Krimet e Serbisë në Kosovë: Në luftë u përdhunuan edhe meshkujt, shumë nga ta bënë vetëvrasje

  • 13 February 2016 - 20:03
Krimet e Serbisë në Kosovë: Në luftë u përdhunuan edhe meshkujt, shumë nga ta bënë vetëvrasje

Në luftën e fundit në Kosovë, pos masakrave e vrasjeve të shumta, ishin përdhunuar rreth 20 mijë femra.

Por, nga ky krim nuk u kursyen as meshkujt, të cilët janë viktimë e dhunës seksuale.

Këtë e ka konfirmuar për KTV-në kryetari i Shoqatës për Hetimin e Krimeve të Luftës, Ahmet Grajçevci.

Mirëpo, sipas tij, ende nuk kanë ndonjë numër të saktë se sa meshkuj janë përdhunuar nga paramilitarët serbë. Ai thotë se shumë prej tyre kanë bërë vetëvrasje, pas atyre që kanë përjetuar gjatë viteve të luftës. Si raste makabre përmend edhe ato që djali është detyruar të përdhunojë nënën, apo babai të bijën. Ndërsa, dhunimet e burrave janë bërë në prezencë të femrave.

Qeveria e Kosovës, në bisedimet në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nuk e ka përfshirë këtë çështje, sa të ndjeshme aq edhe të dhimbshme, për të vënë para drejtësisë autorët e kësaj vepre.

(Kosova Sot)