Le t'ua marrim pushtetin miliarderëve - Opinione - Kosova Sot
Le t

Le t'ua marrim pushtetin miliarderėve

QINDRA MILIONË NJERËZ JETOJNË NË KUSHTE TË MJERUESHME

Bota po sheh një rritje alarmuese të ekstremizmit autoritar të djathtë

Shkruan: Bernie Sanders

Ja ku është bota në vitin 2018: pas të gjitha luftërave, revolucioneve dhe samiteve ndërkombëtare të 100 vjetëve të fundit, sot jetojmë në një botë ku vetëm një pjesë e vogël njerëzish shumë të pasur, kanë nën një kontroll disproporcional ekonominë dhe politikën në shkallë botërore. Fakti është se 6 njerëzit më të pasur në botë zotërojnë më shumë pasuri se gjysma e popullsisë së botës - 3.7 miliardë njerëz. Më tej, 1% e popullsisë kanë sot më shumë para se 99% tjetër. Ndërkohë që miliarderët gëzojnë luksin, një në shtatë persona mundohen të mbijetojnë me më pak se 1.25 dollarë në ditë dhe rreth 29,000 fëmijë vdesin çdo ditë prej shkaqeve të parandalueshme si diareja, malaria dhe pneumonia. Në të njejtën kohë, në çdo cep të globit, elitat e korruptuara, oligarkët dhe monarkitë e vjetëruara shpenzojnë miliarda në ekstravaganca nga më absurdet. Sulltani i Bruneit zotëron 500 vetura Rolls-Royce dhe jeton në një nga pallatet mbretërore më të mëdha në botë me 1788 dhoma, që arrin vlerën prej 350 milionë dollarësh. Në Lindjen e Mesme, ku ndodhen 5 nga 10 monarkët më të pasur në botë, të rinjtë e familjeve mbretërore shëtisin me avionet e tyre privatë, ndërkohë që rajoni vuan nga shkalla më e lartë e papunësisë në botë dhe të paktën 29 milionë fëmijë jetojnë në varfëri në mungesë të ujit apo ushimit të shëndetshëm. Ndërsa qindra milionë njerëz jetojnë në kushte të mjerueshme, tregëtarët e armëve po pasurohen gjithmonë e më shumë, teksa qeveritë në mbarë botën po shpenzojnë triliona dollarë për armë

