Emocionet e 81-vjeçarit, në Kosovë pas 51 vjetësh

  • 03 May 2016 - 08:01
Emocionet e 81-vjeçarit, në Kosovë pas 51 vjetësh

 Zeqir Maloku: Kurrë në jetë nuk kam menduar se do të qëndroj kaq gjatë në Amerikë

 “Nuk ka fjalë ta përshkruaj mallin që kam pasur për familjarët, për miqtë, shokët, vendin, por edhe për të gjithë ata që i kam njohur. Të moçmit kishin vdekur, kurse të rinjtë ishin bërë pleq e plaka. Prindërit nuk i gjeta dhe një vëlla ka pak ditë që më ka vdekur. Ai dhe prindërit kishin shkuar me mallin për mua, por aq edhe unë ndiej mall për ta”, u shpreh për gazetën Zeqir Maloku

Kthehet për herë të parë pas 51 vjetësh në Kosovë shqiptari intelektual, mësuesi i parë i trevës së Vushtrrisë, i cili për shkak të përndjekjes nga regjimi serb i atëhershëm kishte ikur nga Kosova. Është ky mësuesi Zeqir Maloku, nga fshati Samadrexhë, komuna e Vushtrrisë, i cili kishte migruar drejt Amerikës, duke humbuar kontaktet për 10 vjet rresht me familjen. Pa dyshim se vizita e tij pas kaq shumë vjetësh ka ngjallur emocione tek të afërmit e tij, duke u përpjekur që ta presin familjarin e tyre në mënyrë madhështore. Organizmi për një pritje mirë të organizuar nuk kishte munguar as në Aeroportin e Prishtinës, ku përveçqë kishte kaluar nëpër procedura të VIP-ave, atë kishin dalë ta presin rreth 40 familjarë të tij. Pa dyshim se mospasja mundësi për të vizituar kaq shumë vite familjen dhe vendlindjen e tij tani i kishte sjell emocione që vështirë i përballonte Zeqir Maloku. Por, ajo që e veçonte këtë 81-vjeçar ishte për lakmi se xha Zeqeri komunikonte lehtë në gjuhën ku ishte rritur dhe shkolluar, e mjaftë mirë shkoqiste ngjarje nga e kaluara. Ndërkohë, edhe pse kishin kaluar gjenerata pas gjeneratave, ai mjaft mirë i kujtonte të parët dhe arrinte t’i njohë edhe pasardhësit e tyre, deri te gjeneratat më të reja.

 10 vjet nuk kishte kontakt me familjen

Zeqir Maloku, edhe pse nuk i kishte parë asnjëherë, i dallonte të rinjtë se të kujt mund të jenë. Thotë për gazetën “Kosova Sot” se i ka thirrur në emër të të vjetërve. Xha Zeqiri e nis rrëfimin e tij sa interesant po aq edhe rrëqethës. Shpreh urimet më të mira për familjen dhe Kosovën siç thotë të përparuar. Xha Zeqiri shpjegoi fillimisht se rrjedh nga një familje atdhetare.”Si familje çdoherë e kemi ngritur zërin ndaj pushtueseve të këtij vendi, sigurisht se edhe tek unë filluan lëvizjet e para kundërshtuese. Ajo që ndoshta që më së shumti ka ndikuar që unë t’i “bie në sy”regjimit serb ishte pa dyshim se kisha marrë guximin të vizatoja në mure të shkollës, ku isha mësimdhënës i ciklit të ulët, flamurin me shqiponjë dhe kjo kishte bërë bujë të madhe në atë kohë, e që në njëfarë mënyre ishte bërë edhe shkas që unë të bëhem i vëzhguar nga pushteti i atëhershëm serb”, theksoi ai. 81-vjeçari ka shtuar më tej se nga ajo kohë kanë filluar edhe përndjekjet, e që në fakt e kishin detyruar atë si mësimdhënës të parë të mësimit ta lërë vendlindjen dhe të shkojë në Maqedoni. Por, edhe atje vazhdoi e njëjta gjë dhe atij nuk i kishte mbetur tjetër përveç ta lërë edhe Maqedoninë dhe të shkojë në Amerikë. E shkuara në Amerikë pa dyshim se i sjell përshtypjet e para.”Kurrë në jetë nuk kam menduar se do të qëndroj kaq gjatë atje. Nuk më ka pëlqyer fillimisht klima e pastaj edhe shumë gjëra të tjera”, u shpreh nder të tjera xha Zeqiri. Duke folur për përudha të jetës që ai i kishte kaluar atje, përmend edhe kohën më të vështirë kur ai kishte humbur edhe kontaktet me familjen për më shumë se 10 vjet.“Kontaktet e para i kam pasur me vëllain dhe pas kaq shumë vitesh ne për herë të parë arritëm të dëgjohemi. Sigurisht se janë kohët më të vështira për mua. Familja e ka ditur se jam në Amerikë, por që nuk kemi arritur të flasim as me telefon, e lërë më të guxoja të vija. Kisha informata se edhe pas largimit tim regjimi serb interesohej për mua, andaj nuk kisha guxim të vija. Ishte vërtet e rëndë ajo kohë”, u shpreh ai gati në vaj.

