Të gjendet një vaksinë universale kundër gripit - Opinione - Kosova Sot
Të gjendet një vaksinë universale kundër gripit

Të gjendet një vaksinë universale kundër gripit

MËNYRA E VETME PËR TË NDALUR PANDEMITË

Vaksinat aktuale shkaktojnë formimin e antitrupave, të cilët ngjiten sikur çelësi në derë, në vrimat e nëntipave të caktuar

Shkruan: Anjana Ahuja 

Gripi nuk shkaktohet nga një virus i vetëm, por nga një familje e tërë virusesh. Një mbrojtje të pjesshme kundër gripit paraqet vaksina, e cila jepet në fillim të sezonit të gripit, dhe e cila përbëhet nga një koktej virusesh, për të cilët mendohet se do të përhapen më shumë dhe do të shkaktojnë infeksion më të rëndë

Paramendoni sikur, pasi keni mbijetuar një luftë botërore, të vdisni nga një sëmundje banale. Ky ishte fati i rreth 50 - 100 milionë njerëzve në vitin 1918, ku shumë prej tyre para kësaj sëmundjeje nuk kishin pasur ndonjë problem shëndetësor. Në fund të Luftës së Parë Botërore erdhi deri te epidemia botërore e gripit spanjoll, sëmundje e cila paraqiti njërën prej sëmundjeve më fatale ngjitëse në historinë moderne. Thuhet se ky grip për herë të parë u paraqit në Spanjë, por kjo nuk është e sigurt. Një shekull më pas, tani, ende janë në qarkullim pasardhësit e këtij virusi vdekjeprurës. Shumë shkencë- tarë tani insistojnë se, mënyra e vetme për të parandaluar pandemitë e ardhshme, është ajo me anë të një vaksine universale kundër gripit. Gripi nuk shkaktohet nga një virus i vetëm, por nga një familje e tërë virusesh. Një mbrojtje të pjesshme kundër gripit paraqet vaksina, e cila jepet në fillim të sezonit të gripit, dhe e cila përbëhet nga një koktej virusesh, për të cilët mendohet se do të përhapen më shumë dhe do të shkaktojnë infeksion më të rëndë. Por, si duket, sivjet kjo vaksinë nuk ka qenë edhe aq efikase. Rreziku që të vijë deri te një dështim i tillë, është vetëm edhe një arsye për ta bërë një vaksinë universale kundër gripit.

Kushtet e dobëta higjienike

Epidemia e vitit 1918, e cila preku 5% të popullatës botërore, ishte vdekjeprurëse për disa arsye: nuk kishte vaksina për ta parandaluar sëmundjen, nuk kishte ilaçe antivirale për të sëmurët, si dhe nuk kishte antibiotikë adekuatë për të trajtuar infeksionet me baktere, që paraqiteshin si komplikim i gripit. Dendësia e popullsisë si dhe kushtet e dobëta higjienike po ashtu ndikuan në vdekshmërinë e lartë të virusit. Njerëzit nuk kishin imunitet ndaj këtij virusi, i cili duket se kaloi nga kafshët, te njeriu. Mjafton që të ndryshojë vetëm një gjen i virusit, që ai të bëhet i aftë për të shkaktuar pandemi. Soji i vitit 1918, një virus i gripit i nëntipit h1n1, përmbante tetë 'befasi' të tilla vdekjeprurëse. Një ndryshim kaq i madh gjenetik njihet me emrin 'shkarje antigjenike'. Del se serioziteti i një epidemie është një lojë numrash. Sa më e madhe që të jetë shkarja antigjenike, aq më i madh do të jetë rreziku nga shkaktimi i pandemive. Ka pasur tri pandemi të tjera, pas vitit 1918: në vitet 1957, 1968 dhe 2009. Që të gjitha këto pandemi u paraqitën nga përzierja e viruseve 'influenza' të kafshëve, me viruset e gripit të njerëzve. Vaksinat aktuale tentojnë që të sulmojnë dy proteinat kryesore në pjesën e jashtme të virusit - hemaglutinin dhe neuraminidase - aty ku paraqiten ndryshimet. Ekzistojnë 18 nëntipa 'h' dhe 11 nëntipa 'n'. 

Arma adekuate për ta luftuar atë sa më me sukses Vaksinat aktuale shkaktojnë formimin e antitrupave të cilët ngjiten sikur çelësi në derë, në vrimat e nëntipave të caktuar. Por, nëse virusi evoluon, atëherë madhësitë e vrimave mund të ndryshojnë, duke mashtruar sistemin imunitar. Virulenca e virusit të sivjetmë të gripit është pasojë e një ndryshimi të virusit h3n2. Një qasje ndaj një vaksine universale, që është duke u ndjekur në Institutin Jenner të Universitetit të Oksfordit, është që të përqendrohemi jo te proteinat sipërfaqësore, por te proteinat e brendshme, që janë të njëjta për të gjitha viruset e gripit. Një qasje tjetër, e përdorur në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles dhe e publikuar në "Science" këtë muaj, ka të bëjë me analizimin e gjenomit të virusit të gripit, duke gjetur më pas armën adekuate për ta luftuar atë sa më me sukses. Na mbetet që të presim dhe shpresojmë. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se deri në gjysmë milioni njerëz në ditë vdesin çdo vit në botë nga gripi. Kjo dmth se, nga epidemia e vitit 1918 e deri më tani, kanë vdekur edhe 50 milionë njerëz tjerë. Del se gripi sezonal është pandemi me lëvizje të ngadalësuar.

(Autori është analist shkencor)

(Kosova Sot)

 

7 orë e 16 minuta më parë
22/06/18