Ushqimet kryesore, që e largojnë dhembjen kronike

  • E.K /
  • 25 May 2021 - 13:35
Ushqimet kryesore, që e largojnë dhembjen kronike

E definuar si dhembje nervore, apo e muskujve, dhembja kronike në shpinë, gjunjë, supe, legen, kokë dhe në pjesë tjera të trupit, përpos me ilaçe, mund të largohet edhe me disa ushqime.

QEPËT

Sipas revistës "Arthritis Today" qepët janë të pasura me komponentë, të cilët e luftojnë inflamacionin në nyja. Qepët janë të pasura sidomos me kuercetinë, një antioksidues, i cili lufton enzimat përgjegjëse për inflamacionin, ulë nivelin e kolesterolit, mbron nga sëmundjet e zemrës dhe parandalon përhapjen e kancerit. Mund t'i përdorni në sallata, apo edhe si ushqim kryesor.

DREDHËZAT

Përpos që janë të shijshme dhe të lëngshme, dredhëzat ndihmojnë edhe në uljen e vlerës së proteinës C-reaktive (CRP) në gjak, proteinë e cila paraqitet me rastin e inflamacionit. Nivelet e larta të CRP-së shoqërohen me rritje të rrezikut nga sëmundjet e zemrës, infarktit të trurit dhe artritit reumatoid. Dredhëzat po ashtu janë të pasura edhe me vitaminë C, një antioksidues, i cili ka aftësi ta zbusë dhembjen.

SPECAT DJEGËS

Specat djegës përmbajnë përbërësin aktiv që quhet kapsaicinë, e i cili stimulon prodhimin e endorfineve, opiateve natyrore të organizmit, me çka ndihmon në zbutjen e dhembjes. Kapsaicina po ashtu mund ta bllokojë transmetimin e sinjaleve të dhembjes në organizëm dhe ta inhibojë enzimën e cila shkakton lirimin e prostaglandineve dhe të substancave të tjera që shkaktojnë dhembje. Nëse vuani nga ndonjë formë e dhembjes kronike, konsumoni gjysmë luge të vogël biber të kuq, djegës, çdo ditë.

JOGURTI

Mund të mos besoni, por konsumimi i rregullt i jogurtit dhe i produkteve të tjera të qumështit mund të ndihmojë në largimin e dhembjes kronike. Jogurti përmban dy përbërës që ndihmojnë në ndërtimin e eshtrave, si kalciumi dhe vitamina D. Vitamina D mund të ndihmojë në largimin e dhembjes, derisa kalciumi forcon eshtrat dhe muskujt. Përdorni jogurt me probiotikë, meqë këta mikroorganizma ndihmojnë në kontrollimin e inflamacionit dhe, me këtë, edhe të dhembjes.

(Kosova Sot Online)