Motrat i la të reja, i gjeti plaka Xha Zeqiri thotë se ka punuar në Amerikë në rregullimin e brendshëm të shtëpive, por shton se malli për vendlindje ka qenë aq i madh sa nuk ka fjalë ta përshkruajë."Nuk ka fjalë ta përshkruaj mallin që kam pasur për familjarët për miqtë, shokët, vendin, por edhe për të gjithë ata që i kam njohur", thekson ai. Në anën tjetër, për gjatë gjithë kësaj kohë ai nuk e harroi asnjëherë përkushtimin për vendin e tij. Ishte në krye të protestave shqiptare sa herë që organizoheshin kundër padrejtësive që u kanë bërë shqiptarëve këtu. Tregon se ai dhe familja e tij e ngushtë, por edhe shqiptarët në Amerikë, asnjëherë nuk i kishin humbur traditat gjë që sipas tij edhe sot e kësaj dite ato ruhen me fanatizëm."Po janë ruajtur të gjitha, edhe dasmat, morti dhe të tjera kanë rëndësinë e tyre po aq sa këtu", u shpreh ai. Po si e gjeti familjen e ngushtë dhe fshatin e tij të lindjes. Si i la të reja motrat dhe tani i gjeti plaka." Të moçmit kishin vdekur, kurse të rinjtë ishin bërë pleq e plaka. Prindërit nuk i gjeta dhe një vëlla ka pak ditë që më ka vdekur. Ai dhe prindërit kishin shkuar me mallin për mua, po aq edhe unë ndiej mall për ta. Por, edhe motrat nga ajo bukuri rinore që i kisha lënë tash i gjeta plaka", shpjegonte ai. Ndërsa, nga gjithë ajo që ka kujtuar sa ka qenë atje dhe tani, thotë se ka pyetur për një dardhë, pemë kjo që e ka dalluar nga pemët e tjera. E derisa Kosovën e krahason me një vend më të mirë se Amerikën, sa i përket ndërtimeve, banimeve private, thotë se kurrë nuk do ta kishte menduar këtë ndryshim, e kjo ndodh sipas tij falë punës që bëjnë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Në anën tjetër për familjet vizita e tij shënonte një ngjarje nga më të rëndësishmet në familjen Maloku. Gjatë vizitës që i bëmë, aty gjetëm plot familjarë, të cilët e ndanin kohën me xha Zeqirin, duke organizuar kështu edhe ndeja të veçanta.

Një fëmijë në familje është pagëzuar me emrin Klinton Vëllai i tij, Gani Maloku, i rrinte përkrah. Ai na ka rrëfyer për mallin që ka pasur për vëllain e madh. Ndërkohë që ka shpjeguar se kontakti i tij i parë pas aq shumë vitesh kishte shënuar një ndodhi tjetër me rëndësi në jetën e tij. "Pas 10 vitesh kanë filluar kontaktet e para dhe tani kanë vazhduar, por sigurisht se kanë qenë të rralla dhe kohë të vështira. Kjo vështirësi është kaluar me vizitën edhe të babit të Zeqirit në Amerikë. Kurse familjari tjetër, Bajram Maloku, profesor i historisë, ka kujtuar se si Zuka, siç e njohin, është shkolluar në kushte të vështira dhe se si familjarët i kanë dërguar nga një bukë të misrit atij në Prishtinë duke udhëtuar nga fshati Samadrexhë këmbë për në Prishtinë dhe anasjelltas. Kurse nxënësi i tij, sot 76 vjeç, Ferid Maloku, e kujton si mësues të mirë dhe edukator njëkohësisht xha Zeqirin."Jo që ka qenë një ndër mësuesit e parë, por ai ka qenë edhe prind dhe edukator për të gjithë ne", u shpreh ndër të tjera ai. Hakif Morina, mësimdhënës, ka njoftuar se për nder të 100-vjetorit të shkollës së parë shqipe i është ndarë mirënjohje edhe Zeqir Malokut. Ndërsa, pjesë nga e kaluara dhe malli i familjes për Zeqirin kanë ndarë edhe familjari Izet Maloku, Hakif Maloku si dhe axha i madh, Xhevat Maloku. Kurse Gazmendi dhe Alberti, familjarë të kësaj familje, kanë rrëfyer se si fëmijë janë ngjitur në majën më të lartë të një shkëmbi në fshat, me të vetmin qëllim se mos po e shohin Amerikën dhe po shohin duke ardhur xha Zeqirin. E krejt në fund në këtë familjen një vogëlush mban emrin Klinton. Ai është pagëzuar nga gjyshi i tij në shenjë përkujtimi për të mirat që i ka bërë ish-presidenti i SHBA-së, Bill Klinton, për Kosovën. E Klintonin e gjetëm në vizitë tek xha Zeqiri, në kohën kur edhe ne ishim në vizitë. 

 

(Kosova Sot)