë rastet e korrupsionit apo të tjera që ndodhin aty'', shtoi ai.

''Por, sistemi i "dështuar" i drejtësisë nuk mund t`i mvishet vetëm gjyqtarëve dhe prokurorëve të kriminalizuar. Në fund të fundit, ata janë një pakicë. Dështimi i sistemit të drejtësisë ka ndodhur për faktin se drejtësia kosovare asnjëherë nuk ka gëzuar prioritet të vërtetë në politikat shtetërore'', tha Ajeti.

Ai mendon që ''pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sistemi i drejtësisë do të përfitojë edhe më shumë vëmendje dhe ndihmë dhe sigurisht që edhe kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së punës së gjykatave dhe prokurorive në Kosovë.

(Kosova Sot)