Nuk janë problem për Serbinë targat ilegale të serbëve në veri të Kosovës, janë kolonistët e sjellë nga Bosnja dhe Kroacia që zbulohen si projekt i Serbisë për ndryshimin etnik të përbërjes së popullsisë

Nuk janë problem për Serbinë targat ilegale të serbëve në veri të Kosovës, janë kolonistët e sjellë nga Bosnja dhe Kroacia që zbulohen si projekt i Serbisë për ndryshimin etnik të përbërjes së popullsisë

Gani Qarri

  • 29 October 2022 - 08:57

Shkruan:ANALISTI - Gani Qarri

Marrëveshja për zëvendësimin e targave ilegale, të lëshuara nga Serbia me ato legjitime të Republikës së Kosovës, siç dihet tanimë nga të gjithë, është nënshkruar para më se një dekade, prandaj as që është e nevojshme kurrfarë shtyrje e mëtejme. Në fakt krejt kjo zhurmë që po ndodhë, as që ka të bëjë fare me targat e veturave, por me dokumentet personale të serbëve nga Bosnja e Kroacia, të vendosur si kolonistë modern, nga Serbia në veri të vendit tonë, me qëllim të rritjes artificiale të numrit të serbëve dhe zaptimit të territoreve më vitale në Kosovë.

Kolonistët serb me vendlindje të panjohur, të vendosur ilegalisht në veri të Kosovës, përveç bartjes së tabelave të prodhuara në Rashkë të Serbisë me sinkronizime të kohës së Millosheviqit për qytetet e Kosovës, duke qenë se nuk janë banor autokton të Kosovës, nuk posedojnë as dokumente të shtetit tonë, ndaj vazhdojnë qëndrimin e tyre ilegal në veri, të pajisur me dokumente personale të lëshuara nga Serbia.

Madje kjo ishte edhe arsyeja e vetme se pse Vuçiqi pranoi qarkullimin me letërnjoftime, me qëllimin perfid, që përveç mundësimit të qëndrimit të kolonistëve serb me dokumente të Serbisë në veri të vendit tonë, t`ia imponojë Kosovës edhe targat me sinkronizimet e kohës së Millosheviqit, në mënyrë që kolonistët ilegal serb me prejardhje të panjohur, të mos detyrohen të kërkojnë pajisjen me dokumente personale të Republikës së Kosovës, me ç`rast edhe do të kuptohej origjina dhe numri real i kolonistëve serb të vendosur në veri. Kështu që përveç dokumenteve dhe rreth 9 mijë targave të lëshuara nga Serbia për serbët e sjellë nga Bonja e Kroacia dhe të vendosur në veri të vendit tonë, Vuçiqi pa asnjë leje të organeve shtetërore legjitime të Kosovës, tash e një dekadë ndërton, sipas marrëveshjeve ilegale me kuislingun Hashim Thaçi edhe banesa kolektive gjithandej veriut, mbi themele e shtëpive, shkollave dhe institucioneve shqiptare në këtë pjesë të Kosovës.

Prandaj është vërtet tepër e mundimshme për tu besuar, por ja që në realitet edhe një diskriminim i tillë ndodhë, ndoshta vetëm me Kosovën, ku edhe 23 vite pas çlirimit, Serbia mund ta bëjë ligjin dhe të vendosë se me çfarë targash, dokumentesh personale dhe rregullash duhet të qëndrojnë dhe qarkullojnë kolonistët serb në veri të Kosovës! Kjo është vërtet shumë neveritëse dhe tërësisht e pa tolerushme, madje përkundër këtyre edhe më e habitshme bëhet kërkesa e ndërkombëtarëve, që edhe pas 23 vitesh kaosi e anarkie në veri nga bandat kriminale serbe, udhëheqësit e të cilave janë vendosur edhe në Listën e zezë të SHBA-ve, të kërkohet që të shtyhet afati i zëvendësimit të targave ilegale të lëshuara nga Serbia edhe për dhjet muaj tjerë, në vend se të ndalohet ndërhyrja flagrante dhe përzierjet e përhershme të Serbisë në çështjet e brendshme jetike të Republikës së Kosovës?!

Për aq më tepër, habit shumë fakti se çfarë po ndodhë, vërtetë kohët e fundit, kur Rusia tash e mbi 8 muaj ka mësyrë me gjithë arsenalin e saj teknik e ushtarak ta pushtojë Ukrainën, ndërsa Bashkësia Ndërkombëtare, në vend të frenimit të Serbisë, që të mos i përsërisë ato që po bënë Rusia, i vërsulet Kosovës, që kjo edhe pas 23 vitesh të çlirimit, ti bëjë lëshime Serbisë për imponimin e kolonistëve serb, dokumenteve të Serbisë, targave të Serbisë, që nga koha e Millosheviqit etj, apo BE dhe Fuqitë e Mëdha po kërkojnë publikisht, që të legjitimohet administrimi nga kolonistët serb dhe bandat e Vuçiqit, me veriun e Kosovës.

Kështu që vendimi i pa ndryshuar i Qeverisë së Kurti për targat, përveçse është plotësisht i drejtë, ai do të jetë edhe një grusht tjetër i rëndë kundër veprimit të strukturave ilegale serbe për më tepër se dy dekada në veriun e Republikës së Kosovës, dhe një tregues që dëshmon se vetëm kur ka vullnet e guxim politik për vendimmarrje, në mbrojtje sovranitetit dhe integritetit, si dhe respektim të ligjit e Kushtetutës së vendit, do të zmbrapset edhe presioni i pa drejtë ndërkombëtar për kompromis e tolerancë të mëtejme të kriminelëve serb mbi shtetin dhe ligjet e Kosovës!

Prandaj tani kur edhe jemi në ditët e fundit për konvertimin e targave, nga ato ilegale në targat legjitime RKS, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka nisur edhe një fushatë të përforcuar të komunikimit elektronik (sms) me qytetarët e komunitetit serbë të Kosovës lidhur me konvertimin e targave ilegale në ato RKS, derisa Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se vendimi i fundit i Qeverisë për afatin e konvertimit të targave ilegale të Millosheviqit, me ato legjitime të Republikës së Kosovës, mbetet i pa ndryshuar. “Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik, e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, ka thënë kryeministri Kurti.

Në këtë qëndrim të pa ndryshuar Qeveria Kurti e ka marr së fundi edhe mbështetjen e opozitës, por më kërkesën që vendimi të koordinohet për verim të kujdesshëm edhe me faktorët ndërkombëtar, shtetet mike në Kosovë, e veçanërisht në konsulta të ngushta dhe kontakte me SHBA-të. Kurse për të siguruar ambient të qetë dhe parandaluar provokimet eventuale të nxitura nga element të spiunazhit nga Serbia dhe Rusia, në veri të Kosovës, është përqendruar dhe shtuar patrullimi i policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.

Madje nga EULEX-i kanë paralajmëruar se Forca e reagimit të shpejtë e këtij misioni është në gatishmëri intervenimi, e nëse është e nevojshme mund të vendosin edhe njësi shtesë policore. Dhe për dallim nga 31 korriku kur, siç dihet ka pasur persona të armatosur në veri, patrulluesit e EULEX-it, kanë deklaruar se për kohën që ata po e përcjellin gjendjen atje dhe vëzhgojnë situatën, nuk kanë vërejtur lëvizje të tilla të dyshimta të personave që mundë të paraqesin rrezik për situatën, gjë që shpresojmë të mbetet kështu edhe pas kalimit të afatit për konvertimin e tabelave ilegale millosheviqiane, me ato legjitime të shtetit të pavarur të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".