ZYRTARE: Liga Unike fillon më 6 prill

  • 02 April 2021 - 12:23
ZYRTARE: Liga Unike fillon më 6 prill

Më në fund, Liga Unike do të vihet në jetë. Kryetari i Bordit të kësaj lige, Ilir Trebicka ka njoftuar se pas një periudhe të gjatë kohore që nga nënshkrimi i marrëveshjes për inicimin e ligës së përbashkët Shqipëri – Kosovë në basketboll “Liga UNIKE”, garat do të fillojnë me datën 6 Prill 2021.

Gara do të zhvillohet në format të “Final 8” me sistem eliminimi dhe ndeshjet e para çerekfinale do të luhen në Rahovec më 6 dhe 7. Ndërsa, ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës UNIKE do të zhvillohen me datat 13-14 Prill në Durrës.

Image

 Çiftet e ndeshjeve të para do të dihen sot pas hedhjes së shortit. Për shkak të gjendjes me Covid-19, hedhja e shortit do të bëhet në ambientet e Ligës UNIKE. “Për mua, stafin e Ligës UNIKE dhe stafin e Federatave Nacionale është nder dhe privilegj i veçantë jetësimi i ligës së përbashkët Shqipëri-Kosovë. Uroj që kjo garë të ketë fillim të mbarë dhe të përçojë mesazh unifikues në të gjithë spektrin sportdashës në Shqipëri dhe Kosovë”, ka thënë Trebicka.

(Kosova Sot Online )