Shoqëria ka degraduar në rrafshin moral e intelektual

Shoqëria ka degraduar në rrafshin moral e intelektual
  • 22 August 2018 - 08:08
SHKRUAN: ARGJEND HASANILLASHTICA 

Debati i fundit për diasporën është tendencioz dhe i rrezikshëm. Ky debat ku është përfshirë shoqëria kosovare dhe mërgata, si dhe opinionet e disa gazetarëve sharlatanë, deputetit naiv, dhe disa mërgimtarëve na tregon se sa ka degraduar kjo shoqëri në rrafshin moral e intelektual dhe është verbuar keq nga smira dhe interesi material. Dihet mirëfilli se për dekada të tëra digë e fortë e rezistencës dhe mbijetesës kombëtare shqiptare dhe mbijetesës edhe në ditët e sotme pas 19 viteve liri është diaspora. Hapja e debateve shterpë, tentativat e shumta të disa pseudogazetarëve përmes ofendimeve se kinse diaspora ka ngelur peng e mentalitetit të viteve 90-ta, është turp që nuk lahet lehtë. 

Thirrja ogurzezë Diaspora shqiptare e Kosovës, e cila jeton dhe punon kudo nëpër botë nuk njeh mentalitetin hipokrit të karagjozëve hajdut që tanimë afro 20 vite e kanë vjedhur shtetin dhe e ka shndërruar si leckë. Diaspora shqiptare sot kudo nëpër botë po jep kontributin e saj në përkrahjen dhe remitencat, duke mbajtur gjallë shtetin tonë të dashur por fatkeqësisht të vjedhur e të dërmuar nga disa bijë të saj që sot kërkesën për shtetndërtim, e në realitet atdheun tonë të vuajtur e kanë falimentuar. Diaspora shqiptare e Kosovës nuk ishte dhe nuk është ajo diaspora analfabete sikurse e tërë Kosova në vitet e 60- ta, por sot kanë emër dhe mbiemër dhe po lënë gjurmë në historinë e shteteve ku ata jetojnë. Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Xherdan Shaqiri, e shumë të tjerë në lëmenj të ndryshëm me shpenzimet e tyre kanë bërë më shumë në përmirësimin e imazhit të Kosovës në skenën ndërkombëtare se sa milionat e investuara të qeverisë për këtë qëllim, se sa fluturimet dhe misionet boshe të qeveritarëve tanë në emër të përmirësimit të imazhit të dëmtuar të Kosovës në botë. Thirrja e një pseudodeputeti për bojkotimin me mosardhje në atdhe thellon edhe më shumë hendekun e ndarjes në relacionin diasporë-atdhe. Kjo thirrje ogurzezë për qëllime kinse solidarizimi për gjoja vuajtjet e bashkatdhetarëve tanë gjatë pushimeve në atdhe është një betejë për manipulimin dhe shfrytëzimin e një tereni potencial për sigurimin e mandateve shtesë në legjislaturën e vendit. 

Diaspora shqiptare është vetë atdheu Meqenëse deputetë të tillë janë të informuar dhe kanë njohuri për peripecitë e bashkatdhetarëve gjatë pushimeve në atdhe pse nuk ushtrojnë ndikimin e tyre, zaten edhe për këtë janë zgjedhur që të përcjellin shqetësimin dhe të hedhin propozimin në parlament për debatimin e problemeve, vështirësive dhe lehtësimin e procedurave dhe burokracisë sidomos për mërgimtarët. Por të tillët duke e njohur paaftësinë e tyre për të debatuar problemet aty ku duhet, duke e shfrytëzuar naivitetin tij ku ka në fokus grupet tallavaamoriste me apo pa vetëdije ndanë popullin në dy pjesë, ndanë familjet, dhe në këtë gjendje jo të mirë të Kosovës do të ishte një thikë pas shpine. Duke i ditur vështirësitë dhe duke i njohur rrethanat, me një ekonomi të rënduar, me një korrupsion të madh nga brenda dhe të rrethuar nga tri shtete jo mike, ky do të ishte sihariqi më i mirë për ta, vetëshkatërrimi i shtetit tonë për të cilin është derdhur shumë gjak. Diaspora nuk ndahet lehtë nga atdheu, nga etërit dhe familjet e tyre. Ajo ka përjetuar vuajtjet, mallin, vetminë, besa edhe nënçmimin për dekada të tëra në kohën sa Kosova ishte e pushtuar, ndërsa tani ndjehet e zhgënjyer me politikëbërësit tanë, me ritmin e zhvillimit dhe veset negative në shoqërinë tonë, por assesi arrogante dhe mohuese ndaj atdheut. Diaspora shqiptare është vetë atdheu, ajo kudo që jeton shpreh vullnetin dhe ka zërin e saj që të shprehet. Ajo nuk lejon nga askush të manipulohet. Diaspora është dhe ka vlera dhe intelektual që dinë t'i transmetojnë shqetësimet, hallet dhe problemet së bashku me vëllezërit dhe motrat e tyre në atdhe. Diaspora dhe malli i saj për atdhe mund të jenë pjesë e repertorit muzikor, por assesi pjesë e kalkulimeve tendencioze politike dhe e armiqësive vëllazërore. Pa diasporë nuk do ta kishim shtetin, e pa shtet nuk do të kishim atë copë atdhe që e kemi sot.

(Kosova Sot)