Demonstrimi i forcës ushtarake të Serbisë në Peshter të Sanxhakut, skenar fashizoid i kërcënimit direkt të shtetit

Demonstrimi i forcës ushtarake të Serbisë në Peshter të Sanxhakut, skenar fashizoid i kërcënimit direkt të shtetit
Demonstrimi i forcës ushtarake të Serbisë në Peshter të Sanxhakut, skenar fashizoid i kërcënimit direkt të shtetit

Gani Qarri

  • 21 April 2024 - 08:56

 Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Demonstrimi ekstrem i forcës ushtarake të Serbisë në poligonin ushtarak të Peshterit në rajonin e Sanxhakut, me artileri të rëndë dhe me demonstrimin cinik edhe të dronëve vetëvrasës, është një tjetër kërcënim i hapur ushtarak dhe shantazh i agresionit publik kundër Kosovës. Andaj zhvillimin e këtyre manovrave ushtarake, me shumë të drejtë edhe kreu i Qeverisë së Kosovës z. Albin Kurti e ka vlerësuar si një kërcënim të radhës kundër Kosovës nga ana e Serbisë fashiste, kërcënim ky në vazhdën e dislokimit të forcave të shumta ushtarake gjithandej përgjatë vijës kufitare Kosovë Serbi.

 

Kryeministri i vendit, Albin Kurti me të drejtë ka deklaruar se ky demonstrim force në afërsi të kufijve të territorit të Kosovës është edhe një tregues tjetër që flet se Serbia është shkaktari kryesor i destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe se vet këto ushtrime janë dëshmi e kësaj politike të ulët cinike me të cilën Serbia rrezikon hapur paqen dhe stabilitetin në rajon. Kurti tha se këto ushtrime po mbahen 30 kilometra larg kufirit me Kosovën dhe 3 kilometra larg kufirit me Malin e Zi, të cilat si të tilla janë destabilizuese për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor, akt që dëshmon se nuk është zgjedhur fare rastësisht edhe territori i mbajtjes së tyre në afërsi të të dy shteteve, pra Kosovës dhe Malit të Zi. Se është fakt që ky ushtrim ushtarak afër Kosovës dhe Malit të zi ka për qëllim frikësimin dhe kërcënimin e hapur të këtyre dy shteteve, e dëshmoi edhe vetë prania e zyrtarëve të lartë serb që i përcollën këto manovra ushtarake vetëm disa kilometra larg kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi, e të cilat i kanë bërë bashkë, pikërisht ata zyrtarë bashibozuk serb që kanë shpifur edhe idenë e formimit të të ashtuquajturës “botës serbe”.

 

Dhe siç dihet tanimë këto ushtrime janë përcjellë nga afër nga presidenti kriminel i Serbisë Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë Ivica Daçiq, disa ministra, presidenti i të ashtuquajturës "republika srpska" Dodik, dhe kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, serbi i njohur rusofil Andrija Mandiq. Sipas një njoftimi në stërvitje kanë marr pjesë më shumë se 2000 pjesëtarë të Brigadës së Dytë të Ushtrisë Serbe dhe njësitë përkatëse, me 350 mjete luftarake, ku Serbia fashiste ka demonstruar, jo pa qëllim edhe efektet e dronëve vetëvrasës, me qëllim që ta "frikësoj" Kosovën dhe kundërshtarët e Serbisë në Mal të Zi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".