Adem Demaçi i të gjithë shqiptarëve - Opinione - Kosova Sot
Adem Demaēi i tė gjithė shqiptarėve

Adem Demaēi i tė gjithė shqiptarėve

Libri "Mendime të zgjedhura për Adem Demaçin" i autorit Selatin Novosella (2)

SHKRUAN: SELATIN NOVOSELLA

Fillimisht e kisha konceptuar këtë shkrim si libër, ku do të prezantoheshin vetëm mendimet e të tjerëve për Adem Demaçin. I bindur se të gjitha këto mendime dhe vlerësime për Demaçin nuk do të mund ta paraqesin në plotëni figurën unike të tij, vendosa që t'i prezantoj edhe disa mendime të Demaçit për ngjarje dhe procese politike, si dhe për disa personalitete të shquara. Në fund të librit prezantohen edhe shpërblimet, çmimet, dekoratat, mirënjohjet dhe falënderimet e ndara për Adem Demaçin nga institucione të ndryshme shtetërore, qeveritare, shkencore, kulturore, të shoqatave joqeveritare, komunave të ndryshme etj. Të gjitha këto do të prezantohen kronologjikisht, e jo sipas rëndësisë dhe peshës që kanë këto shpërblime për Demaçin. Po të shprehesha me fjalorin e piktorit, do të thosha se, duke i grumbulluar në një vend këto mendime të zgjedhura për Demaçin, kam synuar ta japim, të gjithë së bashku, portretin e Demaçit duke e plotësuar secili, veç e veç, nga një katror të mozaikut të portretit të tij. Ndërsa, po të shprehesha me fjalorin e kompozitorit, do të thosha se me këto mendime kam synuar që ta këndojmë një këngë polifonike, secili me zërin e tij, një këngë të veçantë që do të mund t'i kushtohej vetëm njeriut të rrallë, atdhetarit unikat, humanistit shembullor, shkrimtarit të njohur, Heroit të Kosovës dhe Nderit të Kombit - Adem Demaçit. Nëse kam arritur, qoftë edhe pjesërisht, që ta bëj një punë të tillë, shumë të vogël, do të ndihesha mirë. 

MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN

1. Abdyl Kadolli: (Shkrimtar): Romani i Adem Demaçit "Libër për Vetë Mohimin" - roman postmodern dhe dramë intelektuale Romani i Adem Demaçit "Libër për Vetë Mohimin" është romani më kompleks i opusit të tij krijues, ku janë shtresuar shumë procedime të tij artistike. Është një sprovë e poetikës së romanit postmodern me dramën intelektuale të ideve filozofike, ndjeshmërisë metafizike e vizioneve fantastike.

2. Abdullah Zeneli: (Shkrimtar) Adem Demaçi, me romanin e tij "Gjarpinjtë e gjakut", na del si shkrimtar i formuar Të rrallë janë shkrimtarët botërorë, ata më të përmendurit, që ia kanë dalë që në provën e parë të llojit më të vështirë, romanit, të dalin të suksesshëm, që të mos them edhe të formuar, si na paraqitet Adem Demaçi me romanin e tij "Gjarpinjtë e gjakut".

3. Adem Zejnullahu: (Punëtor Shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës) Adem Demaçi zgjodhi rrugën pa alternativë Të dhënat jetësore e historike dëshmojnë fuqishëm se kapiten i mirë i anijes është ai që di ta drejtojë anijen edhe në fortunë. Adem Demaçi, gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij kombëtare e letrare, e pati parasysh këtë parim, ndaj me kohë u përcaktua për veprim dhe qëndresë në rrugën pa alternativë tjetër. Adil Pireva: (Njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1968) Adem Demaçi - idol i brezave të atdhetarëve Edhe sot më rri parasysh pamja kur Adem Demaçi, në vitin 1964, kur ngjitej shkallëve të ndërtesës së Gjykatës së Qarkut në Prishtinë dhe kur dilte në krye të tyre, pa lejen e policëve, kthehej dhunshëm dhe i ngriste lart duart e lidhura me pranga dhe përshëndeste, kështu, masën e tubuar aty.

