Putini do ta tradhtojë perëndimin për Serbinë dhe për Kosovën

Putini do ta tradhtojë perëndimin për Serbinë dhe për Kosovën
  • 01 February 2019 - 08:51

Shkruan: Hakif Bajrami

Jam i sigurt se V. Putini do të dështojë në destabilizimin e Ballkanit, por do të na lodhin disa nga BE dhe ekipi i Boltonit për afatizim të marrëveshjes. Koha tani në shikim të parë duket se punon për ta. Por, SHBA-ja dhe NATO-ja nuk kanë asnjë llogari që të nxitojnë për ta sjellë çështjen e Kosovës atje ku ishte, në Rambuje

Putini për ta maskuar agresionin në Krime dhe Ukrainë, Vuçiqi për t`i maskuar krimet që i ka bërë kudo, do që përmes Kosovës të paraqitet si viktimë. Ka një kohë e gjatë që inteligjenca shkencore dhe politike shqiptare nuk po ka fuqi të shkëputet de jure, nga inferioriteti. Serbia është rrethuar nga të katër anët nga NATO-ja dhe gjenocidin që e ka shkaktuar po shpreson që do t` ia mbulojë Putini. Si duket këtë pozitë inferioriteti, shqiptarët e kanë trashëguar dhe do të jetë punë sizifi t`ua evitosh nga truri. Lidhur me këtë, më kujtohet kur një historian malazez kishte bërë një libër: "Reforma agrare në Kosovë 1918- 1941".

Opinioni nuk e dinte se ai njeri me asnjë çmim nuk donte ta vërë në tekst fjalën KOLONIZIM i Kosovës. Me një mijë mundime e patëm bindur se ne do të ia sigurojmë kartonët e kolonistëve. Nga ky presion permanent, ai e pranoi dhe më në fund në libër (ishte doktoratë e tij) e pranoi se kemi të bëjmë me 11000 familje të kolonizuara në Kosovë 1918-1941.

Kartotekën e kolonistëve e siguruam dhe doli të ishin shumë më tepër. Por ai mbeti se mbeti në shifrën e tij. Dhe për mos ta shpalosur tragjedinë shqiptare, kolonizimin (shpronësim, shpërngulje, shfarosje) e mbuloi me termin reformë agrare. E vërteta, reforma agrare, sado e keqe të jetë, është ndërmarrje më e mirë sesa kolonizimi më racional. Kolonizim të Kosovës ka pasur edhe pas vitit 1945 e deri më 1998. Kolonizimi e pati rritur përqindjen e popullsisë në Kosovë deri në 26% në vitin 1938, e sidomos në 1965, dhe në 1995.

Pranimi i kushteve

E theksova këtë fenomen se opinioni ynë shkencor më parë e citon një të huaj që e plason një gjysmë të vërtetë se sa shkencëtarin shqiptar që e shtron të vërtetën lakuriq. Në rastin e kolonizimit, me që kemi pasur tema që është dashur ta hulumtojmë të njëjtën hapësirë dhe të njëjtën kohë, i kisha tubuar dokumentet (me emër e mbiemër) për kolonizimin (lexo serbizimin e Kosovës), 1918-1941, për çka dokumentet dëshmonin për 24000 familje koloviste (e jo 11000), u detyrova ta botojë studimin monografik: "RIKOLONIZIMI I KOSOVËS 1918-1941;1945- 1948, duke i demantuar shifrat e Millovanit, natyrisht me dokumente serbe.

