Nuk dihet hapësira e uzurpuar në Ferizaj

  • 29 April 2016 - 19:08
Nuk dihet hapësira e uzurpuar në Ferizaj

Rrënime ka por edhe uzurpimet e reja nuk mungojnë
"Kjo punë është përditshmëri e zyrtarëve, por konsideroj se iniciativat janë të vonshme. Po ashtu ka shumë telashe edhe në zbatimin e vendimeve të selektuara, dikujt po i rrënohen objektet e dikujt jo, prandaj ka shumë rezerva edhe këtë aspekt, dhe duhet të punohet më shumë në moslejimin e uzurpimeve të reja", vlerëson Arbër Kadriu, raporton Gazeta Kosova Sot
P ushteti lokal i Ferizajt edhe këtë sezon ka shtuar aktivitetin për të liruar hapësirat publike nga objektet pa leje apo edhe ato të ndërtuara në prona publike. Drejtori për Pronë Gjeodezi dhe Kadastër, Fatmir Azizi, tregon se të mërkurën janë bërë dy rrënime në pjesë të ndryshme të qytetit, ku nuk janë respektuar kriteret e parapara me ligj. Thotë se nuk ka pasur ndonjë rezistencë nga qytetarët, por edhe nëse do të ketë, dora e pushtetit do të veprojë gjithmonë aty ku cenohet interesi i përgjithshëm qytetar. "Ne po mundohemi që hapësirat publike t'i lirojmë nga uzurpimet, meqë na mungojnë shumë vendet e gjelbëruara dhe ambientet atraktive.

Po shkojmë në sistemin, duke marrë informacione dhe duke vepruar, ndërsa edhe qytetarët kanë filluar të kuptojnë se prona është e shenjtë dhe nuk duhet keqpërdorur për qëllime përfitimi", deklaron Fatmir Azizi, drejtor për Pronë Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Ferizajt, duke shtuar se vetëm gjatë kësaj jave kanë ndodhur dy rrënime, ndërsa edhe dy të tjera do të ndodhin brenda pak ditësh në bazë të vendimeve të lëshuara. Shoqëria civile e vlerëson të vonshme iniciativën Por, për shoqërinë civile në Ferizaj sado që iniciativa të tilla janë të mirëpritura, ato janë të vonshme. Arbër Kadriu, nga organizata joqeveritare INPO, bën thirrje që edhe në këtë proces të mos ketë selektime në heqjen e objekteve nga hapësirat e uzurpuara. "Kjo punë është përditshmëri e zyrtarëve, por konsideroj se iniciativat janë të vonshme. Po ashtu ka shumë telashe edhe në zbatimin e vendimeve të selektuara, dikujt po i rrënohen objektet e dikujt jo, prandaj ka shumë rezerva edhe këtë aspekt dhe duhet të punohet më shumë në moslejimin e uzurpimeve të reja", vlerëson Arbër Kadriu, udhëheqës i organizatës joqeveritare Iniciativa për Progres INPO.

Ndërkaq, zyrtarë të pushtetit lokal pohojnë se kanë mbetur edhe mjaft hapësira të tjera të uzurpuara. Për një sipërfaqe të saktë nuk mund të flasin, sepse edhe tash e 17 vjet pas luftës, uzurpimet e pronave publike janë të shpeshta. "Ne nuk mund ta dimë se sa hapësirë kemi të uzurpuar se ka qytetarë që edhe më tutje i zënë hapësirat publike, por me mekanizmat tanë po mundohemi që të rrisim edhe vetëdijesimin për këto çështje", pohon drejtori Fatmir Azizi, i cili udhëheq Drejtorinë për Pronë, Gjeodezi e Kadastër. Pse sahat-kulla po qëndron në këmbë E objekti që do të duhej të kishte prioritet për rrënim në qendër të Ferizajt, sipas aktivistëve të INPO-s, është edhe sahat-kulla e ndërtuar mbi nënkalim. Ky objekt i papërfunduar e i kopjuar nuk meriton të qëndrojë më aty sipas tyre. "Ka kohë që është thënë se diçka e tillë nuk i duhet Ferizajt, një objekt i kopjuar e i papërfunduar si duhet, prandaj duhet të hiqet sa më shpejt", thotë Arbër Kadriu nga INPO. Drejtoria për Pronë Gjeodezi dhe Kadastër ka njoftuar se po bën përgatitjet që të hartojë një listë edhe për pronat e uzurpuara nëpër fshatra, ku pritet një intervenim i shpejtë nga inspektorët komunalë.

(Kosova Sot)