Edhe Kurti brenda kurthit
Ekrem Krasniqi
« Ka jetë edhe pa anëtarësim në BE, sikur që ka në Zvicër, Norvegji, Islandë e Britani të Madhe. Asnjë udhëheqës i Kosovës, pra as Albin Kurti nuk kanë të drejtë që të vendosin për Kosovën, por është vet populli i saj. Ky vendim, pra edhe vendimi për kompromis eventual me Serbinë duhet të merret me referendum popullor, e jo ndryshe »
Shkruan: Ekrem Krasniqi, Bruksel
Kurthi ndaj Kosovës për të kënaquar kërkesat e Serbisë përbrenda Kosovës, nëse Kosova dëshiron që të anëtarësohet ndonjëherë në Bashkimin Evropian, filloi si « dialog teknik ».
Ne gazetarët e akredituar në institutionet e BE-në Bruksel e dinim se çfarë në të vërtetë qëndron pas fjalës « teknik ».
U dështën vetëm 3-4 muaj më pas që zëdhënësja e asaj kohe e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, privatisht të na e thotë se dialogu ka të bëjë në të vërtetë me çështje politike për pakicën serbe në Kosovë. Dhe, kështu ndodhi dhe po ndodhë tash 12 vite më pas.
Dialogu në fjalë në fakt është negociatë që synon kompromise nga të dyja palët, meqë që të dy palët thonë se e duan anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
Karrota e madhe dhe nënshkrimet e Hashim Thaçit e Isa Mustafës
Sikur të mos ekzistonte kjo « karrota e madhe » për anëtarësim në BE, nuk ma merrë mendja se do të kishte negociata fare, apo ato do të ishin përmbyllur ndryshe dhe shumë herët. Por, karrota qëndron, për Serbinë afër syve të saj, e Kosovës po i thuhet se eziston kjo karrotë.
Në këtë kurth u fut qeveria e moderuar PDK-LDK së pari me Hashim Thaçin në krye të saj. 2 vite pas fillimit të negociatave, në 2013 Thaçi dhe bashkëqeveritarët e tij e përjetuan kurthin duke bërë matjet e para të dimensioneve për themelin e Associacionit për Komunat me shumicë Serbe (AKS), duke e ngarkuar Kosovën me çfarë tash po na e thonë është « obligimin ndërkombëtar » për ta krijuar atë. Votat u grumbulluan në parlament pa pjesmarrjen e LVV-së në votim.
E 2 vite më pas, kurthin e përjetoi edhe qeveria e tjetër e moderuar me renditje pakëz të ndryshuar, LDK-PDK, me në krye Isa Mustafën, e cila shkoi përtej dimensioneve të themelit duke hartuar dizajnin e saj të jashtëm dhe të brendshëm, por e përjetoi peshën e rrezikshme të saj pak më lehtë duke e dërguar në gjykatë kushtetuese.
Dëmet e nënshkrimeve në 2013 dhe 2015 mbeten për të tjerët pas tyre, edhe pse Mustafa mund të krenohet se e dërgoi atë në gjykatë kushtetuese e cila e gjeti statutin e nënshkruar të jetë në shpërputhje me kushtetutën në pjesën me të madhe të përmbatjtjes.
Por kurthi nuk u zhduk, ai mbetet aty edhe sot sepse qenka « obligim ndërkombëtar ».
Albin Kurti i dikurshëm e i sotmi
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, i cili asaj kohe si opozitar ishte 100% kundër AKS, ka ndryshuar mendje dhe filluar të moderohet pjesërisht, por jo krejtësisht. Ai ende po reziston për përmbajtjen e AKS-së.
Kurti, sot kryeministër, edhe ai vendosi që të futet në kurth. Ai tash është duke e përjetuar kurthin dalëngadalë, por po tenton që dalë nga i njëjti i pa lënduar apo i pa gërrithur e gjakosur.
Të paktën kështu na duket nga jashtë, sepse vetëm ai e di se çfarë thotë mendja e tij përbrenda, përkatësisht se si do të jetë vendimi i tij përfundimtar : të mbetet në kurth e të tentoi të na e shes përfundimin sikur as ai e as Kosova nuk ka pësuar lendime më të mëdha sesa që u shkaktuan në 2013 dhe 2015, apo të dalë nga kurthi krejtësisht, pra negociatat, pa marrë obligime tjera shtesë.
Pranimi verbal dhe gatishmëria e tij për të nënshkruar kompromisin e 27 Shkurtit, është dëshmia se Kurti ka pranuar që të futet në kurth, duke shpresuar se ai do të vendos për themelin, e dizajnin e jashtëm dhe të brendshëm të AKS-së, e me të cilat Aleksandar Vucici do të pajtohej.
Kjo nuk po ndodhë, dhe as që është pritur se do të ndodhë, dhe nuk pritet që të ndodhë.
Propozimi i tij i 14 Shtatorit është dëshmia tjetër se Kurti do të vazhdojë të ndodhet brenda kurthit.