Por Millovani prapë është në modë. Lidhur me këtë, opinioni ynë shkencor nuk e ka krahasuar studimin "Reformën agrare…" të Millovanit me studimin: "Rrethanat shoqëroro- politike në Kosovë 1918- 1941" kurrë. Në këtë studim ka dy herë më shumë fakte për kolonizimin dhe "Reformën…" e Millovanit. Dua të them se ka diçka që e mban studiuesin shqiptar, të sëmurë nga inferioriteti. Tani, në 2019, në Kosovë dihet botërisht se dikush ka filluar nga viti 2011 të flasë kohë pas kohe për dialogun Kosovë-Serbi. Po mbushen dy vite që është bërë çështje publike se Aleksandër Soros, Toni Bler, Aleksandar Vuçiq, Frederika Mogerini, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, kanë shkuar bukur larg në pazarin për "korrigjim kufijsh"; për këmbim territoresh", për "këmbim popullsie", për "ndarje të Kosovës".

Këtu luhet me fatin e një populli sikur të është kartëmonedhë. Askush nuk e di çka është folur nga viti 2011 e deri sot, pikërisht një vit pas verdiktit të GJND (2010). Më kujtohet kur flitej për aneksimin e Kosovës në Serbinë federale, serbianët e venin si paravan çështjen historike dhe Kartën e Atlantikut. Këtë fakt sot rrallë kush do ta besoi pa u hapur stenograme kur u thuhej: "Për Istër që nuk ishte pjesë e Jugokralevinës nuk vlente Karta e Atlantikut e për Kosovë po; Për Kosovë mbështeteni në një gozhdë të ndryshkur historike dhe për Vojvodinë që nuk ka qenë kurrë e varur në atë gozhdë, vlejnë reagensa tjerë".Madje para të huajve 1989-1999 ua shtronim këtë pyetje: Edhe sa herë duhet tokat shqiptare të copëtohen, për të u dukur Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia ma të mëdha"?.

Madje citohej një thënie e Koça Popoviqit (luftëtarë i Spanjës dhe gjeneral antifashist dhe MPJ) kur kishte thënë:"Kemi vuajtur deri sa disa funksionarë të lartë shqiptar t` i kemi detyruar të quhen jugosllavë. Tash, kur po provohet të quhen serbian, më duket se gjenerata e re e të shkolluarve shqiptarë do të shkatërrojë dy qëllimet. Faji është te qëllimi i fundit". Edhe më shkoqur. Bombardimet e NATO-s filluan më 24 mars 1999, për të treguar se pas 23 marsit 1989 vjen kjo datë. Madje a nuk ka mundur S. Milloshi të dërgohet në Hagë një ditë tjetër, por me 28 VI 2001?

Dua të them se me pranimin e kushteve për "dialog" Kosovë- Serbi, përfaqësuesit tanë politik nuk janë të vetëdijshëm se diplomacia e Vladimir Putinit i ka shndërruar shqiptarët në element inferior, duke përhapur trillime se "Bombardimi është bërë pa vendim të KS OKB". Askush nga "negociatorët tanë analfabetë nuk i vë trurit gisht e të ua thotë se në çka thirret Rezoluta e KS OKB nr. 1160 e 31 marsit 1998, që është aprovuar unanimisht. Aty bombardimi është VIZATUAR çartë duke u mbështetë KS OKB në Kartën e OKB, Kaptina VII (nenet 39-53, sidomos neni 43). Folni Putina!

Varfëria e drejtuesve tanë shtetërorë

Madje askush nuk u përkujdes që shqip ta përkthejë Marrëveshjen e Kumanovës nga anglishtja, ku tekstualisht thuhet se "Serbia pa kushte e nënshkruan KAPITULLIMIN". Ku je Hashim Thaçi, pse i duron ta bëjë propaganda serbiane "të vërtetë" politikën se "Serbia me Kosovën është në gjendje lufte". Pse edhe këtë nuk e thua ku duhet, por po moralizon se marrëveshja do të jetë e dhimbshme për të dy palët". Me këto pak fakte u përpoqa të them se jemi në defansivë dhe e kemi kthyer Kosovën gati afër fundit të fillimit. Jo fusnota e UNMIK +EULEX-it as që bisedohet, sepse inferioritetin e kemi kthyer në kulture të nënshtrimit. Madje, A. Vuçiqi këto ditë i shkruan njëfarë Boltonit se " Serbia, Bullgaria, Portugalia… kanë qenë shtete në shekullin XII-të".

