Jeton në Kosovë dënohet në Austri!

  • 30 April 2016 - 20:47
Jeton në Kosovë dënohet në Austri!

Hallet e njerëzve janë të llojllojshme. Ato nuk kanë fund dhe shpesh dinë t'ua nxijnë jetën individëve apo edhe të tërë familjes. Ka aso lloj problemesh të cilat, për shkak të vështirësive financiare, shëndetit të rrënuar apo pamundësisë që t'u bëjë ballë, njeriu edhe i pret dhe disi është më i përgatitur për t'u përballë me to, edhe pse kjo nuk do të thotë se edhe i mposht apo mund t'i zgjidhë. Por, ka edhe aso problemesh të cilat mund të futen në kategorinë - ruana Zot nga të papriturat! Bëhet fjalë për problemet, të cilat nuk i pret, bile as që mund t'i imagjinosh, dhe si të tilla ato është shumë vështirë t'i përballosh, edhe për faktin se "viktimën" e gjejnë të papërgatitur,shkruan gazeta Kosova Sot.

Zarfi enigmatik që solli shumë befasi!

Me një lloj të tillë të problemit, tash e 4 vjet, është duke u ballafaquar gjakovari Sokol Tetaj, 50- vjeçar. Sokoli punon në ndërtimtari dhe jeton në bllokun e ri të qytetit të Gjakovës, lagje kjo më e njohur me emrin "Orize". Jo, problemi i tij nuk ka të bëjë asgjë me profesionin e tij, as me nivelin e pagesës që e realizon nga ajo punë, apo pamundësinë që të përmbushë të gjitha kërkesat! Problemi i tij është aq i çuditshëm, saqë kur ta dëgjosh për herë të parë, njeriu krijon përshtypjen se Sokoli po tallet me bashkëbiseduesin. "Kështu mendoja edhe unë në fillim.

Bile mu për këtë arsye e kisha bërë disi asgjë, sepse nuk dija se si t'ua shpjegoj njerëzve hallin që më kishte gjetur, kështu që e mbaja vetëm për vete, duke menduar se është diç e rastit, që është gabim dhe se shumë shpejt ai do të përmirë- sohet", rrëfen Sokol Tetaj nga Gjakova. Po, në fakt, për çfarë problemi është fjala, e pyesim Sokolin? "Para rreth 4 vjetësh, në vitin 2012, në adresë të shtëpisë me arriti një zarf nga Austria. Nuk e kisha as idenë më të vogël se kush kishte mundur të ma dërgoj atë letër. E hapa me kërshëri, dhe kur e hapa çka të shoh, ishte një befasi, të cilën as që e kuptoja e lërë më të di ta shpjegoj.

Aty ishte një dënim që më ishte shqiptuar nga policia e Austrisë, për kinse një shkelje të rregullave në trafik që unë "e kisha bërë" në Austri! Ngela pa fjalë! Thuajse më humbi zëri! Nuk dija çka të thosha e si ta shpjegoja këtë letër, respektivisht këtë dënim", thotë Sokoli.


Sokoli, "i padisiplinuar" në trafik!
Jo, nuk ishte në pyetje lartësia e dënimit, të cilën mbase Sokoli nuk kishte mundësi ta përballonte me të ardhurat që realizon, por ishte në pyetje diçka shumë më e çuditshme, bile e pabesueshme! "Nuk besoj se dikush do të ngelte i pashqetësuar po t'i ndodhte kjo, po t'i arrinte një dënim nga një shtet ku këmba e tij nuk kishte shkelur asnjëherë në jetë. Po, po, seriozisht e kam, këmba ime kurrë nuk ka shkelur në Austri. Prandaj, më thoni ju se si kisha mundësi të isha i qetë", thuajse na pyeste Sokol Tetaj. Ngjarja ishte aq e pabesueshme, saqë Sokoli ishte i bindur se bëhej fjalë për një gabim të pashpjegueshëm, i cili nuk do të përsëritej më.

Prandaj, nuk deshi ta bëjë të madhe, por as ta paguajë atë dënim të pakuptimtë. Mirëpo, telashet e tij nuk përfunduan vetëm me këtë injorim të kësaj letre dhe këtij dënimi. "Ajo letër ishte vetëm nisma, pasi letra dhe dënime të tilla vazhduan të më arrijnë edhe më vonë. Kishte periudha që, së paku një herë në muaj, merrja aso zarfi ku dënimi sillej kryesisht në vlerë prej rreth 100 eurove. Kishte dënime për kinse tejkalim të shpejtësisë, për parkim të gabuar e madje edhe për kalim në semafor të kuq. Kuptohet se as që më shkonte mendja t'i paguaja ato dënime, të cilat, me kalimin e kohës filluan të më  brengosin", këmbëngul Sokol Tetaj.

Nuk e befasojnë dyshimet që shfaqen herë pas here

Hallexhiu i çuditshëm duket se e fitoi përshtypjen se po dyshojmë në rrë- fimin e tij. "Nuk keni faj, nuk jeni i pari që nga disa herë më ka pyetur se mos vallë ndoshta kam qenë ndonjë herë në Austri, por këtë e kam harruar! Unë vërtet nuk kam shkelur kurrë në tokën e këtij shteti. Duket se dikush, mbase i afërm i imi, kështu po tallet me mua, ose, mos e dhashë Zoti, pas kësaj po fshihet diçka më serioze.

Është e vërtetë se emri dhe mbiemri im në këto dënime është i saktë, pra duket se është dhënë nga dikush që më njeh, por është evidente se ai nuk ma ka ditur ditëlindjen e saktë, kështu që në secilën nga këto dënime figuron një ditëlindje tjetër", tregon Sokoli, duke shtuar se kohë më parë madje kishte marrë foton e "xhipit të tij" të parkuar në vend të gabueshëm! Pas një kohe mjaft të gjatë që i kishte bërë asgjë këto letra që vinin nga Austria, Sokoli më në fund iu drejtua për ndihmë Policisë së Kosovës dhe Ambasadës së Austrisë në Prishtinë.

Përfaqësia diplomatike austriake, më në fund, ditë më parë, e ka kontaktuar Sokol Tetajn, duke ia kërkuar dëshmitë e këtyre dënimeve, kështu që tash ai shpreson se më në fund do të ndërpritet ardhja e këtyre dënimeve të pakuptimta në trafik, nga një vend ku ai nuk ka qenë kurrë! "Mua më vjen çudi më së shumti prej austriakëve. Duke e ditur se çfarë shteti serioz, i organizuar dhe i përpiktë është Austria, mos me e gjet kush fshihet pas këtij veprimi. Tash e 4 vjet unë rregullisht ua kthej dënimet që më vijnë, por ato nuk ndalen dhe vazhdojnë të arrijnë në Gjakovë. Sikur kjo të kishte ndodhur në Kosovë ndoshta edhe nuk isha befasuar shumë, por në Austri...!," shpreh befasinë Sokol Tetaj, me shpresë se më në fund do të lirohet nga ky ankth i çuditshëm.

(Kosova Sot)