Një model i ri i sigurisë njerëzore

Një model i ri i sigurisë njerëzore
  • 22 August 2018 - 08:14
Shkruan: Javier Solana

Ë shtë duke u bërë gjithnjë e më e qartë se globalizimi nuk përparon në mënyrë të qëndrueshme, por nëpërmjet ngritjeve dhe rënieve. Aktualisht, duket se është në një rënie, i penguar nga një numër në rritje i udhëheqësve politikë të papërgjegjshëm të cilët e përshkruajnë atë si burimin e të gjitha të këqijave. Me retorikën e jotolerancës që mbizotëron si nostalgji, populistët, siç është presidenti i SHBA-së, Donald Trump angazhohen për ndërtimin e mureve dhe mbylljen e kufijve për të kërkuar "sovranitetin" dhe "sigurinë". Natyrisht, ishte gjithnjë naive të supozohej se shteti komb mund të tërhiqej lehtësisht nga roli i tij qendror në çështjet njerëzore. Por, është po aq naive të besohet se fenomenet siç janë Brexit ose zgjedhja e Trump-it paralajmërojnë kthimin e një bote në të cilën shteti-komb është supremi që mbretëron. Në këtë fazë, bota është aq e ndërlidhur saqë çdo diskutim rreth zhbërjes së globalizimit nuk është real.

Konfliktet e armatosura Në fushën e sigurisë, ne duhet të përballemi me anën e errët të kësaj ndërlidhjeje. Mekanizmat ligjorë dhe institucionalë aktualisht nuk janë adekuatë për të kundërshtuar kërcënimet e sotme, dhe kjo ishte e vërtetë edhe para Brexit-it dhe, Trump vetëm sa i bëri gjërat edhe më keq. Sikur që Christine Chinkin dhe Mary Kaldor i Shkollës së Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike argumentojnë në librin e tyre "International Law and New Wars" (Ligji Ndërkombëtar dhe Luftërat e Reja), dallimi klasik midis konflikteve të armatosura ndërkombëtare dhe jo ndërkombëtare ka humbur vlerën e vet. Aktualisht, siguria e brendshme dhe e jashtme duhet të kuptohen si vazhdimësi. mChinkin dhe Kaldor tregojnë se "luftërat e reja", të tilla si konflikti në Siri, tentojnë të përfshijnë një grup të gjerë lojtarësh - publikë dhe privatë, vendas dhe ndërkombëtarë - dhe të kapërcejnë kufijtë kombëtarë. Kjo pikë e fundit është ilustruar nga goditja territoriale e Shtetit Islamik në Irak, si dhe sulmet e tij në shumë vende të tjera. Për më tepër, luftërat e reja zakonisht kanë një komponent të fortë etnik, fetar ose fisnor dhe zgjasin për një kohë të gjatë, në dëm të popullatave civile. Shtrirja e kohëve të fundit e konflikteve me një dimension brendashtetëror, nënkupton që modeli i vjetër i sovranitetit Westfalian - ku shtetet monopolizojnë përdorimin legjitim të forcës brenda kufijve të tyre - është bërë i vjetërsuar. Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri vërtet ndërkombëtare, duhet të mendojmë për sovranitetin në kuptimin jo vetëm të autoritetit, por edhe të përgjegjësisë. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e gatshme të ndërhyjë në vende ku qeveria përbën një rrezik për popullsinë e vet. Kjo është logjika e doktrinës së "përgjegjësisë për të mbrojtur" (R2P), të cilën Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi në mënyrë unanime më 2005.

