Trumpizmi “Made in Europe”

Trumpizmi “Made in Europe”
  • 28 May 2016 - 10:17

Shkruan: E.J. Dionne Jr.

Injorimi i rrezikut nga kandidati kontrovers

Mendimet të cilat dikur ishin jashtë diskursit normal politik rreth imigracionit dhe nacionalizmit, tani shfaqen krejt normalisht

Dobësia e këtyre partive është vënë në pah sidomos në Austri këtë javë, ku Norbert Hofer, kandidat i partisë së ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, e cila ka rrënjë në të kaluarën naziste, për pak nuk arriti të zgjidhej president

Ja ku qëndron ironia e nacionalizmit të Trump-it, të manifestuar me sloganin “Amerika në rend të parë”, me politikën kundër imigrantëve, me averzionin ndaj tregtisë së lirë, me nacionalizmin “ta bëjmë SHBA-në përsëri të madhe”: ky është një import evropian.

E djathta amerikane zakonisht ka qenë antiqeveritare, mbrojtëse e kushtetutës, e dyshuar për të fuqishmit e politikës dhe insistuese se “veçantia amerikane na dallon nga shtetet e tjera”.

Por, Trumpizmi nuk është produkt origjinal amerikan. Thuajse çdo shkronjë në platformën jo mirë të definuar të Trump-it, ka prejardhjen nga e djathta ekstremiste evropiane. Ajo ka hasur në mbështetje për shkak të qëndrimit kundër imigrantëve, frikës nga terrorizmi dhe krimi, nacionalizmit ekonomik, si dhe për shkak të premtimeve për një qeveri më të fortë sesa kaosi.

Derisa ndokush do të mendonte se natyra e ideologjisë së Trump-it, gjatë muajve vijues, do ta bënte atë më pak atraktive për votuesit amerikanë, ngritja e tij nuk është më pak shqetësuese për shkak se paraqet një veprim emblematik për atë që është duke ndodhur në shumë shtete demokratike.

Paraqitja e Trump-it është një simptomë e një pakënaqësie më të gjerë që ka kapluar partitë politike në botë, sidomos ato të qendrës së majtë dhe të djathtë.

Përkundër të gjitha ndryshimeve midis tyre, këto parti kishin të përbashkët përkushtimin ndaj institucioneve, të cilat kombinonin lirinë me mirëqenien; që kishin krijuar një prosperitet mirë të përhapur; respektonin fuqinë e qeverive demokratike për të bërë mirë, por po ashtu pranonin edhe limitet e tyre, si dhe kishin përqafuar nevojën për kompromise.

Lajmi i mirë nga Austria

Dobësia e këtyre partive është vënë në pah sidomos në Austri këtë javë, ku Norbert Hofer, kandidat i partisë së ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, e cila ka rrënjë në të kaluarën naziste, për pak nuk arriti të zgjedhej president. Ishte lajm i mirë që Hofer u mund nga Alexander Van der Bellen, i cili mbështetej nga Partia e Gjelbër. Por, përparësia e Van der Bellenit ishte tepër e vogël – ai mori 50.3% të votave, derisa Hofer 49.7%.

Fakti që alternativa ndaj ekstremit të djathtë erdhi nga të Gjelbrit, reflektoi rënien e dy partive dominuese në politikën austriake që nga Lufta II Botërore. Kandidatët e partisë së qendrës së djathtë, Partisë Popullore, si dhe të asaj të qendrës së majtë, Partisë Socialdemokrate, as që arritën të hynin në garë. Së bashku, ata morën vetëm 22.4% të votave në raundin e parë. Paramendoni zgjedhjet në SHBA, ku Partia Republikane dhe ajo demokratike, së bashku, të jenë të tkurrura në më pak se 1/5 e numrit të përgjithshëm.

Mënyrat e votimit në Austri ngjanin për së afërmi me ato që janë parë në anën amerikane të Atlantikut. Anketat e komisionuara nga ORF, transmetuesi publik i Austrisë, tregonin se Hofer udhëhiqte rrastë në zonat rurale, në mesin e meshkujve dhe në mesin e punëtorëve të krahut. Van der Bellen ishte përpara kandidatit djathtist në qytetet e mëdha, në mesin e grave, në mesin e intelektualëve, etj.

Partitë kryesore politike, të cilat mund të ndikohen nga vetëkënaqësia, me gjasë e bartin një pjesë të përgjegjësisë për atë që është duke ndodhur. Largimi i votuesve nga klasa punëtore, duke shkuar ata te drejta ekstreme, paraqet një dështim total në pjesën e partive socialdemokrate, dhe atyre progresive, të cilat historikisht i kanë prezantuar punëtorët. 

Rasti i Gjermanisë

Në të njëjtën kohë, partitë e moderuara konservatore kanë parë humbjen e disa prej zonave të tyre zgjedhore, gjë që e ka dëmtuar edhe Unionin Kristiandemokratik të kancelares gjermane Angela Merkel, ndikuar nga kriza evropiane me refugjatë.

Edhe këtu vlen analogjia e Trump-it: republikanët flirtonin me idenë e linjës së ashpër ndaj refugjatëve, derisa Trump e ka përqafuar atë në tërësi, duke thënë se do ta ndërtojë një mur në kufirin me Meksikën dhe do ta ndalojë përkohësisht hyrjen e të gjithë myslimanëve në SHBA.

Këtu kemi edhe një ngjashmëri tjetër transatlantike: mendimet të cilat dikur ishin jashtë diskursit normal politik rreth imigracionit dhe nacionalizmit, tani shfaqen krejt normalisht. Katya Adler, editore e BBC-së për Evropën, e ka vënë në pah këtë trend, duke vënë theksin te fjala gjermane “salonfähig”, gjë që nënkupton diçka të pranueshme në aspektin social.

Sulmet e reshtura të Trump-it ndaj korrektësisë politike, kanë për qëllim thyerjen e kufijve ndaj asaj që dikur kishte të bënte me imigrantët dhe racat. Qasja e tij e ashpër ndaj të bërit kampanjë reflekton një indiferencë ndaj normave.

Ngritja kundër një të drejte të re ekstremiste do të ishte detyrë e përbashkët përmbi ndarjet e vjetra politike në të gjitha demokracitë. Por, republikanët janë duke u rreshtuar një nga një prapa Trump-it, duke vendosur ta injorojnë rrezikun që ai paraqet për dinjitetin politik dhe sfidën që ai ua ka bërë vetë vlerave demokratike.
SHBA-ja nuk duhet ta marrë modelin e të djathtës ekstremiste në Evropë. Vendi i mundësive dhe lirisë, me një traditë të gjatë të mirëpritjes së të ardhurve, duhet ta udhëheqë rezistencën ndaj autoritarizmit të ri. 

(Kosova Sot)