Gati për garën e vitit

  • 01 August 2015 - 08:44
Gati për garën e vitit

Automobilizëm në Sllatinë

Janë bërë të gjitha përgatitjet për garën më të madhe të vitit, ‘Drag Race’, e cila gjatë kësaj fundjave do të mbahet në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë. Deri në mëngjesin e së premtes janë paraqitur 130 pjesëmarrës, por me shumë gjasë numri i garuesve do të jetë edhe më i madh. Përveç pjesëmarrësve nga Kosova (përfshirë një numër të madh të tyre nga diaspora), në garë do të ketë edhe shumë garues nga Shqipëria, pastaj nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kroacia. Janë të gjitha parakushtet që gara të jetë tepër atraktive. Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) ka bërë përpjekje maksimale që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në këtë drejtim ka bashkëpunuar edhe me një grup ekspertësh kroatë (të licencuar ndërkombëtarisht), të cilët do të bëjnë matjen e kohës dhe llogaritjen e rezultateve.

Gjashtë kategori

Veturat do të ndahen në gjashtë kategori, sipas fuqisë së motorit, ndërsa shpërblime do të ketë për tri pozitat e para në secilën kategori. Sponsor gjeneral i garës është kompania “Eurogoma”, derisa “Lassa Tyres” do ta japë shpërblimin prej 1000 eurosh për garuesin që do ta ketë kohën më të mirë të shtegut. FASK-ja ka menduar edhe për sigurinë e shikuesve, ku në bashkëpunim me “Bechtel Enka” ka siguruar mbrojtëse anësore të betonit, e në të njëjtën kohë do të jetë edhe Policia e Kosovës që do të sigurojë rend dhe qetësi. Gjithashtu është siguruar edhe parkingu për shikues, që pritet të jenë në numër shumë të madh. (Kosova Sot)