< Theresa May dhe "shtetasit e askujt" - Opinione - Kosova Sot
Theresa May dhe "shtetasit e askujt"

Theresa May dhe "shtetasit e askujt"

Shkruan: Jan Werner Mueller

Kryeministrja britanike, sipas vullnetit të saj, ia hoqi Partisë së saj konservatore shumicën qeverisëse parlamentare, duke caktuar zgjedhje të parakohshme. Nëse ajo vazhdon që ta ushtrojë postin e kryeministrit, ajo edhe qytetarëve do t'ua heqë të drejtat politike dhe ekonomike, të cilat i kishin si pjesëtarë të BE-së. Por, shprehia e Mayit që t'ua marrë njerëzve të drejtat, nuk është e re: me vite të tëra ajo ka ushtruar praktikën e heqjes së britanikëve, bile edhe të drejtën e nënshtetësisë, qoftë edhe duke rrezikuar që ata njerëz të mbeteshin pa nënshtetësi, 'shtetas të askujt'.

Luftimi i terrorizmit

Gjatë kampanjës së zgjedhjeve të fundit në Britani, May premtoi se do t'i ndryshonte, apo shfuqizonte çdo ligj të të drejtave të njeriut, që do t'i dilte në rrugë për luftimin e terrorizmit. Ky është një kërcënim i besueshëm: vetë May ka qenë pioniere e politikës së marrjes së shtetë- sisë për disa shtetas të caktuar, kryesisht në emër të mbrojtjes së sigurisë kombëtare, por në disa raste edhe si shenjë e ndëshkimit simbolik. Marrja e shtetësisë paraqet një veprim amoral dhe, jo efikas. Dhe, ky veprim e ka një histori të errët. Gjatë shekullit XX, shtetet totalitare kishin vënë rekorde në këtë aktivitet: vetëm në BRSS pa nënshtetësi kishin ngelur 1.5 milion njerëz. Por, kjo praktikë nuk ishte kufizuar vetëm te regjimet jodemokratike. Sikur që ka treguar tash vonë shkencëtari Patrick Weil, ligjet e miratuara në SHBA në fillim të shekullit XX kishin çuar deri te rreth 140,000 raste të marrjes së shtetësisë. Zyrtarisht, ligjet në fjalë ishin bërë për ta parandaluar marrjen e nënshtetësisë me anë të mashtrimeve; por, në praktikë, ato janë përdorur edhe për ta imponuar besnikërinë ndaj shtetit. Para Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, ishin të paktë ata që shqetësoheshin rreth faktit që denacionalizimi i linte njerëzit pa shtet dhe pa atë që Hannah Arendt e quajti "të drejtën që të kenë të drejta". Por, pas vitit 1945, u krijuan mekanizma të reja ndërkombëtare për ta eliminuar të qenit pa shtet. Por, përkundër kësaj, thirrjet për marrjen e nënshtetësisë kanë filluar që të dëgjohen viteve të fundit në tërë Perëndimin, meqë shumë politikanë e shohin atë si mjet efikas për luftimin e terrorizmit. Megjithatë, deri më tani asnjë shtet nuk ka shkuar më larg sesa Britania në bërjen e denacionalizimit si masë rutine kundërterroriste. Sipas Weilit, midis viteve 2006 dhe 2015, Zyra e sekretarit të Brendshëm britanik, ua mori shtetësinë 53 shtetasve britanikë, ku të paktën dy prej tyre, më pas u vranë nga sulmet amerikane me drona. Tani, Britania ka një prag shumë të ulët për rimarrjen e shtetësisë. Sekretari i Brendshëm mund të jetë i kënaqur që një gjë e tillë është bërë për të mirën e popullit. Kur May ishte sekretare e Brendshme, midis viteve 2010 - 2016, ajo zakonisht ua merrte shtetësinë njerëzve derisa nuk ishin në vend, pa ua mundësuar atyre që të ankoheshin ndaj këtij vendimi. Për të qenë të sigurt, politikat e denacionalizimit kanë qenë të popullarizuara; bile edhe reforma kushtetuese e propozuar nga Hollande ishte mbështetur nga 80% të francezëve, në një moment. Por, mu për këtë shkak ndëshkimi duhet të jetë çështje e sistemit penal të drejtësisë, gjë që garanton procese të drejta. Marrja e shtetësisë "shtetasve të dështuar" të cilët kanë bërë vepra terroriste, po ashtu është i papërshtatshëm qoftë edhe vetëm si akt simbolik.

Kufizimi i të drejtave individuale 

Marrja e shtetësisë po ashtu nuk është aspak praktike. Në vend të marrjes së përgjegjësisë për shtetasit e vet, duke i ndëshkuar qytetarët për krimet e tyre, vendet sikur Britania janë duke i hedhur personat potencialisht të rrezikshëm në "oborrin" e shteteve të tjera. Kjo nuk dmth se vendet nuk duhet t'i kufizojnë asnjëherë të drejtat individuale në ndjekje të një strategjie kundërterroriste. Por, masat e tjera, sikur konfiskimi i pasaportës, janë më efektive sesa marrja e shtetësisë. Metoda e fundit mund të sjellë kënaqësi emocionale, por ajo ka një kosto të lartë. Marrja e shtetësisë rrezikon tërë konceptin e shtetësisë, duke e paraqitur atë si privilegj, i cili mund të të merret pa një proces adekuat. Përkundër qasjes të ashpër kundër terrorizmit, SHBA-ja, sikur Franca dhe Gjermania, deri tani i është përmbajtur diktatit të ish- shefit të Gjykatës Supreme, Warren Burger, se "shtetësia nuk është një licencë së cilës i del afati për shkak të sjelljes së keqe". Përkundër asaj që Trump gjatë fushatës ka thënë se, kushdo që ia vë flakën flamurit amerikan, do të dënohet me 1 vit burg, apo edhe me marrje të shtetësisë, nuk ka të ngjarë që ai ta realizojë këtë premtim. Përkundër kësaj, Trump mund të shikojë me admirim kah Britania, nëse May dhe të tjerët vazhdojnë ta mprehin dhe bëjnë normale qasjen autoritare të qeverisë. (Jan-Werner Mueller është profesor i politikës në Universitetin Princeton) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot) 

2 orë e 38 minuta më parë