Receta e Cekës: SALMON ME SALCË DOMATESH - Reçeta - Kosova Sot
Receta e Cekës: SALMON ME SALCË DOMATESH

Receta e Cekës: SALMON ME SALCË DOMATESH

PËRBËRËSIT:
 4 fileta salmoni nga 150 gr,
 3 dcl vaj ulliri,
 1 qepë,
 4-5 domate të mëdha,
 2-3 thelpinj hudhre,
 kripë,
 50 gr gjalpë,
 1/5 kg spinaq të freskët,
 disa kokrra ulliri,
 majdanoz,
 3 dcl verë të bardhë,
 2 lugë uthull,
 1 lugë gjalpë,
 1 lugë miell,
 2 dcl qumësht.
FiLETA SALMON

Çdo copë e salmonit pritet horizontalisht në tri fileta. Kriposen, u hidhet vaj ulliri dhe qëndrojnë në vend të ftohtë. Qepa e grirë në rende fërgohet 4 minuta në vajin në të cilin është marinuar salmoni. Shtohet hudhra, përzihet 2-3 herë dhe shtohen domatet e qëruara dhe të prera në katrorë të vegjël. Në zjarr të ngadaltë zihen domatet 40 minuta. Spinaqi i përvëluar e i kulluar fërgohet në gjalpë 2 minuta. Në një lugë gjalpë fërgohet mielli 1-2 minuta. Shtohet qumështi dhe, duke e përzier vazhdimisht, vlohet salca edhe 3-4 minuta gjersa të trashet. Në tepsi të lyer me yndyrë radhiten 4 fileta salmoni, mbi vihen fleta spinaqi, pastaj beshamelli e mbi të pureja e domateve. Prapë vihet nga një filetë salmoni, spinaq, beshamell dhe mbulohet me salmon. Hidhen verë e uthull dhe futet në furrë të nxehtë me temperaturë 200 gradë C për t’u pjekur për afro 15 minuta. Salmoni i pjekur vendoset në 4 pjata e përreth, derdhet lëngu në të cilin janë pjekur. Zbukurohet me ullinj dhe fleta majdanozi. Në vend të beshamellit, mund të shtrohen copa të holla kaçkavalli. 

(Kosova Sot)

19 orë e 40 minuta më parë
24/09/18