Demokracia pa moral dhe pa disiplinë ligjore rrëshqet e bie në krim - Opinione - Kosova Sot
Demokracia pa moral dhe pa disiplinë ligjore rrëshqet e bie në krim

Demokracia pa moral dhe pa disiplinë ligjore rrëshqet e bie në krim

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Njerëzorja është moral dhe jashtë moralit nuk ka njerëzore. Ligji vjen prej moralit dhe pa disiplinë ligjore shoqëria bie në anarki, dhe anarkia është gjendja më e rëndë ku bie shoqëria. Nëse do të zbatoheshin parimet e moralit ,URDHËRESAT dhe Ligjet e Shtetit në Shqipëri dhe Kosovë, nuk do të kishim kriminalizim dhe korrupsion të politikës, të drejtësisë dhe të shoqërisë dhe pra, as të demokracisë. Aty ku shkelen parimet e moralit sundon padrejtësia dhe frika, dhe aty ku sundon frika vritet demokracia. Shqiptarët po vuajnë edhe në këtë demokraci, dhe këto vuajtje atyre u vijnë prej korrupsionit dhe prej krimit "demokratik".Kriminalizimi demokracisë i vjen prej kriminalizimit të politikës dhe prej kapitalizmit kriminal politiko-mafioz i cili quhet dhe maskohet si "biznes". Përmendja që u bën politika shqiptare moralit, ligjit, drejtësisë, patriotizmit dhe demokracisë bëhen vetëm sa për të fituar betejën për pushtetin në shërbim të egoizmit negativ, tinëzar e të pabesë,ku pas interesave të popullit fshihet qëllimi dhe interesi personal gjë e cila përbën krim të rëndë politik. Në Shqipëri dhe në Kosovë duke gjykuar mbi realitetin demokratik dështak; duke peshuar dhe krahasuar idealen demokratike të premtuar me realitetin kokëfortë dhe bindës i cili nuk përputhet aspak me idealizmin nuk është vështirë për të konkluduar në atë se çfarë po argumentoj me titullin e këtij shkrimi se: demokracia pa moral dhe pa disiplinë është krim, dhe shembulli kësaj janë demokracia në Shqipëri dhe Kosovë.

Mashtrimet, gënjeshtrat dhe hipokrizitë

Demokracia shqiptare është luftë e egër për pushtet, duke përdorur të gjitha mjetet, dhe çdo mjet i përdorur justifikohet se ai është i pranueshëm sepse i shërben arritjes së qëllimit, marrjen apo edhe ruajtjes së pushtetit pavarësisht kostos së rëndë mbi popullin për të cilin pseudodemokracia shqiptare mashtron duke reklamuar se për popullin ajo punon dhe se me demokracinë populli qeveris. Për sa u përket mashtrimeve, gënjeshtrave dhe hipokrizisë, pra premtimeve për të gënjyer dhe mashtruar politika e demokracisë shqiptare ia ka kaluar edhe ideologjisë së diktaturës. Vjedhja e votës , manipulimi e rezultatit të zgjedhjeve si dhe shitblerja dhe trafikimi jo vetëm i votës qytetare por edhe të votës parlamentare, pra matrapazllëku i ulët i kryetarëve të partive dhe i deputetëve, është krim, i cili quhet krim dhe tradhti elektorale dhe politike, prej të cilit vjen pushteti me vota të vjedhura, të manipuluara dhe të blera, dhe për pasojë pushteti i tillë është në esencë pushtet i kriminalizuar. Kriminalizimi i politikës dhe i pushtetit si realizim bën të mundur kriminalizimin edhe të demokracisë, korruptimin e saj dhe të shoqërisë. Demokracia kriminalizohet kur demoralizohet morali dhe kur deligjitimohet ligji. Demokracia kriminalizohet prej kapitalizmit grabitqar dhe kriminal. Kur partitë politike kanë një kulturë të tillë "demokratike", atëherë konkurrojnë lirisht dhe madje janë të favorizuar dhe të përzgjedhur për të kandiduar individë injorante, të papërgjegjshëm, shpirtlig, antikombëtarë dhe me rekorde kriminale. Demokracia e tillë e dominuar nga një politikë e tillë është një demokraci e kriminalizuar prej politikanëve dhe prej pushtetarëve të cilët korruptojnë, vjedhin,grabisin dhe nuk ndëshkohen.

Bëjnë ç'të duan me ligjin

Demokracia praktike shqiptare e cila parimet demokratike i përdor për demagogji, ku së pari asaj i mungon tërësisht disiplina demokratike, pasi politika dhe pushteti në Shqipëri dhe në Kosovë u kanë dhënë të drejtën absolute vetes së tyre për të bërë ç'të duan me ligjin, me pushtetin e shoqërinë. I kanë dhënë vetes të drejtën për të urdhëruar dhe për të bërë vetëgjyqësinë; përderisa politika dhe pushteti në Shqipëri dhe në Kosovë nuk përgjigjen para ligjit as para drejtësisë për korrupsionin, hajninë, vjedhjet dhe abuzimit me pushtetin duke qenë edhe të paturp,arrogantë dhe të papërgjegjshëm, sepse nuk kanë frikë nga ndëshkimi, as nga ligji dhe as nga llogaridhënia para elektoratit të tyre. Ata e kanë kriminalizuar kështu demokracinë, dhe demokracia reale në Shqipëri e Kosovë është thjesht pushtet kriminal i regjimit politik. Nëse Demokracia s'ka moral, dhe nëse ligjin e shkel , nuk e zbaton dhe ,nuk e respekton pushteti dhe politika atëherë ku është ndryshimi mes kësaj demokracie dhe regjimit politik autoritarist, diktatorial dhe antihuman?

(Kosova Sot)

11 orë e 25 minuta më parë
25/05/18