Dieta me domate për humbje të shpejtë të kileve

  • E.k /
  • 13 March 2024 - 11:41
Dieta me domate për humbje të shpejtë të kileve

Të freskëta, të ziera, të ndrydhura... domatja është mbretëreshë e perimeve (edhe pse, teknikisht, bën pjesë në pemë). Dieta për të cilën e kemi fjalën ua ofron mundësinë që, për pesë ditë, të humbni deri në 3 kg dhe të ndiheni për mrekulli. Ja menyja pesëditore e kësaj diete

DITA E PARË

Kafjalli: 2 rriska bukë të thekur, të zezë, me pak margarinë dhe me një lugë mjaltë Çaj apo kafe pa sheqer Dreka: Një sallatë e madhe me domate dhe djathë Në një enë të madhe përgatiteni sallatën nga këta përbërës: 150 g djathi pa yndyrë 350 g domate të freskëta 1 lugë vaj ulliri 1/2 mëlmesë bimësh sipas shijes Përzieni të gjitha mirë dhe ftoheni në frigorifer para se ta konsumoni me bukë të thekur. Zamra:1 nektarinë (mollë) Darka: Makarona me salcë domateje Grini dy karota në katrorë dhe fërgoni pak në vaj ulliri, shtoni 50 ml lëng dhe fërgoni edhe pesë minuta. Shtoni 400 g të domateve të grira imtë, të shtohet kripë dhe pak ajkë për zierje. Të zihen për dhjetë minuta në zjarr të dobët. Salcën qiteni mbi makaronat e zier. Sasia e makaronave (pa zier) është 60 gramë.

DITA E DYTË

Kafjalli: 200 g jogurt me pak yndyrë (1,5% yndyrë) të përzihet me një lugë mjaltë dhe të shtohen dy lugë të mëdha të flluskave të tërshërës. Dreka: Sallata greke Të grihet qepa në rrathë, të shtohen dy domate të grira në copa më të mëdha, si dhe një trangull i madh, po ashtu i grirë trash. Shtoni 2 lugë lëng limoni, një lugë vaj ulliri, kripë, biber, pak trumzë dhe 2-3 ullinj të zi. Përzieni krejt mirë e mirë dhe leni për 10 minuta, që të bashkohen përbërësit. Zamra: Një copë peme, apo një filxhan kafe me 2 - 3 keksë nga mielli integral. Darka: Supë me troftë deti Fërgoni dy qepë me pak vaj, shtoni dy domate më të mëdha të grira trash dhe 2,5 dl supë perimesh. Krejt këto zieni në zjarr të moderuar për rreth 10 minuta. Supën kullojeni nëpër kulluese të imtë, shtoni kripë, biber, fare pak sheqer dhe një filetë të pjekur të troftës së detit.

DITA E TRETË

Kafjalli: Pak bukë integrale me dy lugë të djathit me pak yndyrë. Në njërën gjysmë të bukës lyejeni djathin dhe qiteni grishën e domates dhe pak qepë të re, të grirë, gjysmën tjetër lyejeni me mjaltë. Dreka: Tortiljet Grini 300 g domate dhe 100 g kërpudha shampinjonë në copë të mëdha. Përzieni dy vezë, 4 lugë ujë mineral, 2 lugë majdanoz dhe kripë e biber. Kërpudhat qitni në një tenxhere me pak vaj. Pasi që të avullohet uji, shtoni domatet dhe fërgoni derisa të rrudhen. Qiteni edhe përzierjen e vezëve dhe fërgoni në zjarr të moderuar, derisa të bashkohen të gjithë përbërësit. Zamra: Merrni dy karota dhe grini në shkopinj, duke i mbështjellë më pas me proshutë të gjeldetit. 1 dl lëng domatesh Darka: Mish me domate Piqni 125 g salsiçe viçi në tenxhere pa shtuar vaj dhe, sipas shijes, shtoni kripë. Shtoni 400 g domate të grira në katrorë dhe pak trumzë. Krejt këta përbërës zieni në temperaturë të lartë për disa minuta. Shujtën kompletojeni me një grishë buke të thekur.

DITA E KATËRT

Kafjalli: Dy rriska buke të thekur të lyhen me djathë krem dhe t'iu shtohet nga një grishë proshutë. 2 dl lëng të freskët domateje Dreka: "Gaspaço" i ftohtë Në pak vaj ulliri fërgojeni një qepë të vogël, shtojeni një spec të grirë. Fërgoni pak e shtoni më pas 500 g domate. Zieni për nja 10 minuta. Në fund shtojeni edhe një trangull të grirë në katrorë, një thelb të hudhrës, të grirë imtë, si dhe kripë dhe biber sipas dëshire. Shërbejeni me katrorë të bukës së thekur. Zamra: Përgatiteni një sandviç të vogël nga një grishë buke integrale, me një shtresë të hollë të djathit të freskët, mbi të cilin keni qitur susam, një grishë të gjeldetit të tymosur dhe, përmbi, qiteni domaten, të grirë në rrathë më të trashë. Darka: Oriz me domate Hiqeni pjesën e epërme të dy domateve, hiqjuani brendësinë dhe qitni në një enë për zierje. Mbushni me përzierje prej 50 g djathi me pak yndyrë, 125 g orizi të zier, pak borzilok, pjesët e grira të domateve dhe hudhrën e grirë imtë. Qitjuni pak djathë përmbi dhe piqni në furrën e nxehur në 200 shkallë C, për 15 - 20 minuta.

DITA E PESTË

Kafjalli: 2 dl lëng të zier domatesh 2 toste integrale të lyer hollë me djathë të shkrirë dhe me grisha të domates. Dreka: Sallata italiane Grijeni bukën e thekur integrale, përziejeni atë me 400 g domate dhe, sipas dëshirës, me një sallatë të gjelbër dhe me dhjetë ullinj. Shtojeni edhe një mocarella të grirë (125 g). Qitni përmbi dy lugë vaj ulliri dhe uthull, shtoni kripë dhe biber. Zamra: Një mollë, kivi dhe mendra - kivin dhe mollën grini në katrorë me disa pika mjaltë. Shtoni disa gjethe të freskëta të mendrës. Darka: Specialitet i veçantë i kësaj diete Për këtë gjellë duhet që në katrorë të grini 200 g patate , katër karota dy presh, 100 g shampinjonë dhe 4 kërcej të selinos. Grini qepët dhe dy thelpinjtë e hudhrës dhe fërgoni në dy lugë të vogla të vajit të lulediellit. Më pas shtoni perimet dhe kërpudhat. Shtoni kripë, biber dhe rigon. Shtoni 100 ml supë perimesh dhe krejt këto zieni mirë të mbuluara për 15 min. 

(Kosova Sot Online)