Skica verore në përditshmëri
Shefik Shkodra
Nga: Shefik Shkodra
Kur ecë takon e dëgjon nivelin kulturor në variacione. [Shpeshherë cikërrimat, edhe pse s’është e arsyeshme, e ngritin revoltën pa vetëdije. Ato s’madhohen e rriten më shumë se ato të mëdhatë.] – Hej!... ky ende qenka gjallë?! – Shuaj Tigjë! E kemi pasur kujdestar klase. Është njeri i mirë. S’bën ta urresh ashtu profesorin. Ai ishte si prindër për ne. A e di sa i rreptë tregohej, por kur vinte puna për të drejtën e nxënësve, ai luftonte për ta, jo ata që zgërdhiheshin me ne gjatë orëve të mësimit. Krejt kohën humor e me shprehje banale. – Po a e di çfarë familje jemi ne Zelë? Babai im ishte komitetëli në atë kohë. Vjehrra punoi në SPB, vjehrri ishte komandant i policisë në atë provincën lindore, krejt ethet në bark ua ka shti atyre banorëve. Gra e burra e kanë njohur. S’ka guxuar kush hekë as mekë të bëjë. Krejt në kokën e tij janë betuar. Dhe nga vinte ai! Nga një fshat ku “dreqi voe nuk ban!” Ia ka arritur qëllimit. Veç me besë në bashkëpunim të sinqertë me pushtetin. Sot atë ditë e përmendin edhe këta që ndodhën në qytetin tonë. Shumë respekt ka pasur ai. Njerëzit tanë janë të edukuar që t’i besojnë shtetit dhe kanë punuar për të... Im shoq po ta dinte se i flas këtij profesorit pensionist, s’do t’i vinte mirë hiç. Dhe unë s’kam pse t’i flasë (.)
– A ma lëshon një certifikatë të datëlindjes znj?
– Çka po të duhet? A s’po i di vjetët e tua? Sa vjet i ke? Uh, uh! Prit q’aty!
– Sa me të prit? Një minutë, dy, një orë?
– Prit kur të thiiiiirri.
Duke kaluar nëpër Parkun e qytetit, janë ulur shumë të moshuar nëpër ato bankat prej pëllumbave; disa prej tyre kanë rregulluar tryeza dhe kanë filluar lojën e letrave, të tjerët shahin. Kush prej tyre flasin prajshëm dhe qeshin krejt lehtë. Ndonjëri ka blerë akullore dhe e lëpin duke hapur sytë anëve, kush po e shikon. Të shkon mendja sikur e ka vjedhë. Është i tronditur nga pak. Kështu thonë, mosha...
– Ne po zbresim këtu, të paguaj sa duhet për rrugën që bëmë, i tha pensionisti taksistit, duke i nxjerrë nga xhepi 50 eu.
– Oh, ti po i thyen parat për ambasadë, a?
– Jo, jo. Kështu më kanë qëlluar, u ngut të përgjigjet pensionisti.
– Po mos me pasë me t’i thye?
– Dalim e i imtojmë diku nëpër dyqane.
– A, a, a. Na nuk presim ashtu. S’mund të ngasim pas teje. Kështu dikush është i mësuar. S’ka pare të ima, leje pra krejt, hajt.
– Jo ore, nuk jam i tillë, u përgjigj i moshuari.
– Tjetër herë kij kujdes, unë kam para t’i bëjë t’ima deri në 3000 eu, i tha taksisti.
– Po, po. Mirë e kuptova. A na prit për pak kohë se po kthehemi pasi ta mbarojmë punën? Besoj nuk do të vonojmë shumë.
– Jo more, s’kam kohë.
Dielli shkrinte në zenit. Temperatura 35, 36, thua qielli po hedh zjarr. I moshuari filloi të turbullohet, më shumë nga dialogu me taksistin se sa nga vapa.
Pas pesë minutave del nga zyrat e ambasadës dhe kthehet me të shoqen në rrugë, po si të niset Dragodanit te poshtë?! Ka kaluar kohë e gjatë, kur e ka përshkuar këtë vend, pa rrugë e pa aq ndërtesa në çdo kënd. Duke menduar me vete se, edhe sikur të mund të ecnin pa drojë nga vapa, rrugë ishte vështirë ta tëfillonte. Ndërkohë një taksist kalon pranë, vetëm me një femër përpara, i moshuari e ngrit dorën, e ai shoferi derisa e gjet një vend, më përtej, u ndal.
– Urdhëroni, hyni! Dy të moshuarit u ulën në veturë. Dhe pyetja e parë e këtij shoferit ishte: Ku zbrisni ju? – Po diku në qendër të qytetit nëse mundeni të na afroni. Aty duhet të gjejmë diçka për shkuar në stacionin e autobusëve.
– Po, tha taksisti, unë iu dërgoj në qendër, aty u tregoj ku duhet ta prisni një autobus që shkon për F. Kosovë dhe ai ju afron te stacioni.
– Sa duhet të paguajmë mjeshtër? – Jo, tha taksisti. Asgjë. Nuk u mora për pagesë. E çoj vajzën time në punë dhe ju po ndihmoj deri në qendër. – Po ti e ke firmën zotëri. – S’ka lidhje, ndoshta s’kemi ardhur deri në atë shkallë...për aq. Nuk jemi të gjithë njësoj! Po të ishim të gjithë njësoj e veç për fitim “do të na lëshonte toka”. Të moshuarit iu çelën pak sytë. Dhe u ndie si në oborr të shtëpisë së vet.
Te Plepat (dikur) u ndalua vetura. Shoferi po ua bën me dije se, këtu ndaluni dhe prisni autobusin nr. 1, i cili shkon për F. Kosovë dhe kalon pranë stacionit, aty kaloni semaforët. Sapo u futen në autobus, dy vajza të reja ua liruan vendin dy të moshuarve. Pensionisti filloi të mendohet: më erdhi forca e u qetësova. Ky i përshëndet të gjithë ata për mirësjellje dhe edukatë tradicionale!...
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".