Si e ngriti kompaninë 35 miliardëshe themeluesi i ‘Oracle”

  • 14 February 2016 - 22:00
Si e ngriti kompaninë 35 miliardëshe themeluesi i ‘Oracle”

Larry Ellison, themelues dhe kryetar i gjigantit ndërkombëtar ‘Oracle’, është njëri nga personat më interesant në fushën e teknologjisë. Nga garat me jahte deri tek blerja e ishujve në Havai, të bëmat e Ellison-it janë gjithmonë të befasishme. E, për të kuptuar më tepër për miliarderin, më poshtë ua kemi sjellë disa pjesë interesante nga jeta e tij. Lawrence Joseph Ellison ishte lindur më 17 gusht të vitit 1944 në Bronks, duke qenë fëmija i një gruaje beqare, që quhej Florence Spellman. Kur kishte mbushur nëntë muaj, Larry ishte prekur nga pneumonia dhe nëna e tij e kishte dërguar për të jetuar në Çikago me xhaxhanë dhe hallën e tij, Lillian and Louis Ellison. Louis-i, babai i tij adoptues, ka qenë një imigrant rus, i cili e kishte marrë mbiemrin ‘Ellison’ në bazë të vendit ku ishte vendosur për të jetuar në SHBA. Kur nëna e tij në familjen adoptuese kishte vdekur, teksa ai ishte në vitin e dytë në kolegj, Ellison-i kishte hequr dorë nga studimet. Ai, megjithatë, e kishte provuar edhe një herë kolegjin kur ishte regjistruar në Universitetin e Çikagos, megjithatë ishte dorëzuar përsëri, pas vetëm një semestri, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Versioni i parë i databazës ‘Oracle’

Përfundimisht në vitin 1966, kur ishte në moshën 22-vjeçare, ai ishte bartur për të jetuar në Berkellei të Kalifornisë, në një kohë kur kishte filluar lulëzimi i industrisë së teknologjisë. Ai kishte punuar në vende të ndryshme dhe pikërisht gjatë kësaj kohe i kishte fituar aftësitë e tij për programim dhe për punë me kompjuterë. Momenti i kthesës në jetën e tij kishte ardhur kur ai kishte filluar të punonte në kompaninë ‘Ampex’, që kishte kontratë për ndërtimin e një databaze për CIA-n, që kishte emrin ‘Oracle’. Në vitin 1977, Ellison dhe partnerët Bob Miner dhe Ed Oates e kishin themeluar një kompani të re, që ishte nisur me një fond prej 2.000 dollarësh, 1.200 prej të cilave ishin dhënë nga Ellison-i. Ellison-i dhe kompania ishin inspiruar nga një shkencëtar i kompjuterëve, Edgar F. Codd, për një të ashtuquajtur databazë ndërlidhëse – një mënyrë që ua mundësonte sistemeve kompjuterike që t’i ruanin informacionet dhe më pas të krijonin qasje në to. Tani këto gjëra janë të sigurta, mirëpo në vitet e 1970-a kjo ka qenë një ide revolucionare. Versioni i parë i databazës ‘Oracle’ ishte versioni 2 – pra, nuk kishte version të parë. Në vitin 1979, kompania ishte riemëruar për ta marrë emrin ‘Relational Software Inc.’ dhe në vitin 1982 përfundimisht ishte quajtur ‘Oracle Systems Corp.’.  Meqë ishte njëri prej faktorëve kryesor në rritjen e industrisë së kompjuterëve, ‘Oracle’ ishte rritur shumë shpejt dhe në vitin 1986 kishte raportuar të hyra prej 55 milionë dollarëve (49 milionë euro).

Ellison-i kishte vazhduar të përfitonte nga suksesi i ‘Salesforce’

Në vitin 1990 ‘Oracle’ kishte pushuar nga puna rreth 10 për qind të stafit – rreth 400 persona – gjë të cilën Ellison më vonë e kishte shpjeguar si gabimin më të madh të kompanisë. Në këtë periudhë ‘Oracle’ për pak sa nuk kishte falimentuar, në një kohë kur rivalët e saj, si puna e ‘Sybase’ po merrnin pjesë të mëdha të tregut. Megjithatë, në vitin 1992 Ellison dhe ‘Oracle’ kishin arritur të këndelleshin, duke sjellë të databazën e famshme ‘Oracle7’. Suksesi i ‘Oracle’ kishte vazhduar në vitet në vijim, gjë që i kishte inatosur shumë rivalët e tij. Në vitin 1999 Marc Benioff kishte lënë ‘Oracle’-n për ta nisur një kompani të re, të quajtur ‘Salesforce.com’, në të cilën Ellison kishte investuar 2 milionë dollarë. Kur Benioff e kishte kuptuar që ‘Oracle’ po punonte në produkte të njëjta me ato të kompanisë së tij, ishte munduar ta bindte Ellison-in të largohej, mirëpo meqë nuk kishte pranuar, ai kishte mbetur i detyruar që ta largonte nga kompania e tij dhe si rrjedhojë Ellison-i kishte vazhduar të përfitonte nga suksesi i ‘Salesforce’. Kjo kompani sot ka vlerë prej 35 miliardë eurosh dhe Ellison-i, teknikisht, përfiton para të majme edhe kur konkurrenti i tij ka sukses, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Reputacioni prej ‘Playboy’

Investim të ngjashëm Ellison kishte bërë edhe në kompaninë e Evan Goldberg-ut, një tjetër ish-anëtar bordi në ‘Oracle’ – ‘NetSuite’ – në vitin 1998. Sot kjo kompani kap vlerën e 4 miliard eurove. Kur Steve Jobs ishte kthyer në ‘Apple’ si shef ekzekutiv në vitin 1997 ai kishte kërkuar nga Ellison-i që të bëhej pjesë e bordit, mirëpo, ky i fundit, ndonëse ishte menduar për një kohë kishte vendosur të mos pranonte meqë frikësohej se nuk kishte kohë për t’iu përkushtuar kompanisë. Ndër vite Ellison vazhdimisht ka blerë kompani të ndryshme, që shërbejnë si ndihmëse për kompaninë kryesore të tij, apo thënë ndryshe foshnjën e tij të parë – ‘Oracle’. Ellison ka qenë i martuar katër herë dhe që të gjitha këto martesa kanë marrë fund me divorc. Ai ka arritur ta krijojë një reputacion prej ‘Playboy’, kryesisht për shkak të pasurisë së tij të madhe. Ai për momentin thuhet të jetë në lidhje me modelen dhe aktoren, Nikita Kahn.

(Kosova Sot)