Putin mbivlerëson veten

Putin mbivlerëson veten
  • 21 August 2018 - 07:46
Shkruan: Christopher R. Hill 


Politika e jashtme e Rusisë është e motivuar jo vetëm nga pikëllimi dhe hidhërimi, por edhe nga një vetëdije e bezdisshme për rënien e saj

Politika e jashtme e Kremlinit gjithnjë e më shumë duket se mbështetet në supozimin se të gjitha vendet janë aq të korruptueshme, sa Rusia e Vladimir Putinit. Kjo ishte e dukshme kohët e fundit në përpjekjet e supozuara të Rusisë për të minuar një marrëveshje midis Greqisë dhe fqinjit të saj të vogël verior, Republikës së Maqedonisë, mbi emrin e kësaj të fundit. Duke supozuar se maqedonasit miratojnë një referendum të 30 shtatorit, vendi i tyre do të njihet më tej si Republika e Maqedonisë Veriore. Mosmarrëveshjet e Greqisë me Maqedoninë Marrëveshja nuk ishte e lehtë për t'u arritur. Mosmarrëveshja thelbësore ballkanike midis Greqisë dhe Maqedonisë daton të paktën që nga viti 1991, kur Maqedonia, dikur një nga republikat më të varfra të Jugosllavisë, shpalli pavarësinë e saj dhe e miratoi emrin Republika e Maqedonisë. Ky emër do të vazhdonte të kishte pasoja të rëndësishme në botën reale për vendin e ri prej 2.1 milionë njerëzish. Për shkak se rajoni verior i Greqisë njihet zyrtarisht si Maqedoni, të dy vendet përfunduan në një mosmarrëveshje shumëvjeçare rreth emrit. Greqia vuri veton ndaj kërkesave të Republikës së Maqedonisë për t'u bashkuar me aleancat perëndimore dhe institucionet multilaterale, madje edhe kur fqinjët e saj Bullgaria dhe Shqipëria u pranuan në NATO dhe, në rastin e Bullgarisë, në Bashkimin Evropian. Ajo u pranua në Kombet e Bashkuara në vitin 1993 nën emrin e përkohshëm "ish Republika Jugosllave e Maqedonisë". Çështja e Maqedonisë ka një histori të gjatë dhe të ngarkuar. Pas tërheqjes së Perandorisë Osmane dhe ringjalljes së identiteteve historike dhe etno-nacionaliste në Ballkan, Maqedonia u nda midis Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë, dhe u shtyp identiteti i popullit të saj. Gjatë luftërave boshnjake dhe kosovare të viteve 1990, diktatori serb Slobodan Milosheviq e përshkroi popullin e Maqedonisë si "vëllezër të vegjël" të cilët kishin humbur rrugën e tyre. Ndërkohë, shqiptarët që kanë jetuar për mijëra vjet në pjesët perëndimore të Maqedonisë filluan të talleshin me pretendimin kushtetues të Republikës së Maqedonisë si një vendlindje për "maqedonasit". Siç e shihte një udhëheqës shqiptar, maqedonasit ishin thjesht "klone sllave". Po kështu, disa bullgarë, të cilët ndiheshin ende të plagosur nga fitoret serbe dhe greke mbi vendin e tyre në Luftën Ballkanike të vitit 1913, i konsideronin maqedonasit si asgjë më shumë se bullgarë të hutuar, të bllokuar në anën e gabuar të konfliktit. Duke pasur parasysh mungesën e arritjeve diplomatike në ditët e sotme, marrëveshja greko-maqedonase, e përfunduar në Liqenin e Prespës (që kufizohet me Republikën e Maqedonisë, Greqinë dhe Shqipërinë), mori një përgjigje dërrmuese pozitive nga bashkësia ndërkombëtare kur u njoftua më 12 qershor. Qeveritë në të gjithë Evropën dhe gjetkë nxorën deklarata të mbështetjes dhe inkurajuan kundërshtarët grekë e maqedonas të marrëveshjes që të qëndronin prapa saj. Minimi i Marrëveshjes së Prespës E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Kremlinin. Më 6 korrik, Greqia njoftoi se kishte "prova të pakundërshtueshme" se Rusia po përpiqej të minonte marrëveshjen e Prespës, duke u përpjekur të blinte zyrtarë dhe përndryshe të intervenonte në punët e brendshme të Greqisë. Në një deklaratë të ashpër, ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias akuzoi Rusinë për financimin e protestave brenda Greqisë dhe deklaroi se vendi i tij nuk lejon që të ngacmohet. Greqia tanimë ka dëbuar dy diplomatë rusë, duke e bërë Rusinë ta anulojë një vizitë të ardhshme në Athinë nga ministri i jashtëm Sergey Lavrov dhe të shpallë dëbimin e diplomatëve grekë nga Moska. Jo çuditërisht, ndikimi shkatërrimtar rus është zbuluar edhe në veri të kufirit grek. Sipas kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, Rusia ka financuar protesta anti-qeveritare dhe ka shtyrë bizneset e orientuara nga Rusia në Maqedoni për të nxitur dhunën në prag të referendumit të 30 shtatorit. Rusia nuk e ka fshehur aspak dëshirën e saj për ta dobësuar NATO-n. Duke kundërshtuar marrëveshjen e Prespës, ajo mund të shpresojë të parandalojë Maqedoninë nga bashkimi me aleancën. Por, edhe kur të gjendet nën presion, Rusia e Putinit nuk do të pranojë se ajo kundërshton afrimin grek-maqedonas, e lëre më të kërkojë falje për ndërmarrjen e masave aktive për të ndërhyrë në çështjet e brendshme greke dhe maqedonase. Kundërshtimi i Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s shpesh shpjegohet si një përpjekje për të parandaluar vendet që ishin më parë të përafruara me Bashkimin Sovjetik nga krijimi i aleancës me një partner të ri gjeostrategjik. Por, Maqedonia nuk ishte kurrë anëtare e Paktit të Varshavës, as nuk është veçanërisht e rëndësishme për interesat ruse. Në të kundërtën, Greqia ka qenë një vend anëtar i NATO-s që nga viti 1952, megjithatë ajo ka mbajtur një marrëdhënie pozitive me Rusinë e Putinit, duke injoruar bile deklaratën e BE-së kundër Rusisë, për sulmet e dyshuara me helme nervore në Mbretërinë e Bashkuar, më parë këtë vit.

