''Jam palë e dëmtuar, s’kam të bëj me Azem Sylën. Nëse del diçka, duhet të arrestohet edhe Murat Meha!''

  • 30 April 2016 - 18:38
''Jam palë e dëmtuar, s’kam të bëj me Azem Sylën. Nëse del diçka, duhet të arrestohet edhe Murat Meha!''

Pas aksionit për bastisje dhe arrestim ndaj të ashtuquajturit “grupi kriminal” (i udhëhequr nga Azem Syla), ku u publikuan rreth 40 emra të personave të dyshuar, ka reaguar Shkelqim Latifaj, emri i të cilit figuron po në këtë listë.

Latifaj ka mohuar të jetë e vërtetë një gjë e tillë. Ai ka thënë se ndihet i dëmtuar dhe se nuk ka të bëjë fare me Azem Sylën.

“Ne nuk kemi të bëjmë me këtë çështje hiç. Ne jemi palë e dëmtuar. Neve në media na kanë publikuar aty, kinse dyshohemi edhe ne me Azem Sylën e me këta. Ne jemi dikun 20 veta. I kemi ble këto toka dhe në mesin e tyre jam edhe unë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Latifaj ka thënë se po qe se del që dokumentacioni i blerjes së tokës nuk është në rregull, atëherë do të duhet të arrestohen disa persona, përfshirë këtu edhe Murat Mehën.

“E për ashtu, nëse del diçka, atëherë duhet të shkojnë t’i arrestojnë prej Murat Mehës, drejtorit të kadastrës, kryetarit të gjykatës, drejtorit të kryesisë të krimeve ekonomike, krejt kush ka thënë që kjo tokë është në rregull”, ka vazhduar Latifaj.

Ai ka pranuar se shtëpia e tij është bastisur ditën kur ka nisur aksioni i EULEX-it, por siç ka thënë ai, kjo ka ndodhur në cilësinë e dëshmitarit, e jo në atë të dyshuarit.

“Sot unë jam bastisur, por më janë kërkuar dokumente provë, në cilësinë e dëshmitarit, jo në atë të akuzuarit, ose të dyshuarit ose diçka qysh po thonë mediat. ” .

Se nuk është i dyshuar, Latifaj ka thënë se ia ka pohuar edhe EULEX-i, te i cili ka shkuar për t’u ankuar po atë ditë.

“Nuk e di pse (po ndodhë). Duhet me e pyet EULEX-in edhe ata që i ka publikuar. Se unë isha në EULEX dhe ata më thanë që ti je i dëmtuar, nuk je i dyshuar”, ka shtuar ai.

Latifaj ka thënë se ka kërkuar nga EULEX-i që ta demantojë një gjë të tillë, mirëpo ata i kanë thënë se kjo është bërë nfga mediet.

“Unë i thashë (eulex-it) për një orë ju lutem ta bëni demantimin edhe ta publikoni se kush është i arrestuar, kush i dyshuar edhe kush është dëshmitar. Thanë që si lajm nuk ka dalë prej neve. Atë e kanë publikuar mediat “krye në vete”. Përderisa lajmi nuk del prej neve, më thanë se nuk mund ta demantojmë”,

Latifaj e ka quajtur të papranueshëm faktin që është futur në një grup me Azem Sylën. Kjo pasi siç pretendon ai, i ka të gjitha dokumentet që e dëshmojnë blerjen e tokës.

“I kam krejt dokumentet e blerjes së tokës , prej Prokurorisë, AKP-së, Gjykatës, Departamentit të Krimeve Ekonomike, të krejtve i kam. E neve na del emri që jemi në grup me Azem Sylën. Kjo është diçka e papranueshme. Krejt dokumentet i kam me vete”.

Ai ka thënë se pronën e blerë e ka vërtetuar në të gjitha institucionet përkatëse.

“Pronën e kam blerë me fletë poseduese dhe kopje plani , para se ta blija e kam vërtetuar nëpër të gjitha institucionet përgjegjëse ( Kadastër, Komunë , Gjykatë, AKP, Policia e Krimeve ekonomike) se a ka ndonjë ndalesë apo problem ta blejë këtë prone”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se për një gjë të tillë ka marrë edhe përgjigje.

“Nga të gjitha institucionet e lartëcekura kam marrë përgjigjje me shkrim, se kjo pronë nuk ka kurrfarë kontesti dhe prona është e fituar në mënyrë ligjore.

Ai ka thënë se ndjehet palë e dëmtuar dhe se do të kërkojë dëmshpërblim nga shteti për një gjë të tillë, pasi që në asnjë prej dokumenteve si thotë ai, nuk thuhet se diçka nuk është në rregull.

“Në bazë të dokumenteve lirisht mund të konstatohet se ne jemi blerës dhe nëse ka ndonjë pengesë në shfrytëzim të pronës, atëherë ne jemi palë e dëmtuar për çka do të kërkojmë dëmshpërblim nga shteti i Kosovës për dëmin e shkaktuar nga dokumentacioni ligjor, të cilin e ka lëshuar veët shteti i Kosovës: Komuna e Prishtinës , Agjencioni kadastral i Kosovës , Gjykata komunale në Prishtinë , Dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme , Policia e Kosovës dhe AKP”, ka përfunduar ai për Gazetën Blic.

(Kosova Sot)