Moti i ftohtë dhe me shi shty mbjelljet në Dukagjin

  • 05 May 2016 - 19:07
Moti i ftohtë dhe me shi shty mbjelljet në Dukagjin

Fermerët pa fond për raste të katastrofave natyrore

 

Kryetari Rrustem Isufi ka thënë se pothuaj i gjithë repromateriali vjen nga importi dhe se jo gjithherë janë të sigurt në cilësinë e tij, raporotn Gazeta Kosova Sot

 

Moti i ftohtë dhe me shi që po mbretëron edhe gjatë ditëve të fundit të prillit dhe fillimit të majit në komunën e Pejës, ka bërë që përgatitjet për të mbjella pranverore të kësaj komune të ndërpriten dhe të krijojnë vonesa që ato të realizohen në kushte optimale për shumicën e kulturave. Kështu ka bërë të ditur Mehdi Mulaj, drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi në Komunën e Pejës.

 

Sipas tij, janë afro tetë mijë hektarë që pritet të mbillen me kultura pranverore në arat e Pejës, nga të cilat 4 mijë hektarë me misër, 3 mijë hektarë me perime dhe 1 mijë hektarë të tjerë me patate dhe kultura të tjera. Sivjet më shumë hektarë me kunguj Sipas drejtorit Mulaj, nga viti në vit po krijohen kushte më të mira për fermerët, të cilët merren me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore, ngase subvencionimi për një hektar tani është rritur në 150 euro për drithëra të bardha dhe misër, kurse për perime subvencioni kap shumën prej 300 euro për hektar, që në një formë stimulon ata që të merren me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. "Këtë vit pasi është ngritur fabrika për përpunimin e farave të kungujve kemi të kontraktuara edhe 400 hektarë sipërfaqe për t'u mbjellë me kunguj, e për të cilat po ashtu vlera e subvencioneve kap shumën prej 300 eurove, kulturë kjo e cila është dëshmuar si shumë fitimprurëse", është shprehur Mulaj. Këtë vit, bëhet e ditur se do të ketë edhe 450 hektarë të mbjella me bimë foragjere.

 

Mulaj ka thënë se interesimi i bujqve për t'u marrë më kultivimin e shumë kulturave bujqësore flet për pasurimin e ofertës së fermerëve në tregun kosovar. Ai ka shtuar se këtë vit do të rriten sipërfaqet me pemë të imta si mjedra e në veçanti me boronicë, ku pritet të mbillen katër hektarë me këtë kulturë, e cila do të subvencionohet nga Ministria e Bujqësisë me 400 euro për hektar, kurse grumbullimi i prodhimit është i sigurt. Tregu i sigurt Edhe sigurimi i tregut përmes pikave grumbulluese nga kompani, të cilat bëjnë grumbullimin e këtyre prodhimeve është stimulim dhe garanci për plasimin e prodhimeve të tyre. Këto favore, që nga dita në ditë po shënojnë progres, kanë bërë që prodhuesit bujqësorë të gjejnë interesin e tyre për të përmirësuar kushtet e jetës, duke bërë vetëpunësim për vete dhe familjarët e tyre duke u marrë me bujqësi. Por, fermerët e kësaj komune nuk janë gjithherë të kënaqur më atë se sa ndihmohen. Vërejtjet e tyre kryesisht kanë të bëjnë me ndarjen e grandeve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. "Sa i përket subvencionimit të sipërfaqeve të mbjella me kultura vjeshtore dhe pranverore jemi të kënaqur", ka thënë kryetari i Shoqatës se Fermerëve të kësaj komune, Rrustem Isufi, duke shtuar se fermerët e kësaj komune janë krah i fortë i zhvillimit të komunës së Pejës, zvogëlimit të papunësisë dhe prodhimin e produkteve bujqë- sore për tregun e kësaj komune dhe të rajonit.

 

Importet e dyshimta Pa dyshim, të një rëndësie të veçantë për fermerët është edhe sigurimi i repromaterialit- farërave dhe plehrave cilësorë që ndikojnë në rritjen e rendimentit për kulturat për të cilat ata përcaktohen. Kryetari Rrustem Isufi ka thënë se pothuaj i gjithë repromateriali vjen nga importi dhe se jo gjithherë jemi të sigurt në cilësinë e tyre. Ai ka porositur të gjithë fermerët që me rastin e blerjes se repromaterialeve të marrin nga një dëshmi për repromaterialin e blerë në mënyrë që po qe se cilësia e tij nuk është e nivelit të duhur, t'i paraqesë te shitësit vërejtjet e tij. Sa i përket mekanizmit për kultivimin e këtyre kulturave bujqësore, Isufi ka thënë se fermerët e komunës se Pejës kanë një mekanizëm të mirë, ani pse nuk është më bashkëkohori. "Është paksa i vjetruar, por megjithatë i plotëson nevojat që këto të mbjella pranverore të bëhen në mënyrë cilësore", ka thënë Isufi. Për fermerët e kësaj komune, edhe këtë vit mbetet shqetësim sigurimi i një fondi, i cili do të bënte kompensimin e dëmeve eventuale nga breshri, përmbytjet eventuale, dhe dëmeve të tjera të kushteve të këqija atmosferike. Sipas tyre, dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ndodh që të sjellin dëme të pariparueshme për ta dhe t'u humbë mundi i një viti të tërë.

 
(Kosova Sot)