Roli i Putinit në Ballkan Sido që të jetë, Kremlini tani ka sulmuar me arrogancë interesat e Greqisë, ndoshta duke nënvlerësuar rëndësinë e marrëveshjes së Prespës për qeverinë greke. Ironia është se Putin ka kritikuar gjatë SHBA-në për tejkalim dhe përpjekje për të imponuar vlerat e saj ndaj të tjerëve. Në Ballkan dhe gjetkë, Putini është përpjekur ta prezantojë veten si një partner të arsyeshëm, i cili nuk do të bëjë pyetje rreth të drejtave të njeriut ose të insistojë në respektimin e ndonjë grupi të caktuar vlerash. Megjithatë, tani është e qartë se as miku, e as armiqtë nuk duhet të tolerojnë politikën e jashtme të Rusisë. Kremlini ka përshpejtuar politikën e tij për të ndërhyrë fshehurazi në proceset politike të vendeve të tjera. Ajo ka gjurmuar dhe ka tentuar të vrasësish-anëtarët e shërbimeve të saj të sigurisë brenda vendeve anëtare të NATO-s. Dhe, mesa duket, u përpoq të anashkalojë një marrëveshje të vështirë të arritur midis dy fqinjëve të Ballkanit, të cilët po përpiqen të kapërcejnë dekadat e mosbesimit. Duke shikuar përpara, do të jetë e rëndësishme të kujtojmë se politika e jashtme e Rusisë është e motivuar jo vetëm nga pikëllimi dhe hidhërimi, por edhe nga një vetëdije e bezdisshme për rënien e saj. Krerët grekë dhe të Maqedonisë (të veriut) e kanë "larë" veten mirë duke iu përgjigjur agresionit rus me ndershmëri dhe guxim. Pyetja është nëse të tjerët do ta kenë kurajën për ta bërë të njëjtën gjë. 

(Kosova Sot)