Me politikanë të pabesë nuk bëhet shteti

Me politikanë të pabesë nuk bëhet shteti
  • 27 September 2016 - 08:07

Shkruan: Sali Hasani

Politikëbërja shqiptare

"... Kisha lexuar për ju që jeni popull i besës, mirëpo kjo ka ndodhur në historinë e largët, apo e kanë shqiptarët që ende nuk i kam njohur. Mirëpo, politikanët nuk ka si të bëhen më të pabesë"- Ambasadori Donald Lu

Institucioni i besës është një virtyt dhe bujari e popullit shqiptar e të cilit institucion i janë kushtuar shkrime dhe studime të ndryshme, si dhe këngë folklorike në odat tona me të cilat është motivuar dhe edukuar ky popull dhe ushqyer shpirtërisht. Sami Frashëri është një ndër autorët e parë të Rilindjes Kombëtare, i cili e shkroi dramën e parë në gjuhën turke, por me subjekt shqiptar, e cila dramë si subjekt trajtimi e ka dashurinë e dy të rinjve, Rexhepi, i cili e dashuron Mirushën, por me këtë dashuri të tyre nuk pajtohet Demir Beu për ta martuar vajzën me Selfon të birin e Fetahut. Mirëpo, kjo dashuri nuk mund të realizohet, kurse Fetahu e vret të birin për besën e dhënë, edhe pse kishin kaluar 20 vjet për pa e parë të birin. Institucioni i besës trajtohet edhe në dramën e aktorit të madh, Ndrek Lucajt "Shtatë Shaljanët". I dërguari i Perandorisë kishte kërkuar nga shaljanët për t'i bindur që t'i dërgojnë ushtarë Perandorisë, takim ky i cili kishte ndodhur në Kala të Shkodrës, por ata nuk binden në asnjë mënyrë dhe në fund fillon lufta, kurse Deli Pjetra arrin të largohet nga Kalaja me ndihmën e një ushtari, i cili edhe vjen në Shalë, por të cilin nuk e pret mirë as e ëma e tij, duke e qortuar "Pse ke ardhur, ku i ke lënë shokët, unë për ty i prefsha flokët"! Me pak fjalë nëna shqiptare, më me krenari e sheh të birin të vdekur se sa ai t'i presë në besë shokët. Në këngën popullore "Hysen Bajri" rapsodi popullor i këndon besës së dhënë shqiptare, sepse Hysen Bajri nuk i qan plagët e veta, edhe sepse gojën e kishte të mbushur plot me gjak, por arrin të japë amanetin e fundit: "Hysen Bajri fjalë ka que, kjajmi shokët ma shumë se mue, kjajma Smajlin e kjajma Zekën, qysh nuk ikën me më lanë vetëm, bashkë me mue e kanë ba dekën". Si duket, Ambasadori Amerikan, Donald Lu ka pasur njohuri edhe para se të vinte në Shqipëri, për kulturën, traditën dhe zakonet shqiptare, por në praktikë ka vërejtur diçka krejt tjetër, prandaj është befasuar. Po i citoj vetëm disa fjali të tij: "Nuk kisha parë njerëz më të verbër në besimin ndaj të huajve. Por pastaj, kur pashë se ata që iu drejtojnë apo merren me politikë tek ju, janë më të pashpirt se çdo dashakeq ndaj jush, e kuptova pse na shikoni në dritë të syrit. Kisha lexuar për ju që jeni popull i besës, mirëpo kjo ka ndodhur në historinë e largët, apo e kanë shqiptarët që ende nuk i kam njohur. Mirëpo, politikanët nuk ka si të bëhen më të pabesë". Për këtë fenomen të pabesisë së politikanëve shqiptarë, ambasadori Lu e ka mbushur plot një faqe (po e përsëris edhe njëherë të politikanëve shqiptarë). A ka diçka më fyese dhe më të rëndë se kjo e vërtetë që e thotë ambasadori, jo vetëm për politikanët, por edhe për një popull në tërësi. Mirëpo, "mal pa derra nuk ka", thotë populli. Edhe në të kaluarën, që nga Mbretëresha Teutë dhe Skënderbeu, kemi pasur pabesi. A e tradhtoi Skënderbeun kushëriri i tij, Hamza Kastrioti, në betejën brilante të Albulenës, më 2 shtator 1457? Hamza Kastrioti ishte rreshtuar në ushtrinë osmane, por përfundoi me turp dhe si lypës nëpër qytetet e Venedikut.

