Receta e Pepës- Bakllava e shpejtë

  • G.g /
  • 29 April 2022 - 14:09
Receta e Pepës- Bakllava e shpejtë

PËRBËRËSIT:

2 vezë të plota e 3 të verdha vezësh, 1 gotë vaj e 1 qumësht, afro 800 gr miell të situr dhe të përzier me pluhur paste, 700 gr niseshte, 1/2 kg arra të grimcuara ose të bluara, 1/2 kg gjalpë.

SHERBETI:

2 kg sheqer, 1 lit ujë, lëngu i ½ limonit, 1 sheqer vanileje. Tunden vezët me pirun, shtohet vaji dhe qumështi. Në masën e përzier mirë, shtohet mielli gradualisht dhe zihet një brumë i butë. Brumi ndahet në 10 pjesë, e pastaj nga çdo pjesë bëhen nga 5 toptha, gjithsej 50 toptha. Çdo topth hapet sa një pjatë e vogël dhe duke e përmillur me niseshte vehen nga 5 petë njëra mbi tjetrën. Pesë petët e bashkuara hapen dhe hollohen duke i përmillur me niseshte, në një petë të hollë dhe të madhe. Njëlloj veprohet me tërë masën e brumit. Nëse dëshirohet bakllava me petë të radhitura, atëherë petët e holluara vehen në tepsi njëra mbi tjetrën, duke i spërkatur me nga një lugë yndyrë. Pasi të hollohen dhe palosen në tepsi gjysma e petëve, vehen arrat dhe shtrihen nga të gjitha anët njëlloj. Hollohen edhe gjysma e petëve të tjera në të njëjtën mënyrë dhe vehen mbi arra.

Pritet në formë delimash. Nëse dëshirohet bakllava me petë të mbështjella në role, atëherë pasi të hollohet peta me 5 kuleçë, paloset gjer në gjysmë nga të dyja anët, poshtë dhe lartë. i hidhen arrat në mes në formë shiriti dhe mbështillet sikurse roladë, duke e palosur pjesën e lartë përmbi. Bakllava pritet në delima madhësish të dëshiruara dhe me lugë i hidhet gjalpi i shkrirë. Futet në furrë të nxehtë me temperaturë 160 gradë C për t’u pjekur gradualishtpër 1 1/2 orë ose edhe më tepër. Nëse bakllava skuqet mbi që në fillim, ajo mbulohet me letër dhe pjekja vazhdon gjersa të skuqen petët edhe brenda. Sherbeti: Vlohet uji me sheqer, shtohet ½ limoni i prerë në flegra dhe lëngu i gjysmë limonit si dhe 1 sheqer vanileje. Pasi të largohet sherbeti nga zjarri, shtohet një gotë çaji ujë i ftohtë dhe me sherbet të valë, përvëlohet bakllava e ftohur. Mbulohet gjersa ta pijë sherbetin. Në vend të arrave, mund t’i hidhen vishnjet të pastruara nga bërthamat.

(Kosova Sot Online)