Retorika e administratës Trump Për fat të keq, kur përdorimi i forcës është justifikuar për arsye humanitare, ndërhyrjet janë fokusuar ngushtë në aspektet ushtarake taktike. Në letër, R2P gjithashtu përfshin një përgjegjësi për të parandaluar dhe një përgjegjësi për të rindërtuar, të cilat zakonisht janë të vendosura në sfond. Edhe më keq, kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka autorizuar ndërhyrjet me "të gjitha mjetet e nevojshme" në bazë të R2P - në Libi dhe Bregun e Fildishtë, në vitin 2011 - koncepti është akuzuar për maskimin e ndërrimit të regjimit. Që atëherë, R2P është stigmatizuar si një prerogativ i fuqisë - një e drejtë e pakodifikuar për të ndërhyrë, me një përdorim selektiv, sesa si një detyrë kolektive. Si rezultat, ai u mënjanua. Dështimi i Këshillit të Sigurimit për të mbledhur ndonjë reagim të vërtetë ndaj krizës në Siri është trashëgimi e dhimbshme e rasteve të mëparshme të reagimit të tepruar në vendet e tjera dhe tregon se humanizmi ende mbetet pas aspektit gjeopolitik. Por, a do të thotë kjo se jemi të dënuar për të zgjedhur midis ekseseve ndërhyrëse të Irakut apo Libisë dhe mosveprimit që lejojnë mizoritë masive të ndodhin në Ruandë dhe Srebrenicë (ku paqeruajtësit e OKB nuk ishin të autorizuar të ndërhynin)? Retorika e administratës Trump me sa duket do të sugjeronte se këto janë dy opsionet e vetme. Në fund të fundit, administrata është e ndarë qartazi midis izolacionistëve dhe "skifterëve" neokonzervatorë, sikur Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, i cili duket se nuk është i zhgënjyer nga historia e gjatë e dështimit kur është fjala për ndërrimin e regjimit. Por, ne nuk duhet të dorëzoheni, duke pranuar një kornizë të ashpër për ndërhyrje humanitare, as të nënvlerësojmë aftësinë e të drejtës ndërkombëtare për të transformuar veten dhe, në të njëjtën kohë, të transformojmë shoqëritë në nivel global. Chinkin dhe Kaldor propozojnë një model të qëndrueshëm të sigurisë në të cilin mbrojtja e individit - në vend të shtetit - fiton përparësi, pa përdorur paternalizmin.

"Raporti i Madridit" Për të pasur sukses, ky model duhet të përqendrohet në sigurinë e përgjithshme, jo në mënyrë episodike. Duhet të iniciojë prioritetet e popullatave të prekura, duke përfshirë ato të grave dhe grupeve të tjera të pafavorizuara strukturore. Ajo duhet t'iu japë përparësi mjete jo-ushtarake, duke vënë theks të veçantë te çarmatimi. Duhet të jetë e vendosur në mënyrë të vendosur në etikën e të drejtave të njeriut dhe në një mjet ligjor të përshtatur me logjikën e "luftërave të reja". Dhe duhet të përfshijë nocionin e "sigurisë njerëzore", ku e drejta për t'u mbrojtur do të zëvendësonte R2P. Ky model nuk është i paarritshëm. Në fakt, R2P dhe modeli i sigurisë njerëzore u zhvilluan njëkohësisht, me mbështetjen e paçmuar të një mendimtari kryesor dhe qytetarit global: i ndjeri Kofi Annan. Shumë nga parimet themelore të këtij modeli të fundit u parashtruan në një dokument të vitit 2004, "Një Doktrinë e Sigurisë Njerëzore për Evropën", të paraqitur në Barcelonë nga Grupi i Studimit mbi Aftësitë e Sigurisë Evropiane. Tre vjet më vonë, "Raporti i Madridit" i Grupit Studimor të Sigurisë Njerëzore e avanconte idenë më tej. Në mënyrë të veçantë, Grupi i Studimit përshkroi udhëzimet për zgjerimin e misioneve të jashtme të Bashkimit Evropian. Këto udhëzime frymëzuan, për shembull, përdorimin e vëzhguesve të të drejtave të njeriut dhe konsultimet e llojit të kuvendeve komunale. Megjithatë, si me R2P, doktrina e sigurisë njerëzore u tregua i papërdorshëm. Ose, thënë në një tjetër mënyrë, ajo u eklipsua nga gjeopolitika, dhe nga fokusi ushtarak i fushatave të ndryshme antiterroriste. Megjithatë, duhet të kujtojmë se rikonfigurimet më të mëdha të së drejtës ndërkombëtare përgjatë historisë kanë pasuar gjithmonë trazirat gjeopolitike. Në një kohë kur popullata civile është gjithnjë e më e prekshme ndaj kërcënimeve të reja, siç është lufta kibernetike, ri-shpikja e konceptit të sigurisë njerëzore nuk është një projekt idealist. Përkundrazi, kjo është një domosdoshmëri urgjente. Duke menduar në aspektin e sigurisë njerëzore, ne mund të zhvillojmë një strategji gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese për menaxhimin e konflikteve jokonvencionale që po shumëfishohen në mbarë botën. Nuk mund të ketë ndryshim të globalizimit. Nëse do të zbusim pasojat e tij negative, ekziston vetëm një rrugë përpara: forcimi i efekteve pozitive të tij. 

(Kosova Sot)