Plaga e hidhur e 1 majit, e pashërueshme për të burgosurit dhe familjarët e rastit “Monstra” (Video)

  • 01 May 2016 - 10:58
Plaga e hidhur e 1 majit, e pashërueshme për të burgosurit dhe familjarët e rastit “Monstra” (Video)

Familjarët e të burgosurve për rastin ‘Monstra’ një majin e vitit 2012 e kujtojnë si një ndër ditët më të këqija të jetës së tyre, pasi që trauma e aksionit policor të zhvilluar para katër viteve ende nuk ka kaluar. Ata thonë që ju vjen keq që ka ndodhur vrasja e pesëfishtë afër liqenit të Smillkovës, për të cilën familijarët e tyre janë burgosur përjetësisht, por që janë të pafajshëm dhe se vrasësit e vërtetë duhet të zbulohen.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm.
Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë.

Familja e të akuzuarit Sami Luta i cili po vuan dënimin në burgun e Shutkës thonë se ndjehen shumë keq dhe se tërë kohën ata kanë përjetuar provokime të llojllojshme nga subjekte të ndryshme.

“Ndjehemi keq, shumë keq. Na morën më të dashurin pa pikë faji. Malli për të vjen e po na shtohet dita ditës. Tërë kohën përjetuam provokime të llojllojshme nga subjekte të ndryshme. Më se shumti na dëshpëroj neglizhenca e pa fund e partisë shqiptare në pushtet, e cila për rastin tone “Monstra” dështoj totalisht. Zhgënjimi ma i madh ishte premtimi që e dha Zaevi për publikimin e bombave për rastin tonë të cilin nuk e mbajti. E falënderojmë gjithë popullatën dhe jemi të kënaqur nga përkrahja e tyre qysh nga fillimi e deri më sot, të cilët na kanë dhënë kurajo dhe forcë dhe gjithnjë kanë qenë me ne”, thonë për Portalb.mk familjarët e Sami Lutës.

Ata shtojnë se me shëndet është mirë, por se janë larg nuk është fare e lehtë.

“Falë Zotit , me shëndet është mirë. Se jemi larg nuk është fare e lehtë. Pafajësia e tij na mundon goxha por, nga ana tjetër na jep forcë dhe shpresë se një ditë e vërteta do të del në shesh”, thonë për Portalb.mk familja Luta.

Kjo familje shprehet optimiste dhe thonë se ky rast i stërzgjatur gjithsesi do të zgjidhet.

“Ky rast gjithsesi do të zgjidhet! Nga rrethana botërisht të njohura rasti u stërzgjat. E vërteta do të del në shesh do si do. Sipas informatave nga avokati jonë si dhe mediumeve të ndryshme përgjimet e rastit “Monstra” tanimë gjenden në duart e Prokurorisë Speciale. Ne si familjar presim momentin kur Prokurorja Speciale, nga provat që i ka në dispozicion, do të shpall pafajësinë e te akuzuarve- dënuarve të këtij rasti, si dhe lirimin e tyre sa më të shpejtë.”, thonë më tej ata.

Gjithashtu për këtë përvjetor për Portalb u shpreh edhe Bedri Ajdari, familjar i Haki dhe Fejzi Azirit, gjithashtu të akuzuar për rastin në fjalë.

Ai thotë se ajo çfarë ndjejnë ata në këtë ditë është mllef, askush nuk e din hallin tonë përveç atyre që kanë ndonjë brengë të tillë.

“Jemi jashtëzakonisht të mllefosur! Për dikë ndoshta nuk është me rendësi dhe i duket se kalojnë vitet, por për familjet tona nuk do të thosha kështu. Sot në Maqedoni nuk mund të jetohet pa ndonjë problem të këtillë e lëne më me të burgosur pa një epilog përfundimtarë. Po përcjellim përvjetorin e 4 dhe po e fillojmë te 5-tin. Askush nuk e din hallin tonë përveç atyre që kanë ndonjë brengë të tillë. Ne që jemi familjarë, kemi mjaft halle po prapë nuk jemi në lëkuren e të burgosurve tanë që nuk e dinë pse janë që 4 vite të prangosur, të fyer të nënvlerësuar si njerëz, si shqiptarë që padrejtësisht janë të burgosur. Na mungojnë neve të rriturve dhe as që diskutohet për fëmijët e tyre.”, tha Ajdari.

“Natyrisht ringjalljen e bëjnë mediat në gjuhen shqipe që nuk na harrojnë dhe na japin kurajë të vazhdojmë luftën me mjetet që posedojmë. Bredhim andej e këndej dhe nuk dimë më tek kush të drejtohemi! Pritëm disa vjet kinse për drejtësi, po te kush? A tek ata që vet janë të përfshire në krim të organizuar, në vjedhje dhe tek ata që kanë premtuar se do të punojmë ashtu siç dëshironi ju Çaush e kerkush, jo, tek këta nuk ndahet drejtësia! Ndonëse u formua Prokuroria Speciale e Shkupit, ajo nuk po ja del në krye me ata që i kanë duart e përlyera me fëlliqësira dhe pasuri të popullit sepse e dimë se Gjykatat dhe gjykatësit apo me mirë thënë kasapët e Maqedonisë nuk e lejojnë asnjë rast të zbardhet. Ne nuk kemi as kryetar shteti që të sjell drejtësi në këtë vend dhe t’i sanksionoj vendimet që janë në dëm të popullatës së Maqedonisë, po për kundrazi ky i legjitimon ato vendime të pa drejta dhe i inkurajon që edhe në të ardhmen nëse e shkelin ligjin ky do t’i amnistoj sepse është pjese përbërëse e atij krimi. Pra, për neve shqiptarëve ka ngel rruga dhe Revolucioni për të mos ja lëne “majmunit të na e ndaj djathin” siç thotë një proverb arabe.”, shtoi Ajdari.

Ndërkaq rasti “Monstra” që ndodhi në vitin 2012, ku më pas u dënuan me burg të përjetshëm 6 persona për terrorizëm pa bazë dhe pa prova të fuqishme juridike, por duke u bazuar vetëm në dëshmitarët e mbrojtur, vazhdon të jetë një plagë e hapur për shqiptarët e Maqedonisë.

Ndërkaq lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev një vit më parë tha se do të publikojë gjithçka që posedon për rastin “Monstra” kur u vranë katër fëmijë dhe një person i rritur pranë liqenit të Smillkovës , por kjo gjë nuk ndodhi. Ai tha që materialet ia ka dorëzuar Prokurorisë Speciale e cila ende nuk e ka shqyrtuar rastin edhe pse familjarët kërkojnë një gjë të tillë.

RIKUJTIM 30/6/2014

Gjashtë persona të akuzuar në rastin “Monstra” janë dënuar me burg të përjetshëm, kurse vetëm njëri prej tyre nuk ka marrë burg të përjetshëm është vendimi i gjykatës lidhur me këtë rast.

Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm nën akuzën se kanë kryer vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill të vitit 2012, afër liqenit të Smilkovcit. Ata janë dënuar për veprën më të rëndë, “terrorizëm”.

Vetëm i akuzuari Rami Sejdiu është liruar nga akuza dhe i është ndërprerë paraburgimir.

(Kosova Sot)