Hajnat e fondit 3% për të shpëtuar po e shfrytëzojnë gjyqësorin e lidhur me nëntokën kriminale që ja bënë avokatinë krimit të organizuar

Hajnat e fondit 3% për të shpëtuar po e shfrytëzojnë gjyqësorin e lidhur me nëntokën kriminale që ja bënë avokatinë krimit të organizuar
Hajnat e fondit 3% për të shpëtuar po e shfrytëzojnë gjyqësorin e lidhur me nëntokën kriminale që ja bënë avokatinë krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 14 July 2023 - 07:35

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Dënimi minimal i ish bashkëpunëtorëve të Isa Mustafës për tërheqjen e shumave marramendëse të parave të 3%-shit, pa asnjë dokument, arsyetim as mbulesë ligjore si dhe keqpërdorimet tjera të njohura e të panjohura, për shkak të tërheqjes së parave, pa asnjë dëshmi zyrtare, si dhe vjetërsimin në kohë të mos hetimit të duhur të mënyrës së menaxhimit të fondit 3%, po e shfrytëzon tani edhe Isa Mustafa, për të deklaruar se kinse, paska qenë numër i vogël i kontribuuesve në këtë fond!

-Për ti mbuluar vjedhjet e mëdha të Isa Mustafës me shokë, pa marrë kurrë pajtimin e atyre që e kanë krijuar, ndihmuar dhe mbushur këtë fond madhor, mbarëpopullor, për turpin e tij të pa fund, ish ministri I financave në ekzil, dhelpra e vjetër Isa Mustafa, ka deklaruar se një numër "tepër" i vogël mërgimtarësh kanë kontribuar, në këtë fond. Për aq më tepër, ai tani pas rreth 30 vitesh, deklaron se 70-80 për qind e mërgatës në Gjermani nuk kanë kontribuuar në “Fondin e 3-përqindëshit”, pa publikuar asnjë dokument, anipse shumica e atyre që kanë paguar, i kanë ruajtur edhe fletëpagesat dhe dokumentet tjera ligjore, me të cilat mund ta dëshmojnë ligjërisht kontributin e tyre dhe qesin në rrenë, publikisht Isa Mustafën.

Isa Mustafa, jo vetëm rrenë fort dhe rrastë, kur deklaron pa fije turpi se vetëm 10 mijë persona kanë kontribuuar në fond, por ai, që dikur ishte edhe ministër i Rrahman Morinës, rren e shkallon edhe më paturpshëm, kur një njeri kaq i pandershëm si Isa Mustafa, thotë me hipokrizi, se paska dashur t’ia lërë si nder diasporës edhe pse dihet mirëfilli se me aq pak kontribuues, nuk mund të hapeshin banka dhe tërhiqeshin para, pa asnjë mbulesë, sipas dëshirave të atyre, të cilët i kanë pas në dorë këto mundësi dhe që tani pas një çerek shekulli, kanë filluar të dënohen, për keqpërdorimin e ati fondi! Madje ai dashka ti bëjë rrenat e tij, të besueshme edhe për publikun, duke i botuar ato edhe si libër, me informacionet sesi është formuar fondi, e deri te mënyra sesi është shpenzuar, rrenë me të cilat dashka ta dëshpërojë edhe diasporën, se 3%-shi, paska qenë kontribut, vetëm i një numri të vogël të njerëzve në diasporë.... Deklaratat e tij, e bëjnë të patejkalueshëm një hetim të detajuar, që nga fillimi i pagesave të 3%-it, e deri te hapja dhe mbyllja e Dardania Bankës, transferimi ilegal i parave dhe destinimi i paditur i tyre, ngase 3%-i, nuk është paguar vetëm në Gjermani, por edhe në vendet tjera, kudo që ka pasur mërgimtarë, përfshi edhe vet Kosovën me 5% të të hyrave personale, të cilët kanë ndarë nga kafshata e gojës, për ta ndihmuar vendin në kohët më të vështira.

Prandaj ky është kulmi i turpit, i injorimit dhe zhvlerësimit të kontributit të dhënë nga mërgata shqiptare në ditët më të vështira të luftës, që një grup njerëzish i kanë keqpërdorur, shfrytëzuar dhe shpenzuar pa asnjë mbulesë, për interesin e pasurimit të tyre, kanë hapur biznese në Kosovën e pasluftës dhe blerë edhe pozita partiake, por askush deri më tani, nuk e ka marr kurajën për të kërkuar një proces të detajuar të auditimit. Kështu që megjithëse procesi kundër keqpërdoruesve të fondit 3%, ka filluar me shumë vonesë, hetimet dhe gjykimi i atyre që kanë keqpërdorur fondin e 3%, nuk duhet të përfundoj me dy-tre persona, të akuzuar aksidentalisht, por duhet të vazhdojë me dënimin e kokave kryesore, që e kanë keqpërdorur këtë fond, veçanërisht Isa Mustafa e Bujar Bukoshi me sejmenët e tyre, derisa ta arsyetojnë çdo cent të shpenzimit të atij fondi, të tërhequr në mënyrë legale dhe ilegale, prej tyre.

Dënimin e tyre e bënë edhe më të domosdoshëm fakti, se pikërisht tani kur jemi tri dekada pas kalimit në kohë, matrapazët që i kanë abuzuar mjetet e fondit 3%, dalin dhe flasin për mënyrat se si planifikojnë për ti arsyetuar ato, kush ka kontribuar e ku dhe si janë shpenzuar, përderisa gjykata ka dënuar vetëm ndonjërin prej peshqve të vegjël, por që edhe ata, kanë mundur të tërheqin dhjetëra mijëra euro, pa mbulesë dhe asnjë dokument përcjellës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".