Ylli i Milanit e mbron Hakimin ndaj izraelitëve
Mesfushori i Milanit Ismael Bennacer e ka mbështetur mbrojtësin e Paris Saint-Germain, Achraf Hakimi, i cili u fishkëllye për 90 minuta të tërë gjatë Superkupës së Francës të dielën.
Hakimi ishte titullar për PSG-në në humbjen 1:0 ndaj Lille në Superkupën e Francës dhe u fishkëllye sa herë që e preku topin në Stadiumin Bloomfield në Tel Aviv të dielën.
Mbi 20 mijë tifozë izraelitë në Bloomfield ia bënë Hakimit shumë të vështirë debutimin në një ndeshje zyrtare për PSG-në.
Arsyeja pse marokeni u fishkëllye pas cdo prekje të topit është rreshtimi i tij përkrah palestinezëve në konfliktin izraelito-palestinez.
Në maj, Hakimi kishte bërë fushatë në rrjetet sociale për lirinë e Palestinës, pas përshkallëzimit të konfliktit mes palestinezëve dhe Izraelit.
Nëntë palestinezë u vranë nga sulmet ajrore izraelite, të cilat erdhën si kundërpërgjigje e Izraelit ndaj raketave që grupet palestineze hodhën në territorin e tij.
Izraeli u përgjigj me sulme ajrore në territorin bregdetar palestinez.
Përfaqësuesi i Algjerisë Bennacer e mbrojti ish-yllin e Interit në një reagim në Instagram.
Mesfushori i Milanit e postoi një fotografi të Hakimit në fanellën e PSG-së, në të cilën vendosi një emotikon që simbolizon heshtjen, si dhe një emotikon zemër, për ta përkrahur 22-vjeçarin.
(Kosova Sot Online)