Dikur AKS tash IVMSK
Kurti tash si kryeministër pajtohet që të formohet një AKS , apo me fjalor të ri : Instrument i Vet-Menaxhimit për Serbët e Kosovës (IVMSK). Por se çfarë konkretisht do të jetë kjo AKS apo IVMSK, se çfarë fuqi/kompetenca ekzekutive do të duhej të ketë apo të mos ketë e me të cilat do të pajtohej Kurti, këtë vetëm ai e di, e ne vetëm mund të bëjmë parashikime.
Ai këtë ende po refuson që të shpalosë, edhe pse të i dërguari i SHBA- Gabriel Escobar po ia kërkon vazhdimisht.
Kurti ndodhet në kurth, në atë kurthin e vjetër në të cilin ishin dikur Thaçi dhe Mustafa, por ai është duke manovruar brenda tij për mos u lënduar dhe gërrithur e gjakosur, përkundër presioneve të jashtëzakonshme në cilat ndodhet ai, e bashkë me të edhe krejt Kosova dhe populli shqiptar i saj, nga BE dhe të deleguarit e Josef Bidenit, dhe ish-ministri i Millosheviqit, i cili tash e 12 vite shantazhon BE-në për destabilizim të 3 shteteve, e sidomos që nga agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës.
Njohje eventualisht
Kurthi u ashpërsua rëndë vitin e kaluar, kur qeveria e Bidenit u pajtua me kundërshtimet e Aleksandar Vuçiçit, e kështu edhe BE-në, që të ketë tash për tash një marrëveshje të përkohshme, pra jo përfundimtare dhe pa njohje reciproke.
Me këtë ndryshim të qëndrimeve të qeverisë së Bidenit, kurthi u bë edhe më i rrezikshëm, dhe pikërisht brenda tij ndodhet Kurti dhe e krejt Kosova.
Tash qeveria e Bidenit dhe BE kur flasin së bashku, thonë se më vonë do duhej që të ketë një marrëveshje përfundimtare për « normalizim të marrëdhenieve ».
Ndërsa qeveria e Bidenit, dhe të dërguarit e tij kur u drejtohen shqiptarëve të Kosovës, fjalori pakëz ndryshon dhe aty shtohet fjala « eventualisht ». Pra, kinse për një marrëveshje përfundimtare me « eventualisht » njohje reciproke (Shih letërn e Bidenit dërguar Kryetares Vjosa Osmani në Shkurt 2023).
Por kështu nuk thuhet në propozimet e Borrelit e Lajcakut, pra e as në tekstin e 27 Shkurtit i cili do të bëhet pjesë shtesë e kornizës negociuese të Serbisë për anëtarësim në BE. Aty nuk flitet për njohje reciproke në një marrëveshje të më vonshme përfundimtare.
Këto elemente të shkruara e të pranuara nga Kurti dhe Vucic, janë pjesët shtesë të kurthit për Kurtin dhe shqiptarët e Kosovës.
Në këto rrethana, dhe sidomos presionit të egër ndaj tij dhe shqiptarëve të Kosovës, do të duhej ndonjë mrekulli që Kurti të vazhdojë të qëndrojë brenda kurthit pa u lënduar, gërrithur e gjakosur së shpejti, e me pasoja të përhershme e të pashërueshme për shtetin e Kosovës.
Anketa e IRI thotë JO 2 herë
Për të shpëtuar të paktën veten e mos akuzohet për vendimet e tij të ardhme sikur që ai i akuzon Thaçin e Mustafën, Kurti do të duhej t’i thjeshtëonte gjërat.
80 përqind e qytetarëve të Kosovës janë kundër Asocianionit e 79 perqind janë kundër koncesioneve ndaj Serbisë në shkëmbim të njohjes. (shih tabelat e anketës nga IRI).
« Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por, Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të”, pat thënë Kurti në Qershor 2022 në një paraqitje me studentët në Oxford.
Por, në Shkurt 2023 Kurti pranoi më pak, për të shpresuar ende për më shumë, pra njohjen reciproke më vonë, eventualisht, do të thonë të deleguarit e Bidenit dhe vet Bideni.
Në spital e në karrocë në kimoterapi ose në Referendum
Kujdes nga kurthi me përplotë erë karrotash Albin. Kujdes nga ky kurth Kosovë.
Nuk jetohet pa gjymtyrë dhe organe. Nuk jetohet në karrocë e në spital e në kimoterapi të përhershme. AKS e dërgon Kosovën në terapi dhe ai do të ketë metastazat e tij gradualisht më vonë.
Ka jetë edhe pa anëtarësim në BE, sikur që ka në Zvicër, Norvegji, Islandë e Britani të Madhe. Asnjë udhëheqës i Kosovës, pra as Albin Kurti nuk kanë të drejtë që të vendosin për Kosovën, por është vet populli i saj. Ky vendim, pra edhe vendimi për kompromis eventual me Serbinë duhet të merret me referendum popullor, e jo ndryshe.
(Autori është themelues i agjencisë së lajmeve dtt-net.com në gjuhën angleze për Ballkan dhe BE)
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".