Kërkesat për zgjedhje urgjente në komunat e veriut, pas dështimit të votimit në referendum, janë kërkesa që bien ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e shtetit të Kosovës

Kërkesat për zgjedhje urgjente në komunat e veriut, pas dështimit të votimit në referendum,  janë kërkesa që bien ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e shtetit të Kosovës
Kërkesat për zgjedhje urgjente në komunat e veriut, pas dështimit të votimit në referendum,  janë kërkesa që bien ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e shtetit të Kosovës

Gani Qarri

  • 25 April 2024 - 07:32

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Sipas ligjeve dhe Kushtetutës të Republikës së Kosovës, pas dështimit të referendumit të së dielës, për largimin e kryetarëve shqiptar nga postet në komunat veriore të Kosovës, nëse vullnetarisht nuk japin dorëheqje nga pozitat e tyre, ata mbesin në pozitat që mbajnë në mënyrë të ligjshme edhe për një vit të plotë deri në përsëritjen e procedurës zgjedhore. Kurse kërkesa e ngutshme e Francës, për zgjedhje të reja urgjente në katër komunat e veriut të Kosovës, pas, bojkotimit të referendumit të 21 prillit nga diktimet e Serbisë tek minoritarët serb, është një anim i hapur dhe mbështetje e pandershme e obstruksioneve të Serbisë hegjemoniste, si dhe ndërhyrje direkt në sistemin ligjor e kushtetues të Republikës së Kosovës i cili nuk lejon përsëritje të procesit të njëjtë pa kaluar një vit i plotë nga votimet që u zhvilluar të dielën e kaluar!

-Përderisa përfaqësuesi francez Nicolas de Rivière, bënë thirrje të tilla dhe thotë se zgjedhjet duhet të organizohen shpejt në veri të Kosovës, ai nuk është në gjendje, të na sigurojë neve, as veten, për pjesëmarrjen e minoritarëve serb, bashkë me komunitetet tjera që jetojnë në veri, për të zgjedhur kryetarët e rinj. Madje pas dështimit të referendumit të së dielës, kundër zgjedhjeve të shpejta në veri të Kosovës, është deklaruar edhe vet ambasada e SHBA-ve, në Kosovë, gjë që është shumë domethënëse dhe deklaratë mjaft pozitive, për zhvillimet në atë pjesë të shtetit tonë, e cila ka shprehur keqardhje për bojkotin, por ka deklaruar se të zgjedhurit e vitit të kaluar, vazhdojnë mandatin e fituar në mënyrë demokratike. Për aq më tepër, ambasada e SHBA-së në Kosovë, njëjtë si përfaqësuesi gjerman, në vendin tonë, e ka kritikuar dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën "listë serbe" lidhur me vendimin e diktuar nga Serbia, për mospjesëmarrje të minoritarëve serb, në votim, gjë që është vërtetuar edhe nga ekipet ndërkombëtare të vëzhgimit, me pjesëmarrjen e ulët të tyre.

Dhe përderisa nuk ka asnjë vendim nga votuesit për të tërhequr kryetarët e bashkive, kryetarët aktualë të komunave të zgjedhur në mënyrë demokratike, me votën e lirë të qytetarëve, mbesin në pozita sipas kornizës ligjore të Kosovës”, thuhet edhe në reagimin nga ambasada e SHBA-ve, prononcim ky i cili duhet mbështetur e përshëndetur sinqerisht nga Qeveria e qytetarët e Kosovës dhe mbetur në fuqi, deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta ligjore në Kosovë. Në fakt, Kosova me referendumin e organizuar, për largimin e kryetarëve në veri, ka dëshmuar për të satën herë, para SHBA-ve, BE-së dhe mbarë faktorit ndërkombëtar, se është shtet serioz, që vërtetë respekton të drejtat e minoriteve në vend dhe përmbush në plotëni, të gjitha kërkesat ndërkombëtare për trajtimin e pakicave në këtë drejtim.

Kështu që BE dhe SHBA duhet ta shohin përfundimisht, se është Serbia ajo, që pengon jetësimin e këtyre standardeve, siç ndodhi së fundi, pa dëshirën e Kosovës, që edhe ky referendum, me insistimin e Serbisë, të bojkotohej nga vet serbët lokal. Bojkot prapa të cilit, pa asnjë dyshim, përveç Serbisë, qëndron edhe dora e saj e zgjatur në Kosovë, e njohur tashmë si elementi më turbullues politik, e ashtuquajtura "listë serbe", akt për të cilin, do duhej, jo vetëm "dënuar" por edhe sanksionuar sa më rëndë, pikësëpari Serbia hegjemoniste, e cila edhe 25 vite pas lufte, nuk lejon integrimin e pakicës serbe, në vendin tonë. Madje për këto ndërhyrje kaq tendencioze, me qëllim të përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës, Serbia do duhej ndëshkuar sa më rëndë nga ndërkombëtarët, kurse e ashtuquajtura "listë serbe", për bojkotin e vazhdueshëm që u bën zgjedhjeve demokratike në vendin tonë, do duhej përjashtuar tërësisht nga lista e partive politike dhe ndaluar veprimtaria, gjithnjë e më subervzive e saj në Kosovë!

Kurse nga bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA, është koha e fundit dhe akt i domosdoshëm, që kundër Serbisë përfundimisht të vendosen sanksione sa më të ashpra, si për ndërhyrjet në Kosovë, aq më tepër edhe për faktin e ndalimeve arbitrare të mijërave qytetarëve shqiptar në kufi, me të cilat Serbia hegjemoniste, dëshmoi se nuk heq dorë nga maltretimet, marrjet në pyetje dhe burgosja, në mënyrë arbitrare e qytetarëve të pafajshëm shqiptar, vetëm pse ata, kalojnë transit, përmes territorit të Serbisë! Akte me të cilat Serbia po shkel me të dy këmbët marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel dhe cenon rëndë të drejtat e njeriut, andaj nëse as pas dështimit të referendumit nën diktatin e Serbisë në veri, dhe ndalimit e burgosjes arbitrare të udhëtarëve të rëndomtë shqiptar, nëpër Serbi, nuk ndërmerret asgjë kundër shtetit hegjemonist serb, bie hapur në sy, mostrajtimi i barabartë dhe dënimi arbitrar e i padrejtë i BE-së, ndaj shtetit të Kosovës, gjë që ulë përtokë edhe vet reputacionin e BE-së dhe vë në dyshim të pa-kompenzueshëm edhe neutralitetin e proklamuar me pompozitet, të faktorit ndërkombëtar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".