Pakica e privilegjuar

Në SHBA, Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe aktualisht njeriu më i pasur në botë, ka një total të ardhurash prej më shumë se 100 miliardë dollarësh. Ai zotëron katër shtëpi luksoze që kapin vlera dhjetra miliona dollarëshe. Sikur të mos mjaftote kjo, ai po shpenzon 42 milionë në ndërtimin e një ore brenda një mali në Teksas që supozohet se do të punojë për 10 000 vjet. Por në magazinat e Amazon kudo në vend, punonjësit e tij shpesh punojnë orë të zgjatura dhe paguhen aq pak sa mbështeten në "Medicaid", bonot ushqimore dhe strehim publik në kurriz të taksapaguesve amerikanë. Jo vetëm kaq, por në një kohë pabarazie të madhe, njerëzit rrotull botës po e humbasin besimin tek demokracia - qeveria nga populli, për popullin dhe e popullit. Ata po kuptojnë gjithmonë e më shumë se ekonomia botërore është manipuluar për t'i shërbyer njerëzve në majë, në kurriz të gjithë të tjerëve dhe njerëzit janë të zemëruar. Miliona njerëz po punojnë orare të zgjatura për paga më të ulëta se 40 vjet më parë. Ata shohin një pakicë të privilegjuar që vendos për fatin politik dhe një elitë që pasurohet më tej, teksa e ardhmja e fëmijëve të tyre duket më e zymtë. Në mes të këtij disproporcioni ekonomik, bota po sheh një rritje alarmuese të ekstremizmit autoritar të djathtë i cili ushqehet, shfrytëzohet dhe rritet nga zemërimi i atyre që kanë mbetur pas. Në vend të urrejtjes dhe ndasisë, duhet të ofrojmë mesazhin e shpresës dhe solidaritetit. A do të jetë kjo e lehtëë Sigurisht që jo, por është një betejë që s'mund të evitohet. Siç është shprehur Papa Françesku, në një prej fjalimeve në vitin 2013: "Kemi krijuar idhuj të rinj. Adhurimi i vicit të artë nga lashtësia ka ardhur me një imazh të ri, tek kulti i parasë dhe diktatura e një ekonomie të pafytyrë dhe që i mungon qëllimi i vërtetë human." Ai vazhdon: "Sot gjithcka bëhet sipas rregullave të konkurencës dhe mbijetesës së më të fortit, ku i fuqishmi ha në kurriz të të dobëtit. Për pasojë, shumë njerëz e gjejnë veten të përjashtuar dhe margjinalizuar: pa punë, pa të ardhme, pa asnjë rrugëdalje." Një lëvizje e re botërorë përparimtare duhet të ketë për synim pabarazinë strukturore midis dhe brenda shtetit. Një lëvizje e tillë duhet të ngrihet më lart se mentaliteti i "kultit të parasë" dhe "mbijetesës së më të fortit". Duhet të mbështesë politikat kombëtare dhe ndërkombëtare që synojnë të rrisin standardet e jetesës për të varfërit dhe të klasës punëtore - nga punësim i plotë dhe pagat e denja deri tek arsimi i lartë, shëndetësia dhe marrëveshjet e tregëtisë së lirë. Gjithashtu duhet të frenojmë fuqinë e korporatave dhe të parandalojmë shkatërrimin e planetit për shkak të ndryshimit të klimës.

Eliminimi i taksave

Po jap një shembull, se çfarë duhet të bëjmë. Vetëm pak vite më parë, "Rrjeti i Drejtësisë Tatimore" llogariti se individët dhe korporatat më të pasura në botë, kanë fshehur të paktën 21-32 trilionë dollarë në parajsa fiskale me qëllim shmangien e taksave. Nëse punojmë së bashku për të eleminuar abuzimin me taksat, me të ardhurat që mund të gjenerohen mund t'i jepet fund urisë në botë, mund të krijohen qindra miliona vende pune dhe të pakësohet ndjeshëm pabarazia ekonomike. Mund të përdoret për të përmirësuar agrikulturën e qëndrueshme dhe të përshpejtojë transformimin e sistemit energjetik drejt energjisë së rinovueshme. Dhënia fund e lakmisë së Wall Street, korporatave të mëdha multinacionale dhe influencës se klasës së miliarderëve, nuk është vetëm një domosdoshmëri morale por një strategji gjeopolitike e rëndësishme. Puna kërkimore nga programi i zhvillimit të OKB-së, tregon se percetimi i qytetarëve për pabarazinë dhe korrupsionin janë parashikuesit më të saktë për të përcaktuar nëse komunitetet do të mbështesin ekstremizmin e djathtë. Kur njerëzit ndjejnë se nuk kanë asnjë rrugëdalje, kanë më shumë gjasa të mbështesin zgjidhje të dëmshme, që vetëm e përkeqë- sojnë problemin. Ky është një moment kritik në historinë botërore. Me shpërthimin e teknologjisë dhe përparimet që ajo ka sjellë, ne kemi mundësinë të shpërndajmë pasurinë në mënyrë të drejtë. Mjetet janë në dispozicionin tonë për ta eliminuar varfërinë, rritur jetëgjatësinë dhe për të krijuar një sistem energjetik efikas. Kjo është ajo që mund të bëjmë, nëse kemi kurajon për të qëndruar bashkë dhe për të sfiduar interesat e lakmitarëve që duan gjithçka për vete. Kjo është ajo që duhet të bëjmë për hatër të fëmijëve, nipërve dhe të ardhmen e planetit tonë.

(Bernie Sanders është senator amerikan nga Vermonti)

(Kosova Sot)

2 orë e 27 minuta më parë
25/02/18