4. Albin Kurti: (Përkthyes në Zyrën e Adem Demaçit si Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së) Adem Demaçi ishte për ballafaqimin në Rambuje të UÇK-së dhe Ushtrisë Jugosllave Adem Demaçi është dakord për të shkuar delegacioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rambuje. Ndërkaq, mosshkuarja e tij në Rambuje ka pasur për qëllim ballafaqimin e drejtpërdrejtë të palëve që bëjnë luftë në Kosovë, pra të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të Ushtrisë Jugosllave, siç ka ndodhur gjithherë në historinë e palëve ndërluftuese. Nuk mund të jenë palë e një Marrëveshjeje ata të cilët e kanë injoruar dhe denigruar vet UÇK-në.

5. Alfred Moisiu: (President i Republikës së Shqipërisë) Ademi juaj dhe Ademi ynë, Adem Demaçi i të gjithë shqiptarëve Ademi juaj dhe Ademi ynë, Adem Demaçi i të gjithë shqiptarëve, të cilët kudo ku punojnë e jetojnë e kujtojnë dhe krenohen për bëmat e tij në të mirën e Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj, gjë të cilën unë dhe bashkë- moshatarët e mi, që në rininë e hershme, robërinë e Kosovës e kemi pasur plagë në zemër.

6. Ali Ahmeti: (Kryetar Bashkimit Demokratik për Integrim) Ekspozita për Bacën Adem Demaçi më zgjoi shumë emocione, rrëqethje dhe nostalgji Duke shikuar Ekspozitën tematike kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Bacës Adem Demaçi, më zgjuan shumë emocione, kthime në kohë dhe rrëqethje trupi nga ajo nostalgji, që ngjalli në shpirtin tim për shumë shokë që kam njohur e që sot nuk janë në mesin tonë!

7. Antonia Young: (Hulumtuese në Departamentin e Studimeve Paqesore në Universitetin Bradford) Adem Demaçi i emërtoi fëmijët me emrat Abetare dhe Shqiptar Adem Demaçi fëmijëve të vet ua vuri emrat Abetare dhe Shqiptar, të dy këta për të shprehur krenarinë dhe dashurinë për atdheun. Megjithatë, shumë pak arriti t'i shihte gjatë fëmijërisë së tyre.

8. Arbër Çeliku: (Prorektor i Universitetit të Tetovës) Adem Demaçi - intelektual me përmasa mbarëkombëtare Për ne, në Universitetin e Tetovës, është një kënaqësi dhe privilegj që na jepet rasti për të bërë një vlerësim për një atdhetar, siç është Adem Demaçi, një intelektual me përmasa mbarëkombëtare, një krijues dhe një studiues i devotshëm dhe një dashamir të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

9. Arbër Xhaferri: (Kryetar i "Partisë Demokratike Shqiptare" në Tetovë) Adem Demaçi përfaqë- sues i politikës si Vita Activa Filozofja gjermane, me prejardhje hebraike, Hana Arend, e përkufizon politikën si veprimtari të njerëzve të lirë, si Vita Activa, një angazhim aktiv i vazhdueshëm. Ky përkufizim i politikës plotësisht e shpjegon jetën dhe angazhimin politik të Adem Demaçit.

10. Agim Zogaj: (Historian) Adem Demaçi i ka kaluar kufijtë e një tribuni kombëtar Adem Demaçi, me idetë e tij prej luftëtari të të drejtave universale, me pikëpamjet se liria nuk është privilegj i asnjë kombi, me qëndrimin e palëkundur për ta fisnikëruar filozofinë moderne humaniste, i ka kaluar kufijtë e një tribuni kombëtar.

11. Agim Vinca: (Shkrimtar) Shkrimet e Adem Demaçit janë një udhëtim dramatik, filozofik, politik dhe artistik T'i lexosh shkrimet e Adem Demaçit do të thotë të bëhesh pjesëmarrës i një "udhëtimi dramatik, filozofik, politik dhe artistik", siç thotë në një rast një nga personazhet e tij.

(vijon)

(Kosova Sot)

17 orë e 15 minuta më parë
21/02/18