LDK-ist, zgjohu e thuaj JO hipokrizisë brenda subjektit tënd politik!

LDK-ist, zgjohu e thuaj JO hipokrizisë brenda subjektit tënd politik!
  • 05 February 2016 - 09:17

Shkruan: Florim Zeqa

Shtohen zërat kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president i vendit

Elektorati rugovian i LDK-së ka vetëm një alternativë për shpëtimin e asaj çka ka mbetur; distancimin nga lideri partiak

Ditëve të fundit, brenda LDK-së janë shtuar zërat kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president i vendit. Kërkesë kjo krejt e natyrshme për rrethanat normale, mirëpo për rrethanat e krijuara politike, thirrja e disa individëve kundër Hashim Thaçit president në njërën anë, dhe heshtja përballë Isa Mustafës në anën tjetër, shkaktarit kryesor që e mbajti në pushtet Hashim Thaçin për këto gjashtë vjetët e fundit, për më tepër se hipokrizi politike, është edhe marrëzi njerëzore njëkohësisht.

Mbështetja në heshtje e liderit të LDK-së, i rizgjedhur nën masa të jashtëzakonshme të presionit, shantazhit dhe diktatit politik, është goditja më e rëndë që po i jepet këtij subjekti politik, duke filluar nga drejtuesit e degëve dhe nëndegëve e deri tek anëtarësia e gjerë e këtij subjekti politik.
"Kundërshtimi" i hapur i disa deputetëve të LDK-së kundër Thaçit president, përveçse se hipokrizi, është edhe lojë e dyfishtë, ngase të pakët do të jenë ata deputetë të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të kenë guximin të mos e votojnë Thaçin president, shkaku i ruajtjes së interesave të tyre personale, ngase pothuajse secili deputet i LDK-së, nga qeverisja e kaluar (Thaçi 1 e 2) dhe kjo e sotmja, i kanë të punësuar  nëpër institucionet shtetërore (Qeveri, Kuvend, Presidencë, ambasada, agjenci, borde dhe institucione të tjera) familjarët e tyre; dikush bashkëshorti(e)n, djalin apo vajzën, vëllain apo kushëririn e afërt, hallat apo tezet, të dashurin apo të dashurën, miqtë dhe farefisin e gjerë,...e kështu më radhë të bashkuar në rrjetin korruptiv sikurse në rrjetën e Spiderman-it!

Elektorati rugovian nuk harron

Të gjithë ata deputetë të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që e patën votuar marrëveshjen në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, për koalicion me PDK-në me kushtin që Hashim Thaçi të bëhet president i vendit,...mosvotimin e tyre të mundshëm e bëjnë, jo për të mirën e vendit, por për të fuqizuar pozicionet e tyre në parti, me qëllim të mbajtjes sa më gjatë në kreun e partisë, liderin aktual Isa Mustafa, për përmbushjen e ambicieve personale për pushtet dhe zhvatje të buxhetit të shtetit përmes klanit qeverisës të Isa Mustafës.
Elektorati rugovian i nderon me mbamendje në kujtesën historike delegatët e paktë të Këshillit të Përgjithshëm, që nuk e votuan marrëveshjen për koalicion me PDK-në, sikurse që nuk do t’i harrojë asnjëherë ata që në Kuvendin  VIII  Zgjedhor të partisë votuan pro zgjedhjes antidemokratike të Isa Mustafës në krye të partisë.

Mbështetësit e Isa Mustafës me lidhjen e koalicionit me PDK-në e Hashim Thaçit, duke filluar nga Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm, degët dhe nëndegët gjithandej Kosovës,...dhe mosmbështetja e Peticionit të elektoratit rugovian në mërgatë i shpërndarë në mesin e dhjetorit 2015, do të mbahen në mend dhe do të futen në histori, si mospërfillje e vullnetit të elektoratit rugovian në Diasporë, të qindra mijëra mërgimtarëve, të cilët çdo ditë në forma të ndryshme shprehin vullnetin e tyre për ndryshime substanciale në qeverisjen e vendit, e në veçanti në strukturën udhëheqëse të LDK-së. 

Megjithatë, deklarimet e fundit të disa nëndegëve të LDK-së gjithandej Kosovës kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president, janë një ogur i mirë dhe një dëshmi e fuqishme e tradhtimit  të vullnetit të tyre nga lideri aktual i LDK-së, i cili pa pyetur njeri në këtë subjekt, kishte bërë marrëveshje personale me Hashim Thaçin, duke qenë i bindur në vartësit e tij, lakmitarët e të gjitha pushteteve në Kosovën e para dhe pasluftës e deri në ditët e sotme.

Zgjedhja e Thaçit president, tragjedi për LDK-në

Tragjedia më e madhe për këtë parti do të jetë zgjedhja e Hashim Thaçit president, me votat e LDK-së, me votat e të ashtuquajturve ‘’LDK-ista"  të maskuar nën petkun e rugovizmit, bashkëpunëtorë të devotshëm të PDK-së, SHIK-ut dhe strukturave të tjera korruptive.

Edhe pse në njëfarë mënyre mosvotimi i Thaçit për president nga ana e deputetëve të LDK-së, e nënkupton prishjen e kurorës qeverisëse mes dy partnerëve qeverisës, në anën tjetër e fuqizon rolin e liderit diktatorial në këtë parti, duke e lënë të hapur prapë mundësinë e ribashkimit të tyre në një koalicion tjetër qeverisës para apo pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Vetëm largimi i binomit qeverisës PDK-LDK, respektivisht Thaçi-Mustafa me sejmenët e tyre do të thoshte shpëtim për vendin. Kjo në asnjë rrethanë nuk e nënkupton ardhjen në Qeveri të një klase tjetër opozitare të korruptuar, të pasuruar skajshmërisht mbi kurrizin e një popullate të varfër.

Elektorati rugovian i LDK-së, ka vetëm një alternativë për shpëtimin e asaj çka ka mbetur për t'u shpëtuar në këtë subjekt; distancimin nga lideri partiak, me kërkesën për largimin e tij nga kreu i partisë dhe tërheqjen imediate nga koalicioni vrastar me PDK-në, në të kundërtën, thyeqafja politike dhe përmbytja përfundimtare në greminë e LDK-së do të jenë të pandalshme, pas "varrosjes" politike që i bëri Isa Mustafa LDK-së në Kuvendin fatkeq të saj më 31 majit 2015.
Andaj, LDK-ist, zgjohu e thuaj JO hipokrizisë brenda subjektit tënd politik.