Donika Gërvalla: Kryeministër largohu nga koalicioni me kriminelë, ose largohu nga LDK

  • 29 April 2016 - 17:43
Donika Gërvalla: Kryeministër largohu nga koalicioni me kriminelë, ose largohu nga LDK

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherësh e bija e veprimtarit dhe patriotit të madh shqiptar, Kadri Gërvallës, Donika ka kërkuar nga Isa Mustafa që të largohet nga koalicioni me kriminelë.

Ajo në një shënim në Facebook ka theksuar se ënse Mustafa nuk largohet nga bashkëqeverisja me PDK-në, atëherë sipas saj, ai duhet të largohet nga LDK-ja,

Shënimi i plotë:

Kryeministër, largohu nga koalicioni me kriminelë ose largohu nga LDK-ja, sepse ajo nuk ka asgjë të përbashkët me këta kriminelë

Aq sa më jep satisfaksion arrestimi i sotëm i Azem Sylajt, aq më rri mendja këto ditë tek viktimat e shumta të Dajve, Gjarpërnjve, Lulave, Rambove, Fatmirave, Rexhepave dhe kriminelëve të tjerë si ata. Me mendje jam tek familjet e tyre, të cilat kaq vite kanë që presin kot presin drejtësi por edhe tek të gjithë ata ushtarë trima dhe të ndershëm të UÇK-së, të cilët nuk hezituan të kapin armët dhe të sakrifikojnë jetën për lirinë e Kosovës, pa i imagjinuar marifetet e hershme të të ashtuquajturve „komandantë“ të UÇK-së.

Litari rreth fytit të gjarprit dhe shokëve të tij po vjen duke u shtrënguar. Ky është vetëm fillimi i fundit të tyre dhe i çlirimit të Kosovës nga kanceri i krimit dhe korrupsionit. Kryeministri i Kosovës duhet që sot të largohet nga koalicioni me këta kriminelë, i cili nuk do të duhej të ishte lidhur kurrë. Në rast të kundërt ai duhet të largohet nga LDK-ja dhe t’i hapë rrugë ringritjes së LDK-së dhe shërimit të shoqërisë kosovare përmes bashkimit të të gjithë forcave pozitive dhe të guximshme në Kosovë.

(Kosova Sot)