Nietzsche dhe referendumi britanik

Nietzsche dhe referendumi britanik
  • 23 June 2016 - 10:43

Shkruan: Hugo Drochon

Evropa ballafaqohet me çështje të vështira rreth të së ardhmes së saj.

Në librin "Beyond Good and Evil", Nietzsche shkoi edhe më tej, duke eksploruar sesi do të dukej një sistem superior politik. Ai parashikoi një Evropë të bashkuar, të udhëhequr nga elita transevropiane kulturore dhe të përqendruar jo te madhështia, por te zhvillimi i një kulture të re evropiane.

Sulmet terroriste. Tensionet rreth pakicave religjioze dhe etnike. Rritja e mbështetjes për partitë ekstremiste politike. Një zgjerim i hendekut midis veriut dhe jugut. Një kancelar i fuqishëm gjerman. Një Rusi agresive që zgjeron territorin e vet. Një Britani e madhe e ngatërruar në luftëra të largëta, duke e pyetur veten a duhet të ndahet nga Evropa kontinentale. Një rend i ri politik, i lindur nga një seri e luftërave shkatërruese ndërkombëtare, që rrezikon të shpërthejë. Lista e problemeve me të cilat ballafaqohet Evropa është e gjatë, por kjo nuk është pa precedent. Në fakt, në shumë aspekte, situata aktuale duket shumë e ngjashme me atë me të cilën ballafaqohej Gjermania e Otto von Bismarck-ut. Asokohe, ekzistonte frika se pakicat jugore katolike do ta rrezikonin unitetin e sapogjetur të perandorisë gjermane, që kishte për qëllim stabilitetin përballë rritjes së partisë radikale socialiste, pas një serie të luftërave të përgjakshme (së fundmi kundër francezëve) dhe tentimit të vrasjes së Kaiserit. Gjermania gjendej midis Rusisë imperialiste dhe Francës hakmarrëse. Në ndërkohë, Britania ishte përfshirë në disa aventura ushtarake në Azi dhe në Lindjen e Mesme. Sot, derisa Evropa ballafaqohet me çështje të vështira rreth të së ardhmes së saj, që shihet te shembulli i referendumit të Britanisë rreth mbetjes, apo daljes nga BE, ndoshta përvoja e Gjermanisë në shekullin XIX mund të jetë e dobishme. Nëse po, atëherë ekzistojnë jo shumë udhëzues më të mirë për atë përvojë, sesa ato të Friedrich Nietzsches, njërit prej mendimtarëve më të dalluar të kohës. 

Nietzsche kishte përjetuar traumat direkte të luftës Nietzsche ishte një kritik i frikshëm i politikës "gjak dhe unitet" me anë të së cilës Bismarck e kishte bashkuar Gjermaninë. Ai e quante atë një shembull të "moralit të skllavit" të cilin ai e kishte trajtuar te vepra e vet, "On the Genealogy of Morality", një qasje thjesht e përqendruar te lehtësimi i vuajtjeve. Nietzsche e dinte për çka ishte duke folur: ai kishte qenë vullnetar si oficer i kalorësisë gjatë luftës franceze-prusiane. Edhe pse një lëndim e kishte liruar atë nga luftimet e mëtejme, ai kishte shërbyer në sektorin e shëndetësisë ku kishte përjetuar traumat direkte të luftës. Pas asaj lufte doli një Gjermani e militarizuar e cila, sipas Nietzsche's, e kishte humbur kontaktin me misionin e saj origjinal kulturor. Në librin "Beyond Good and Evil", Nietzsche shkoi edhe më tej, duke eksploruar sesi do të dukej një sistem superior politik. Ai parashikoi një Evropë të bashkuar, të udhëhequr nga elita transevropiane kulturore dhe të përqendruar jo te madhështia, por te zhvillimi i një kulture të re evropiane. 

Për një Evropë unike Vetëm me anë të unifikimit, thoshe Nietzsche, Evropa kontinentale mund ta ketë një zë të fuqishëm në çështjet botërore, gjë që atëherë nënkuptonte të qenit i barabartë me perandoritë britanike dhe ruse në "lojën e tyre të madhe strategjike", ku fituesi do ta kontrollonte Afganistanin dhe Indinë veriore. Alternativa - politika e fuqisë në të cilën ishte kyçur Bismarck - ishte "e mjerë", meqë bazohej te fragmentimi dhe dezintegrimi evropian. Nietzsche mendoi shumë rreth asaj sesi mund të duket kjo politikë e re e tij, duke spekuluar se një rritje e rrezikut nga Rusia, mund ta shpejtonte unifikimin. Ai po ashtu besonte se Evropa kontinentale do ta gjente një gjuhë të përbashkët me Britaninë, kolonitë e së cilës ishin partnerë të rëndësishëm tregtarë për Evropën. Detajet mund të jenë të ndryshme, por shumë nga çështjet esenciale - nga rreziku që vjen nga Rusia, e deri te përfitimet strategjike nga integrimi evropian - kanë mbetur të njëjta. Sa i përket Britanisë, edhe pse ajo më nuk është perandori, ajo mbetet tepër e angazhuar dhe e rëndësishme për ekonominë evropiane. Dhe, edhe pse Nietzsche mund të mos e kishte parashikuar nivelin e integrimit midis Britanisë dhe Evropës kontinentale, ai e kishte tërhequr vërejtjen ndaj fragmentimit të njëjtë të cilin referendumi britanik rrezikon ta sjellë. Një pjesë e madhe e debatit rreth Brexit-it ka pak të bëjë me idetë e Nietzsche's. Por, derisa çështjet politike, ekonomike dhe sociale të të dyja anëve shpesh udhëhiqen nga frika, duket se ai debat do të përfitonte nga një thellësi më e madhe filozofike. Me idetë e Nietzche's në mendje, votuesit britanikë mund ta kuptojnë se pyetja konkrete në të cilën duhet të përgjigjen më 23 qershor, është a ta përqafojnë politikën e mjerë të përçarjes, apo politikën madhështore dhe fisnike të unifikimit. (Hugo Drochon ligjëron politikën në Universitetin e Kembrixhit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"