Fajtorë jeni gjithë ditën

Unë në këtë shkrim do t'i përmend shkurtimisht vetëm disa pabesi të shumta të politikanëve dhe deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës. Po filloj nga i pari, kryetari i Kosovës. A iu drejtua deputetja Meli ish-kryeministrit dhe kryetarit të Kosovës, me fjalët: "Pse nuk po i tregon popullit çka ke nënshkruar për Mitrovicën e Veriut", "Kush i vrau veprimtarët e LDK-së pas luftës", "Pse nuk zbulohen vrasësit"? Tërmkolli iu drejtua disa herë kryetarit të Kuvendit: "Shqiptoma emrin ashtu si duhet, sepse gabim e paska shkruar SHIK-u"? Tash Meli e ka ulur kokën dhe rri sikur macja nën sofër dhe pret mos po ia gjuan ndokush ndonjë asht. Çka është nënshkruar për Mitrovicën e Veriut, u mbetet ta analizojnë lexuesit dhe të thonë se a i përngjan kjo të bëmave të Hamza Kastriotit? Meli, të cilës nuk po i përmendi emrin, po bashkëjeton mirë me ata që i paskan vrarë veprimtarët e LDKsë, shokët dhe shoqet e saj. Ishkrye faqeziu, pa asnjë pikë të bardhë, në ekzil, me një mbiemër kinez, ia ndali paratë edhe ishPresidentit të ndjerë, kurse 50 milionë apo 500, nuk e kam shumë të qartë, i paska dërguar në një bankë në Beograd, kurse disa milionë ia paska ndarë të vëllait të Hashim Thaçit. Një zyrtar i lartë i Policisë së Serbisë deklaron para televizionit se ne i kemi pasur 30 mijë bashkëpunëtorë në Kosovë dhe në mesin e tyre edhe Bujar Bukoshin!!! A është ky më faqezi se Hamza Kastrioti, le të përgjigjen lexuesit? Po ky kokë derr kurrë nuk kërkoi përgjegjësi për vrasjen e Ministrit të tij luftës, Ahmet Krasniqi. E plaçkiti 3% dhe nuk la të zezë pa i bërë Kosovës. Çka të themi për kryeministrin e tashëm? Është thënë dhe po thuhet çdo ditë, por duhet pyetur LDK-në se a u ngope kryeministër, sepse ke qenë zemërgjerë, sepse dy herë i ke fituar zgjedhjet, kryeministrinë ia ke lënë partive të tjera. Ja tash e zgjodhe kryeministrin, së pari kryetarin e partisë në sallë të barrikaduar me policë, pastaj një hipokrit e bëtë kryeministër dhe tash po shkëlqen Kosova. Fatmir Sejdiut vetëm duhet thënë se mirë ia bëre gropën Nexhat Dacit, pastaj vetë ra në një gropë më të madhe dhe përfundoi karriera jote si është më keq. Po të ishit marrë vesh, ende do të ishit në pushtet. Nuk mund ta lë për pa e përmendur ish-ministrin e Drejtësisë, prej ku hoqi dorë dhe u bë "zemërgjerë" dhe mbeti vetëm zv/kryeministër. Po me këtë njeri duhet të merren psikologët më eminentë të botës, sepse ky i përngjan atij këlyshit apo urithit të nëntokës, i cili tërë bereqetin ta merr e të lë pa patate, qep dhe perime të tjera dhe kurrë nuk mund e sheh, por e sheh vetëm dëmin që bën. Kurrë goja e tij nuk e tha një fjalë për korrupsion, as temën më problematike, vijën kufitare me Malin e Zi. Puna e tij është të vrapojë fakultet më fakultet dhe ta ketë një pozitë të lartë dhe të duket se është si një robot i pandjenja. A nuk është gjen i Hamzë Kastriotit, Ismet Beqiri që betohet para popullit në sallë të Kuvendit dhe e mbajti për tre muaj peng Kuvendin, duke deklaruar se nuk do të bëjmë koalicion me partinë e krimit - PDK-në. A është kjo vepër e Hamzë Kastriotit? Zonja Gaxherri, më 13 prill, në shtypin ditor ka thënë se Kadri Veseli duhet të japë përgjigje për vrasjet e pasluftës, kurse më pas deklaronte se nuk është thyer Kushtetuta në 23 nene, në rastin e Bashkësisë së komunave serbe. Pse po hesht tash oj "bija" vetëm e babës tënd dhe aspak e Kosovës? Mos po mendon se edhe një mandat do të jesh deputete, mos shpreso se kësaj pune i ka vdekur baba dhe nëna, sepse populli nuk ha bar, ndoshta krunde të Devollëve po, por mashtrohet si çdo herë. Ti Alia Sadria i Shtimes, pse more burrë e le brazën në gjysmë të arës? Nuk lihet braza në gjysmë, sepse duhet lëvruar arën skaj më skaj. Sa ishe në QKUK, para këtij populli tregove sa sipërfaqe tokë është tjetërsuar që nga viti 1968 e deri më tash dhe për këto deklarata të guximshme, punëtorët të shtruan tepih të kuq dhe të priten me kënaqësi. Krua i mirë është ai që ka ujë në temperatura të larta, kurse trim i mirë është ai që tregohet i tillë në ditë të vështira. Mirëpo, nuk ke faj, ndoshta t'i kanë shtrënguar pak ato në mes të këmbëve e aty është vendi i keq dhe nuk ndihesh më mashkull dhe nuk guxon ta thuash asnjë fjalë.

