28 muaj burg për shitblerje narkotikësh

  • 30 April 2016 - 13:13
28 muaj burg për shitblerje narkotikësh

Gzim Musliu dhe Dritëro Azemi janë dënuar me 28 muaj burg për vepra që lidhen me narkotikët.

Gjykata Themelore në Prishtinë Musliun e dënoi me 18 muaj burg dhe 1200 euro gjobë, ndërsa Azemin me 10 muaj burg dhe 600 euro gjobë.

Gzim Musliu akuzohej për blerje, posedimi, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, e konkretisht  për shitje të substancave apo preparateve të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë.

Akuza ndaj Musliut lidhej me paragrafin 2 të nenit 273 të Kodit Penal të Kosovës për të cilin parashikohen dënimet prej 2 deri në 12 vjet burg.

Edhe Dritëro Azemi akuzohej për të njëjtën vepër penale, por të lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, për shkelje të të cilit dënimet sillen nga 2 deri në 8 vjet burg.

Azemi ngarkohej edhe për armëmbajtja pa leje, për të cilën vepër penale parashihet dënim me gjobë deri në 7500 euro, ose dënim me burg deri në pesë vjet.

Aktakuza thotë se gjatë bastisjes Dritëro Azemit i ishin gjetur 250 euro me të cilat ai synonte blerjen e  narkotikëve si dhe një revole, ndërsa Gzim Musliut i ishin gjetur 1.075.5 gramë narkotik të tipit marihuanë, raporton kallxo.com.

Në seancën e mbajtur para dy ditësh të akuzuarit e pranuan fajësinë dhe u ndien të penduar për shkaktimin e veprave penale për të cilat akuzoheshin.

(Kosova Sot)