Ekspertët kroatë: Rrëshqitjet në lagjen "Arbëria" ndodhën për shkak të ujërave nëntokësore

  • 05 May 2016 - 13:37
Ekspertët kroatë: Rrëshqitjet në lagjen

Instituti Gjeologjik i Kroacisë, i cili në marrëveshje me Komunën e Prishtinës ishte kontraktuar që të hulumtojë rrëshqitjen e dheut në lagjen Arbëria, sot erdhi me gjetjet përfundimtare dhe rekomandimet për sanimin e gjendjes dhe evitimin e rrëshqitjes, njofton kumtesa komunale, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Drejtori i Institutit, Josip Halamić si dhe ingjinjeri Željko Miklin prezantuan para zyrtarëve të Drejtorisë së Ivestimeve Kapitale dhe atyre të Drejtorisë së Urbanizmit gjetjet dhe rekomandimet e Institutit për sanimin e gjendjes.

Sipas tyre, shkaktari kryesor i rrëshqitjet së dheut janë ujërat nëntokësorë në këtë lagje që shkaktojnë lëvizje. Në planin e sanimit është rekomanduar ndërtimi i tre puseve, të cilët do të shërbenin si pika akumulimi të ujërave nëntokësorë dhe të cilët do të zbrazeshin në intervale të rregullta me anë të pompave.

Gjithashtu, thanë se çdo ndërtim në këtë lagje duhet t'i nënshtrohet rregullave të reja për miratimin e lejeve, që nënkupton disa specifika të veçanta teknike të ndërtimit, siç janë themelet dyfish më të thella të godinave.

Ekspertët nga Zagrebi rekomanduan që tërë hapësira e kodrës së Arbërisë të pyllëzohet, sepse drunjtë janë mënyra natyrore e thithjes së ujit nëntokësor dhe njëherësh ofrojnë gjelbërim.

11

(Kosova Sot)