Nuk ka kush ta përcjellë këtë zotëri t'i thotë se Aleksandri i Madh Maqedonas ka pas krijuar shtet para ERËS së RE, po ku është se Napoleoni ka pas shkuar afër Peterburgut; madje Gjingiskani e ka pasur perandorinë nga Mongolia deri në Adriatik; madje Pellazgo-Ilirët shtriheshin jo vetëm në tërë Ilirinë (Ballkanin), por edhe në Afrikë. Bile Lufta e Trojës është quajtur për shkak se në te marrin pjesë popujt e TRI kontinenteve (Evropë, Azi, Afrikë).Nuk janë pra luftërat botërore më të mëdhatë. Ka dije e mbi dije. Por varfëria e drejtuesve tanë shtetërorë po shihet se Kuvendi e realizon planin e punës për 38%, Qeveria për 62%, Presidenca për 31% e rrogat i kanë rritur për 100%. Këtu e kanë embrionin GREVAT. Vetë ua kanë hapur punëtorëve shansin. Tash është fare në rrezik rendi dhe qetësia popullore, e cila nuk bëhet as me polici e as me mjete dhune, por me respektim të një ligjësie, që tri herë duhet të matet e një herë të veprohet. 

Jemi më të prirë t`i besojmë një propagande sesa që ta shohim realitetin me sy

Për këtë shkrim me shtyri njëfarë Vuk Jeremiqi, i cili këto ditë e hapi gojë për "pazarin e shekullit", për fatin e shtetit Kosovës. Po, shumë persona, madje nja njëzet, më pyetnin se a e pe çka po thotë Vuk Jeremiqi për Kosovën. Po t`u thosha se ka që TRI vite që në bazë të provave që i kam nga dora e parë shkruaj për të njëjtit emra, madje në "KOSOVA SOT", pa dyshim se arrij në konkluzë se opinioni ynë është i retarduar nga INFERIORITETI dhe nuk lexon, nuk beson në asgjë, pa e thënë serbiani.

Opinioni ynë ka dëshirë që një fakt që është shumë shqetësues për kombin ta thotë se e ka mësuar nga një "diplomat serb". Por nuk e pëlqen se ajo informatë është plasuar nga një shqiptar gati që TRI vite, madje në gazetë ditore, se kush dhe si po provohet të futet Kosova në pazarin e Putinit dhe Serbisë, të cilat e dinë fare mirë se "këmba duhet të prehet, për ta shpëtuar pjesën tjetër të organizmit", thonë mjekët. Ky fenomen i inferioritetit shqiptar dëshmon se nuk lexojmë, se e nënçmojmë vetveten, se jemi prepotentë dhe shumë më tepër jemi më të prirë t`i besojmë një propagande sesa që ta shohim realitetin me sy të shëndoshë. Më tepër kemi prirje të themi se: Pashallëku i Janinës dhe Pashallëku i Shkodrës ishin dy përpjekje të fisnikëve princa shqiptarë, për të shkaktuar trazira kundër Sulltanit, sesa të themi se fjala ishte për bërjen e dy shteteve principata.

Edhe për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, më shumë kemi prirje të themi se më në fund ishte për kompromis me Stambollin sesa ta themi të vërtetën, se fjala ishte për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe për vitin e Pavarësisë 1912, kemi prirje të themi se: "Shtetin shqiptar e themeloi Austro Hungaria" e jo fisnikëria kombëtare shqiptare, më 1941, më tepër kemi prirje të themi se PKSH që ishte parti PURO antifashiste, të themi se e themeloi Milladini me një analfabet, sesa Koço Tashko me shkollë Harvardi, Zef Mala me bekim të PK Italiane dhe Enver Hoxha që ishte "in media res", por që i dha formë dhe dimensione revolucionare antifashiste luftës drejt, ndër më të respektuarat në Evropë. Lidhur me këtë një pjesë jo e vogël që e ka sabotuar luftën, nuk ka prirje të thotë se në 1944/5 jemi çliruar me forcat tona.

