Basha në Vorë: Do të ulim çmimin e energjisë dhe do rrisim pensionet

  • 29 April 2016 - 13:35
Basha në Vorë: Do të ulim çmimin e energjisë dhe do rrisim pensionet

Rritje e pagës minimale, ulje e çmimit të energjisë për familjet që konsumojnë më pak se 300 kw, pagesë nga buxheti i shteti të faturës së ujit dhe energjisë elektrike deri në 200 kw për familjet në nevojë ekonomike, ulje e çmimit të energjisë për biznesin, rishikim të reformës së pensioneve në funksion të interesit të qytetarëve, janë disa nga pikat e platformës qeverisëse të Partisë Demokratike të shpalosura nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin me punëdhënës dhe punëmarrës të Vorës.

“Që t’ua bëjmë jetën pak më të lehtë gjithsecilës prej jush e para është që t’ju rrisim rrogën apo jo?! Çmime më të ulura, për shembull për energjinë elektrike. 56 për qind e shqiptarëve harxhojnë më pak se 300 kë. Po për këta 56 për qind që është pjesa më e varfër e shqiptarëve, çmimi është rritur. Do të ulim çmimin e energjisë për 30 kw e parë. Fatura e energjisë që do të paguani për familjet tuaja do të jetë më e ulur. Po kështu fatura e energjisë për biznesin do të duhet të ulet sepse është rritur nga 9 lekë/kë orë në 14 lekë/kë orë”, tha ai.

Një nga shqetësimet e punonjësve ishte dhe pensioni. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se pseudoreforma nuk ishte gjë tjetër veçse heqje e përgjegjësisë së qeverisë ndaj qytetarëve. Basha tha se kjo pseudo reformë do zhbëhet dhe reforma e pensioneve do të ketë në qendër mosrritja e moshës së pensionit. Po kështu zoti Basha garantoi rritje pensionesh përtej indeksimit për inflacionin.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal dhe në biznesin e Nikollaq Neranxit, biznesmeni që kundërshtoi fort arbitraritetin e shtetit ndaj biznesit. Zoti Basha tha se Partia Demokratike sot dhe qeveria e tij nesër do të jetë në krah të biznesit, në krah të punëdhënësve dhe do t’u krijojë të gjitha lehtësitë që ata të krijojnë më shumë mundësi për punësim e punësim me paga më të larta.

(Kosova Sot)