Nobeli i Dedës për Qeverinë

Nuk e di ku është tretur dhe në çka është shndërruar ky Gjergj Dedaj, i cili sa ishte në pushtet, pati deklaruar se po të kishte çmim Nobel për qeverisje të mirë, do ta kishte fituar Qeveria e Hashim Thaçit. Por sa u shkarkua nga posti i zv/kryeministrit, i hëngër fjalët e veta dhe tha: "Aktualisht, kryeministri nuk është në vend, por posa të kthehet do të shokohet se çka do të deklaroj". Mirëpo, të mjerit Alushit të Hasanit të Filip Shirokës ia ngrehën veshin dhe më nuk iu dëgjua zëri dhe nuk do t'i dëgjohet kurrë. Më datë 19.9.2016, Naim Miftari, pjesëtar i SHIK-ut e pyet komandant Remin, pas vrasjes së Zahir Pajazitit: "A ishit i zënë me Pallatin e Rinisë derisa e dogjët, duke i bërë për vete fabrikat, hotelet, pompat e benzinës, stadiumet, kioskat apo ishit duke vrarë arkitekt"? Prokuroria po kërkon dëshmitar. E pyes Prokurorinë se çka do të thotë kjo fjala e fundit "apo ishit duke vrarë arkitekt". Sa arkitektë janë vrarë në Kosovë? Unë e di që një dhe ai është Rexhep Luci. Nuk është vrarë asnjë gjykatës dhe prokuror dhe nuk dëshiroj që të ketë vrasje të këtilla, por prokuroria dhe gjyqësia nuk duhet t`i mbyllin lehtë dosjet e krimit, duke thënë "kanë pushuar hetimet, sepse nuk ka elemente për ndjekje penale". Albin Kurti, e mori një pyetje nga Florim Rrudhani: "A është e vërtetë se gruaja juaj është bija e Zoran Sokoloviqit "? Albinit i mbetët që të përgjigjet, ta pohojë ose ta mohojë këtë. Nëse hesht, atëherë nuk i mbetet të merret me politikë përderisa të ketë frymë. Shpresoj që në burg të të mos kesh shkuar për t`u martuar. Ka kaluar koha e vëllazërimbashkimit. Kosova ka vajza dhe në përgjithësi femra të shkolluara të të gjitha profileve. Nëse është e vërtetë kjo, ti je Hamzë Kastrioti i radhës, sepse ndoshta baballëku Zoran po të mëson që të bëhet edhe një luftë në Kosovë. Dëshiroj që të mos jesh Hamëz Kostriot! Sadri Ferati çdo ditë le të dalë në ekran, sepse nuk ka linguist të gjuhës shqipe që ia deshifron fjalët dhe fjalitë e tij. Thënia më e shpeshtë e Kadri Veselit është "krejt çka të keni, i dërgoni në Prokurori", por kjo do të thotë "dërgoj mbeturinat para dyerve, për t'i marrë kamioni dhe për ta dërguar në deponi të mbeturinave, sepse prokuroritë tona janë shndërruar në deponi të tilla. Ambasadorja Amerikane na e tregoi si ia kemi bërë punës, por nuk pastrohet prapanica dhe i tërë trupi i zhytur në qenef me një ibrik ujë. Për të mjerin Adem Grobarin dhe disa të tjerë, duhet thënë se ky e ofendoi rëndë deputetin e kombësisë rome Paçakun, por për këtë do të flasim tjetër herë, sepse familja e tij ishte në dert të madh. Se sa të pashpirt dhe të pabesë janë këta politikanë dhe udhëheqës, ashtu si u shpreh Ambasadori Lu, u pa edhe nga deklaratat e Ferid Aganit. Në shëndetësinë ku ai ka qenë ministër, me këtë popull janë bërë eksperimente sikur me qentë e me macet, por ky farë roboti, pa fije turpi, nuk e konsideron veten fajtor. Kështu është e mjerë Kosova ashtu siç janë politikanët të pabesë dhe pa shpirt dhe shkrimin po e përfundoj me dëshirë që kurrë mos të liberalizohen vizat derisa të jetë në pushtet kjo kastë politike, sepse për 3 muaj Kosova do të mbetet vetëm me pleq dhe plaka.

(Kosova Sot)