Shkaqet e rënjes së interesimit të mërgatës për organizim!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Si asnjëherë më parë gjatë historisë në krye të shtetit janë pseudovlerat dhe pseudopatriotët, kurse të anashkaluar dhe të harruar kanë mbetur intelektualët e kalibrit, aktivistët dhe veprimtarët që për dekada kanë mbajtur mbi supet e tyre barrën e organizimit dhe rezistencës kundër pushtuesve serbë, thënë ndryshe e anashkaluar është një popullatë e tërë në Kosovë dhe mërgatën tonë.
Irritimi i mërgimtarëve nga aktivitetet partiake të shoqatave në Diasporë
Është një numër tepër i vogël i mërgimtarëve që marrin pjesë nëpër aktivitete të shoqatave në Diasporë. Arsyeja është fare e thjeshtë, shpërdorimi i mundit dhe djersës së mërgimtarëve nga dy fondet; “Fondi i 3 %-shit” dhe “Vendlidnja Thërret” gjatë luftës së fundit në Kosovë, përkatësisht shpërdorimi dhe abuzimi i fondeve të luftës, pastaj nga shpëlarja e parave të pista e të gjithë pushtetarëve të inkriminuar të pasluftës nga individ të papërgjegjshëm deri në ditët e sotme brenda shoqatave të ndryshme në Diasporë.
Po ajo që e ka irrituar më së tepërmi mërgatën për mospjesëmarrje nëpër aktivitete të shoqatave është lidhja e disa prej drejtuesve të shoqatave me pushtetarët në Kosovë për interesa personale, për punësimin e bijëve dhe bijave të veta nëpër institucionet publike dhe shtetërore në Kosovë, duke e harruar në tërësi interesin e mërgimtarëve.
Kjo formë e nepotizmit iu është kthyer në bumerang shoqatave të caktuara në shtetet evroperëndimore me bojkotimin e aktiviteteve të tyre nga mërgimtarët.
Por, çfarë bëjnë drejtuesit e shoqatave të mbetur gjithnjë e më pak në numër, i kanë mobilizuar grupet e interesit nëpër të gjitha shoqatat nga qytetet dhe vendet e tjera për t’u bërë bashkë në aktivitete, në mënyrë që të duken se janë shumë në numër, por në realitet, të gjithë së bashku nuk bëhen sa bëheshin dikur në një shoqatë të vetme gjatë luftës, kur numri i i mërgimtarëve ishte 1 mijë herë më i vogël seqë është tani në secilin qytet dhe shtet perëndimorë.
Shoqatat që dikur ishin simbol i unifikimit dhe vend i bashkimit të bashkatdhetarëve, janë shndërruar në bastione të partive politike në mërgatë, duke u shndërruar në përçarëse të mëdha të mërgatës sonë.
Një prind i arsimuar më i mirë sesa një mësues analfabet
Organizimet e festave kombëtare dhe shtetërore me pjesëmarrjen e eksponentëve partiak nga Kosova, i ka kthyer shoqatat në filiale të partive politike. Kjo ka bërë që mërgimtarët të mos kenë fare interesim për pjesëmarrje në aktivitete ku ndodhen politikanët e një krahu të caktuar politikë të cilët vijnë për t’u promovuar në mërgatën tonë si njerëz të “ndershëm” të luftës apo të paqes pa asnjë meritë personale në çlirimin e vendit dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Kjo nuk është e keqja e vetme, në këto tubime partiake e multipartiake të shoqatave injorohen veprimtarët më të devotshëm të mërgatës sonë dhe atë për dy arsye; e para, pse janë më të aftë dhe më të zotët sesa ta, dhe e dyta, pse janë apartiakë dhe nuk i përkasin asnjë subjekti politikë, të cilët i trajtojnë si oponent politik e jo si atdhetarë të dëshmuar të çështjes kombëtare në mërgatën tonë.
Rënja e interesimit të mërgimtarëve për pjesëmarrje nëpër aktivitete të shoqatave ka ndikuar drejtëpërdrejt në rënjën e numrit të nxënësve nëpër shkollat shqipe, përkatësisht të mësimit politësues.
Edhe anashkalimi dhe injorimi i vlerave të mirëfillta në mërgatë, ka ndikuar negativisht në rënjen e intersimit të mërgimtarëve edhe për shkollat shqipe në Diasporë. Në çfarë niveli kanë rënë shumica e shkollave shqipe në Diasporë, më i mirë është një prind i arsimuar sesa një mësues analfabet në mësimin plotësues!
Ky ç’orjentim i gabuar e drejtuesve të shoqatave, ka ndikuar në irritimin e masës së gjërë të mërgatës sonë, të cilët, nëse rastësisht një herë shkojnë në një aktivitet, herave tjera nuk shkojnë më! Kjo dukuri është prezente nga paslufta, por më e theksuar pas ri-shpalljes së Pavrësisë së Kosovës. Andaj, nganjëherë më mirë është të mos marrësh pjesë fare në një aktivitet partiak të një shoqate sesa të etiketohesh me ndonjë subjekt politik.
Cilët janë Sekserët e Diasporës
Shfaqja e fenomentit të sekserëve të pushtetit vendor në Diasporë zanafillen e ka në vitet e para të pasluftës, zhvillimin në vitet e para të paspavarësisë, ndërsa kulminacionin përgjatë këtyre 15 viteve të fundit.
Sekserët e Diasporës janë individ dhe grupe të interesit, të cilët janë të lidhur drejtëpërdrejt me segmentet e krimit të organizuar, përkatësisht me pushtetarët e inkriminuar në Kosovë e Shqipëri.
Sekserët e Diasporës janë urith të nëntokave partiake të maskuar nën petkun e "Shoqatave", që u shërbejnë interesava klanore për realizimin e ndonjë interesi të vogël personal nga bosët e krimit të organizuar në Kosovë dhe Shqipëri.
Si vrojtues i mirë i kësaj situate, përgjatë viteve të fundit i kam përcjellur me vemëndje aktivitetet e tyre në mërgatën tonë.
Ministria e Diasporës është katalizatori kryesor i lidhjes dhe shpërndarjes së informacioneve me shoqatat dhe organizatat mike, i eksportimit dhe importimit të parave nga buxheti i shtetit.
Lidhjet që kanë krijuar sekserët me nëntokën kriminale dhe krimin e organizuar janë të fuqishme. Pavarësisht ndërrimit të pushtetarëve, përkatësisht drejtuesve të Ministrisë së Diasporës, ato lidhje ripërtërihen pa ndonjë problem me ministrat apo zv.ministrat e rinjë.
Sikurse në Kosovë që bëhen bashkë nëntokat e partive politike, edhe Sekserët e Diasporës, këta urithët e nëntokave partiake, kur janë në pyetjet privilegjet, duke filluar nga lëpirja e ndonjë ashti të fëlliqur nga pushtetarët, punësimi i ndonjë familjari në institucione e deri tek ambicia më kulmore e përfshirjes së drejtëpërdrejt të tyre në institucione apo staf diplomatik, e harrojnë përkatësinë partiake dhe ideologjike, miqtë e shoqërinë.
P.S. Ky shkrim është një analizë e përgjithësuar, e nxjerrë nga gjendja reale nëpër të gjitha shtetet evroperendimore dhe ato transatlantike. Pra, analiza nuk i përket një një qyteti apo shteti, e aq më pak një shoqate apo individi të caktuar. Ato shoqata dhe veprimtarë të devotshëm që më nder e kryejnë detyrën kombëtare në Diasporë nuk janë objekt i kësaj analize të ndërtuar mbi bazën e argumenteve.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".