Jo, duhet të mos shkëputemi nga saboterët, sepse paskan qenë dikur fisnikë nga derë familjare. E në vend që ta themi të vërtetën troç, çka vendosen: Cherchilli, Ruzvelti dhe Stalini për "ata popuj që kanë bashkëpunuar me nazifashizmin", marrim kontra pozë për t` i rehabilituar saboterët e luftës së drejtë. Tjetër çështje është për t`u vlerësuar si janë sjellë komunistët nga koha kur është aprovuar Kushtetuta. Por, të vërtetën për luftën antifashiste nuk mund ta maskojmë me luftën totalitare komuniste. Tani një pjesë e sabotuesve të UÇK-së është e prirë ta ngre në qiell deri në fetish rolin e pamohur të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Por pozita e sabotimit na plason që vlerën tonë, gjakun tonë, mundin tonë, luftën tonë të shenjtë ta zhvlerësojmë, ta defaktorizojmë me lloj-lloj fyerjesh si: "Veteranët e Çagllavicës, Veteranët e Durrësit; Veteranët e Tiranës", e epitete tjera.

Madje më reprezentative na duket që një veprimtar që me siguri e ka vrarë shërbimi sekret serb (3500 ishin deri më 2004 në Kosovë) , por jo se jo ia mëveshim UÇK-së, krejt për interes për t'u dukur se duke ndenjur nëpër kafene, e paskan për detyrë djemtë e vashat e Amerikës, Anglisë, Gjermanisë… të vdesin për neve. Dhe për ta defaktorizuar UÇKnë me dhjeta mijëra faqe tekste nga shqipfolësit janë deponuar në Hagë. Në fund ku është politika e KGB-së dhe UDB-së së transformuar në këtë rrugëtim të shtetësisë së Kosovës. Fjalën si duket e kanë marrë ata që para syve shohin vetëm fotele dhe pozita benefite.

Duan ta rrjepin shtetin e Kosovës deri në palcë. Shikoni si janë ngatërruar shqiptarët në taksën 100%, si janë mjegulluar në greva, në dialog ndërshtetëror me mbikëqyrje ndërkombëtare, në zgjidhjen e personave në ekipe, që as nuk kanë përvojë, as nuk kanë dituri shkollore. Fakti ma flagrant është odisejada e ekipit të Edita Tahirit për gati një dekadë. Tani Hashim Thaçi nuk është i vetëdijshëm se me çfarë çmimi po përpiqet Putini t`i vërë spirancat politike në Ballkan. Besoj se hyrja e Maqedonisë në NATO, do ta ndalë këtë turr, sepse edhe në BE edhe në SHBA, janë në hallakamë për rreshtimin.

Por ata që mendojnë se në shtetet despotike të Putinit dhe Vuçiqit, janë jashtë rrjedhave realiste. Jam i sigurt se V. Putini do të dështojë në destabilizimin e Ballkanit, por do të na lodhin disa nga BE-ja dhe ekipi i Boltonit për afatizim të marrëveshjes. Koha tani në shikim të parë duket se punon për ta. Por, SHBA-ja dhe NATO-ja nuk kanë asnjë llogari që të nxitojnë për ta sjellë çështjen e Kosovës atje ku ishte në Rambuje. Ai shans për Serbinë duhet konsideruar se është djegë përgjithmonë. Pse sot është një despot në fron në Beograd dhe Moskë, për momentin duhet të mësojmë se sot nesër bëhet dje. Dikush po mendon se i kanë ardhur pesë minutat, por duhet ditur se nuk do t`i gëzojnë as shekujt. 

(Kosova Sot)