Receta e Pepës: Tullumba
PËRBËRËSIT:
• 9 filxhan kafeje ujë, • 1 filxh. kaf. vaj, një majë thike kripë, • 7 filxh. kaf. miell, • 3 filxh. kaf. niseshte, • 1 pluhur paste, • 6 kokrra vezë, • 1 litër vaj.
• 1 ½ kg. sheqer, • 7 ½ dcl ujë, • 1 lëng limoni, • 1 sheqer vanileje, • Pasi të marrë valë, sherbeti vlon 7 min. Uji vlon me një majë thike kripë dhe 1 lugë vaj. Largohet nga zjarri. Hidhet mielli i përzier me niseshte dhe pluhur paste. Përzihet mirë dhe prap kthehet në zjarr që të fërgohet gjersa të mos shkëputet nga luga dhe ena. Pasi të ftohet brumi, i hidhen vezët një nga një duke tundur mirë me mikser, gjersa të fitohet një brum i njëllojtë. Një litër vaj hidhet në tenxhere për t’u nxe. Me brumin e përgatitur mbushet forma e dhëmbëzuar dhe nëpërmjet saj nxirren tullumbat drejtë në yndyrë të nxehtë.
Hidhen pjesë pjesë dhe fërgohen nga të gjitha anët gjersa të zverdhen në ngjyrë ari. Nëse skuqen shpejtë, ulet pak zjarri. Hiqen nga vaji me lugë të shpuar dhe futen drejt në sherbet të ftohur. Gjersa të fërgohen të dytat, të parat qëndrojnë në sherbet, pastaj largohen nga sherbeti, dhe palosen në një enë të thellë, e kështu veprohet gjersa të hargjohet i tërë brumi. Sherbeti që mbetet hidhet mbi tullumba , në mënyrë që ato të lagen plotësisht në sherbet. Shërbehen me shurup trëndafili, limonadë, bozë e tj. Shije të veçant kanë të kombinuara me tamëloriz.
(Kosova Sot Online)