< Eksperiencat pranë vdekjes: përjetim i shkurtër i amshimit - Planeti X - Kosova Sot
Eksperiencat pranė vdekjes: pėrjetim i shkurtėr i amshimit

Eksperiencat pranė vdekjes: pėrjetim i shkurtėr i amshimit

Njerëzit, të cilët pretendojnë që kanë parë vdekjen me sy dhe pas saj edhe jetën e amshimit, kanë dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me atë që e kanë parë, transmeton gazeta Kosova Sot.

Besimi në ekzistencën e një jete pas kësaj në tokë është një besim tejet i përhapur dhe që daton që nga kohërat e lashta. Derisa kulturat antike, si puna e asaj të egjiptianëve të vjetër, besonin në ekzistencën e "tokës së të vdekurve", njerëzit modernë besojnë në një jetë pas vdekjes në parajsë, si shpërblim për punët e mira, ose në ferr, si dënim për veprat e këqija. Idetë më të vona pretendojnë që jeta mund të vazhdojë në një dimension tjetër në linjën e ekzistencës, ndoshta në një planet tjetër. Pa marrë parasysh idetë, duket që njerëzit duan të besojnë dhe nganjëherë edhe kanë nevojë të besojnë në jetën pas vdekjes.

Dëshmitë e jetës pas vdekjes

Natyrisht, nuk ka provë të qartë të ekzistencës së jetës pas vdekjes, megjithatë ka shumë rrëfime për jetën pas vdekjes, që i shtyjnë njerëzit të besojnë në ekzistencën e saj: rastet e reinkarnacionit, me njerëz të cilët kujtojnë momente nga jeta në "një trup tjetër" dhe me shumë njerëz që pretendojnë që janë takuar me familjarët e tyre të vdekur, të cilët u kanë treguar që janë në rregull dhe se po e shijojnë jetën në parajsë.

Eksperiencat pranë vdekjes

Vlerësohet që 9-18 për qind e njerëzve, të cilët janë në rrezik për të vdekur, përjetojnë eksperienca pranë vdekjes. Ndonëse shkenca pretendon që këto eksperienca janë si rezultat i aktiviteteve të caktuara të trurit, shumë të tjerë i besojnë si momente nga jeta që na pret pasi të kemi vdekur.

Drita në fund të tunelit

Njëra nga përvojat më të shpeshta që njerëzit, të cilët pretendojnë të kenë përjetuar eksperiencë pranë vdekjes, është ngritja nga trupi dhe fillimi i një rrugëtimi në një tunel, në fund të të cilit shihet një dritë. Të gjithë njerëzit, të cilët kanë parë diçka të tillë, e kanë përshkruar eksperiencën si shumë të këndshme. Edhe Tom Sawyer ka pasur një përvojë të tillë në vitin 1978 pas një aksidenti me kamion dhe edhe ai e ka përshkruar incidentin ngjashëm me njerëzit tjerë.

Një vend i paqes dhe dashurisë

Njerëzit, të cilët kanë pasur eksperienca pranë vdekjes, e kanë përshkruar vendin që e kanë parë si një vend të mbushur me ngjyra dhe përplot dashuri. Ky vend atyre u është dukur "i njohur" dhe njerëzit, me të cilët janë takuar, kanë qenë shumë mikpritës. Arthur E. Yensen, njëri nga personat që ka përjetuar eksperiencë pranë vdekjes, i ka përshkruar përjetimet e tij në librin "Beyond the Light: What Isn't Being Said About Near-Death Experience", ku, mes të tjerash, ka thënë: "Malet dukeshin sikur ishin 20 kilometra larg, megjithatë mund t'i shije lulet nga ajo largësi. Mendoj që kapaciteti i shikimit ka qenë 100 herë më i mirë sesa ky që kam. Gjendesha në kopshtin më të bukur që kisha parë ndonjëherë".

Takimi me të dashurit

Ata që përjetojnë eksperienca pranë vdekjes shpeshherë takohen me shokët, familjarët dhe njerëzit tjerë të dashur, të cilët kanë vdekur. Bryce Bond, në librin e Atwater-it, "Beyond the Light", ka shkruar: "Për një moment kam dëgjuar të lehurat e një qeni. Ai m'u pati afruar dhe m'u pati hedhur në gjoks. Menjëherë e kam ditur që ishte Pepe (qeni i tij, që kishte ngordhur kohë më parë)". Të tjerët, të cilët janë takuar me të dashurit e tyre, zakonisht kanë parë gjyshërit dhe prindërit e tyre të ndjerë.

Eksperiencat negative

Megjithatë, jo të gjitha eksperiencat pranë vdekjes janë të këndshme dhe të bukura. Nganjëherë ato vijnë në formë të ankthit. Don Brubaker kishte përjetuar sulm në zemër dhe ka qenë në vdekje klinike për 45 minuta. Ai, në librin e tij "Absent from the Body: One Man's Clinical Death, a Journey Through Heaven and Hell", ka shkruar: "Kam qenë në ferr. Kam dëgjuar britmat e shumë njerëzve, që vinin nga një gropë. Pa kaluar shumë kohë, më patën futur edhe mua në atë gropë dhe pastaj u pati mbyllur një derë e rëndë e zezë. Njerëzit bërtisnin sikur po vdisnin, megjithatë nuk ishin të vdekur". 

(Kosova Sot)

 

41 minuta më parë