A është xheneti një dimension tjetër?

  • 06 July 2015 - 15:22
A është xheneti një dimension tjetër?

A e shohim ne universin të tillë si është në të vërtetë apo vetëm si disa fragmente të diçkaje shumë më të madhe?

Çka nëse planeti ynë dhe të tjerët nuk janë asgjë më shumë sesa qeliza të cilat përbëjnë diçka më të madhe, tepër më të madhe? Sikur ta shihnin njëra-tjetrën qelizat e organizmit, pa e ditur se ato janë pjesë e një krijese shumë më të madhe, të quajtur njeri. Ato nuk kanë perspektivë që ta kuptojnë këtë koncept.

Apo, paramendojeni këtë: ne kemi gjësende dydimensionale në botën tonë, sikur që janë fotot dhe pamjet në TV. Sikur të vinte ndokush nga një planet tjetër e të na shihte duke qëndruar me orë të tëra duke shikuar një kuti, të cilën ne e quajmë TV, kurrë nuk do të mund ta kuptonte se pse është interesant për ne.

Nëse marrim parasysh dimensionet e tjera që mund të ekzistojnë, atëherë mund të shpjegojmë dhe kuptojmë shumë gjëra që na kanë munduar për shumë kohë, sikur që janë paraqitjet e fantazmave, UFO-t, të cilat paraqiten dhe zhduken duke sfiduar ligjet e fizikës, që i njohim ne. Pastaj, ndoshta do të mund t’i kuptonim edhe disa koncepte fetare, sikur që është xheneti dhe xhehenemi. E, të mos flasim për lëvizjet poltergeist të objekteve. Në librat fetar thuhet se kënaqësitë që përshkruhen se ekzistojnë në xhenet, janë vetëm shembuj, që të na i bëjnë neve sa më konkrete ato. Me fjalë të tjera, xheneti është diçka që nuk mund ta marrim me mend. diçka që kurrë nuk e kemi parë dhe përjetuar.

Paramendoni sikur të ishim në një botë njëdimensionale. Ne do të mund të shihnim përpara dhe prapa, por jo edhe anash dhe lart-poshtë.

Një gjë që nuk e shohim, nuk d.m.th. se nuk ekziston. Ka kaluar koha e materializmit të ashpër, i cili thoshte se diçka që nuk e përjetojmë me shqisat tona, nuk ekziston.

Ne nuk jemi asgjë më shumë sesa një koncept në dimensionin e tretë, por ne bëhemi realitet në dimensionin tjetër, pas vdekjes.

Nëse ende nuk jeni bindur, le të kthehemi sërish te TV-ja. Tërë ato valë TV, të gjithë filmat që i shohim dhe muzikën që e dëgjojmë, gjenden në ajër, por po nuk patëm aparat TV, apo radio, ne nuk i shohim, as dëgjojmë ato. Por, ato ekzistojnë edhe në atë rast.

(Kosova Sot) 

Image
Image