'Njëmbëdhjeta e ardhshme' dhe ekonomia botërore

'Njëmbëdhjeta e ardhshme' dhe ekonomia botërore
  • 27 April 2018 - 08:52

POTENCIALI EKONOMIK QË OFROJNË DISA SHTETE

Rritja e grupit N-11 është duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në ekonominë botërore

Shkruan: Jim O'Neill 

Gjatë një fundjave, tash vonë, në Vietnam, Kamboxhia dhe Laos, nuk mundesha të mos mendoja rreth potencialit ekonomik të këtyre vendeve dhe sfidave aktuale politike. Fundja, në vitin 2005, kolegët e mi nga "Goldman Sachs" dhe unë kishim vizituar Vietnamin, si njërin prej "Njëmbëdhjetës së ardhshme (N-11) - që të gjitha vende me potencial për të pasur ekonomi të rëndësishme gjatë këtij shekulli. Vietnami raportonte se rritja reale e GDP-së së tij (e korrigjuar në bazë të inflacionit) ishte 7.4% në tremujorin e fundit, duke tejkaluar Kinën. Dhe, sipas parashikimit të Bankës Botërore, Vietnami, së bashku me Kamboxhian dhe Laosin, është në rrugë të mbarë për të mbajtur një nivel të ngjashëm rritjeje gjatë vitit. N-11 asnjëherë nuk fitoi vlerën e akronimit BRIC, të cilin e shpika në vitin 2001 për të përshkruar një bllok të ekonomive në zhvillim (Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë) që do të kishin një ndikim të rëndë- sishëm në ekonominë botërore në të ardhmen. Vendet N-11 nuk ishin në nivelin e BRIC-ve, por as nuk ishte akronimi që synonte të ishte një temë investimi. Përkundrazi, N-11 ishte thjesht një etiketë që aplikuam në 11 ekonomitë në zhvillim më të populluara, me potencial më të lartë pas BRIC-ut.

Performanca e Meksikës ka qenë disi zhgënjyese

Përafërsisht në kohën që botuam dokumentin e vitit 2005 "Sa të qëndrueshme janë vendet BRIC", në të cilën identifikuam për herë të parë vendet N11, shpesh bëja shaka se zgjodhëm numrin 11 thjesht sepse ishte numri i lojtarëve në një ekip futbolli. Kur të tjerët theksonin se kishim lënë anash vende më të populluara, si Kongo dhe Etiopia, unë mendoja se Etiopia mund të ishte Ole Gunnar Solskjaer i N-11, në lidhje me golashënuesin e shkëlqyer të Manchester United gjatë viteve 1990. Atëherë, sikur edhe tani, N-11 përbënin një 'thes' të përzier: Koreja e Jugut, Meksika, Indonezia, Turqia, Irani, Egjipti, Nigeria, Filipinet, Pakistani, Bangladeshi dhe Vietnami. Këto vende kanë kushte jashtëzakonisht të ndryshme ekonomike dhe sociale dhe nivele shumë të ndryshme të pasurisë. Për shembull, Koreja e Jugut tani gëzon një standard jetese të ngjashëm me atë të Bashkimit Evropian, gjë që e bën kategorizimin e vazhdueshëm të analistëve të Koresë së Jugut si një "ekonomi në zhvillim" aq më e habitshme. Ndërkohë, nivelet e pasurisë së Meksikës dhe të Turqisë nuk janë aspak afër asaj të Koresë së Jugut, dhe megjithatë ato janë shumë më të pasura se pjesa tjetër e N-11, disa prej të cilave mbeten midis vendeve më të varfra në botë. Në të njëjtën kohë, vendet aziatike N-11 si Filipinet dhe Vietnami janë rritur ndjeshëm që nga viti 2005, ndërsa performanca e Meksikës ka qenë disi zhgënjyese, e ajo e Egjiptit edhe më shumë. Në përgjithësi, N-11 përfshijnë rreth 1.5 miliard njerëz dhe GDP-ja aktuale e saj nominale është rreth 6.5 trilionë dollarë. Me fjalë të tjera, derisa popullsia e saj është pak më e madhe se ajo e Kinës apo Indisë, ekonomia e saj është sa rreth gjysma e madhësisë së Kinës, por më e madhe se Japonia dhe më shumë se dyfishi i madhësisë së Indisë. Këto divergjenca ndihmojnë për të shpjeguar pse një numër i ri vendesh janë ndarë më pas nga N11, duke përfshirë MINT (Meksikë, Indonezi, Nigeri, Turqi) dhe MIST (duke shkëmbyer Korenë e Jugut me Nigerinë). Unë nuk i kam projektuar këto grupe, por emri im është bërë sinonim për to, pasi kam bërë një dokumentar radiofonik të BBC-së për vendet e MINT-it në vitin 2014. Sidoqoftë, ato ishin në përputhje me pikat e mëparshme që kisha ngritur; domethënë që deri në vitin 2010, Meksika, Indonezia, Koreja e Jugut dhe Turqia secila do të përbënin më shumë se 1% të GDP-së botërore.

