Kurrë mos thoni kurrë, sa i përket Donald Trump-it

Kurrë mos thoni kurrë, sa i përket Donald Trump-it
  • 31 August 2015 - 09:19

Shkruan: Edward Luce

Surprizat e garës presidenciale

Konservatorët duhet të jenë sidomos të shqetësuar

Miliarderi, i cili ka javë që gjendet në krye të anketave republikane, duhet të merret seriozisht

Jemi në shkurt të vitit 2016 dhe jemi tmerrësisht të befasuar. Donald Trump sapo ka fituar “caucus”-in e Ajovës dhe zgjedhjet primare në Nju Hemshajër. Ata që thoshin se ai, deri në këtë kohë, do të zhdukej nga skena, nuk mund të pajtohen me realitetin. Ai do të eksplodojë në Super të Martën, insistojnë ata. Ai do të refuzohet nga votuesit primarë në mars, në Floridën e Jeb Bush-it, shtojnë ata. Në rastin më të keq, ai do të ballafaqohet me Vaterlonë e tij në Konventën Republikane, në korrik. Mos u frikësoni, do të na japin kurajë kokat e mençura, ai njeri kurrë nuk mund të bëhet president i SHBA-së.

Sikur një orë e ndalur, mençuria konvencionale eventualisht mund të ketë të drejtë në lidhje me z. Trump. Kuptohet edhe pa e thënë se njerëzit e mençur duhet ta shpresojnë një gjë të tillë. Javën e kaluar, dy nga mbështetësit më të zjarrtë të miliarderit, e rrahën një njeri të pastrehë hispanik. E tëra që Trump mund të thoshte, ishte se mbështetësit e tij ishin “pasionantë”. Mos harroni, magnati i patundshmërive, i cili dëshiron që të bëhet president, është një njeri shumë i pakëndshëm. Konservatorët duhet të jenë sidomos të shqetësuar. Planet e tij për të mbledhur dhe përzënë rreth 11.5 milionë imigrantë pa dokumente, do ta kërkonin një fuqi federale të një shteti policor. Plani i tij për ta ndryshuar amendamentin 14, ashtu që vetëm ata që kanë lindur në SHBA mund të pretendojnë për shtetësinë e saj, do ta brente shpirtin amerikan.

Trump-mania

Por, përkundër kësaj, ai duhet të merret seriozisht. Në fillim mendohej se ai nuk do të zgjaste më shumë se një muaj. Njerëzit e krahasonin ngritjen e tij të papritur me garën republikane të vitit 2012, kur një autsajder i ri dilte të udhëhiqte në çdo cikël. Në fillim ishte Michele Bachmann, konservatori krishter i linjës së ashpër nga Minesota, më pas ishte Herman Cain, ish mbreti i picave me planin e tij tatimor "999". Më pas ishte Newt Gingrich, ish-kryesuesi i Dhomës së përfaqësuesve. Dhe, kështu me radhë. Më pas mbizotëroi establishmenti dhe nominimin e mori Mitt Romney.

Pse do të duhej të ishte ndryshe kësaj here? Meqë ashtu është. Trump vazhdimisht ka kryesuar anketat gjatë javëve të fundit. Trumpmania nuk mund t’i përshkruhet shkujdesjes së njerëzve. Vlen e kundërta: ata janë të kapluar.

Debati republikan këtë muaj pati 24 milionë shikues – gjë që është numri më i madh i shikuesve për një ngjarje josportive në historinë e TV kabllor në Amerikë. Po ashtu, ky ishte programi më i shikuar ndonjëherë i “Fox News”. Që nga ajo kohë, udhëheqja e Trump-it është bërë më solide.

Veteranët politikë thonë se do të ketë disa ngjarje të cilat do të ndikojnë në rënien e “meteorit” të Trump-it. Do të duhet të ndodhë diçka e veçantë. Sa herë që ai bën ndonjë gafë, mbështetja ndaj tij vetëm vjen e rritet. Përkundër tri martesave të tij dhe një tendence që të flasë rreth femrave si objekte të seksit, ai gëzon një mbështetje të mirë nga konservatorët e krishterë. Popullariteti i Trumpit pjesërisht bazohet te neveria e tij e vullnetshme. “Brendi” i tij shkatërron të gjitha ligjet e kampanjës.

Fushata fraksionale e republikanëve

E tëra kjo shkakton konfuzion. Ekspertët e Uashingtonit janë paksa si ata policët e çuditur në “Basic Instinct”, që e shikojnë Sharon Stone-n sesi e ndez cigaren. Çka duhet të bëjmë? Ta arrestojmë?

Kjo na sjell te linja e fundit e mbrojtjes – konventa e ndërmjetësuar. Me 17 kandidatë në garë dhe me asnjërin nga ta, me përjashtim të Trumpit, me një udhëheqje të siguruar, gjasat edhe ashtu anonin kah njëri nga ta. Bile edhe pa z. Trump, kjo është fushata më e ndarë dhe fraksionale republikane në kohët moderne. Le të supozojmë që Trump do ta fitojë një të katërtën e votave të delegatëve në zgjedhjet primare dhe tri të katërtat e mbetura të shpërndahen midis kandidatëve Jeb Bush, Scott Walker, Marco Rubio — e ndoshta edhe Ted Cruz dhe John Kasich.

Nëse të gjithë ata bëhen bashkë, atëherë Trump mund të përjashtohet me lehtësi. Është lehtë të imagjinohet Rubio duke ia dhënë votat e veta Bush-it, apo anasjelltas. Por, çka mund të thuhet për kandidatin Cruz, senatorin e mbështetur nga Teksasi? Establishmenti mund të mbizotërojë vetëm nëse merret vesh.

Rrezik edhe nga dalja e Trump-it

Le të supozojmë se ai do ta arrijë një gjë të tillë dhe Bush paraqitet si i emëruari republikan. Çka do të bënte Trump në një rast të tillë? do ta pranonte humbjen pas një loje të drejtë, apo do të hynte në garë si kandidat i ndonjë partie të tretë? Unë më shumë mendoj se do të ndodhte kjo e dyta. Do të kishte vështirësi të mëdha teknike për vënien e emrit të tij në votime në atë fazë të vonshme. Por, paratë e çojnë ujin përpjetë, e Trump ka shumë para.

Apo thënë më mirë, ai ka një ego. Njerëzit debatojnë rreth ideologjisë së Trumpit. Disa thonë se ai është “nativist”. Të tjerët thonë se ai është një konservator i moderuar me një dell bizar. E vërteta është se ai është duke u përshtatur përgjatë rrugës. Trump gjithmonë është mërzitur vetëm për b... e vet. Nëse ai ia ka dalë që të arrijë te një konventë e dakorduar, ai nuk do të ndalet me aq. Sa iu përket parashikimeve, do të rrezikoj dhe do ta bëj edhe një tjetër. Trump kurrë nuk do të bëhet president i SHBA-së. Në fakt, ai gati ka bërë gjysmën e punës që këtë post të mos e marrin as rivalët e tij republikanë.