Pengesat serioze

Tetë vjet më vonë, ekonomitë e vendeve MIST ende kanë një shans për të përbërë rreth 2-3% të GDP-së botërore në të ardhmen. Asnjëri prej tyre nuk ka të ngjarë të arrijë madhësinë e asnjë prej ekonomive të vendeve BRIC, përveç, ndoshta, Rusisë. Për shkak të problemeve të saj aktuale, GDP-ja e Rusisë tani është rreth e të njëjtës madhësi, sa ajo e Koresë së Jugut. Nëse nuk do ta marrë veten shpejt, GDP-ja e saj mund të bjerë nën atë të Meksikës apo edhe të Indonezisë. Nga shtatë shtetet e tjera të grupit N-11, Nigeria, Vietnami dhe ndoshta Irani dallohen duke pasur potencialin më të madh. Megjithatë, secili përballet me pengesa serioze për t'u bërë një ekonomi prej 1 trilion dollarësh, pa marrë parasysh se përbëjnë 2-3 për qind të GDP-së botërore. Duke parë përtej çdo perspektive individuale të këtyre vendeve, ajo që është e rëndësishme për vëzhguesit ekonomikë dhe profesionistët e investimeve për të kuptuar, është se N-11 si një bllok është rritur me rreth 4.5% deri tani këtë dekadë, pas rritjes me gati 4% në dekadën paraprake. Duke pasur parasysh madhësinë e prodhimit të saj, rritja e grupit N-11 është duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në ekonominë botërore, së bashku me drejtuesit kryesorë të Kinës dhe Indisë. Kam mbajtur mend këtë fakt gjatë udhëtimit rreth Vietnamit, ku qetësia ime u ndërpre vazhdimisht duke transmetuar tituj rreth twejeve të presidentit amerikan Donald Trump dhe shkallëzimit të dhunës në Lindjen e Mesme. Para se të shkoja në Vietnam, kam pasur privilegjin të shkruaj një rishikim për Natyrën e Faktueshmërisë: Dhjetë arsye pse e kemi gabim rreth botës - dhe pse gjërat janë më të mira se sa mendoni, një libër i shkëlqyer nga mjeku i ndjerë Hans Rosling, botuar pas vdekjes së tij, këtë vit. Faktësia është vetëm një nga disa vepra të kohëve të fundit për t'u përqendruar te gjërat jashtëzakonisht pozitive që ndodhin në botë. Rosling, së bashku me Steven Pinker nga Universiteti i Harvardit, kishte të drejtë të ishte optimist. Një pikëpamje e pakufizuar e botës zbulon shumë shenja premtuese, veçanërisht për ekonominë globale.

(Jim O'Neill është Profesori i Nderit i Ekonomisë në Universitetin e Mançesterit dhe ish-Kryetari i Rishikimit të Qeverisë Britanike mbi Rezistencën Antimikrobike). Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

 

(Kosova Sot)