Krenari popullore që buron nga internet cafet

  • 25 April 2022 - 13:31
Krenari popullore që buron nga internet cafet

Fjalët “po rrinë ton ditën para kompjuterëve t’u luajt loja” u demantuan të dielën e 24 prillit 2022. Djemtë që rrinin “ton ditën para kompjuterëve t’u lujt loja” dje e bënë krenar të gjithë popullin shqiptar. Ekipi kosovar në CS:GO, Bad News Eagles shkroi histori duke u kualifikuar në turneun më të madh në botë në këtë lojë. Pesë djelmosha që e kalonin shumicën e kohës duke luajtur atë lojë, e jetësuan ëndrrën e tyre dhe njëherit shkruan historinë për Kosovën. Loja që bënë ata, bashkëpunimi i mirë dhe gjithçka tjetër u vërejtën nga i gjithë komuniteti i CS:GO në botë. Ata fituan zemrat e krejt popullit shqiptar me arritjen e bërë dje.

“A po i përcjell BLINK-at, shumë të fortë, po bëjnë histori”. Kjo ishte shprehja që jo rrallëherë e kam dëgjuar nga miqtë e mi, e që çdoherë ishte injoruar plotësisht nga unë.Ata po vazhdonin të korrnin suksese të jashtëzakonshme në lojën CS:GO, ndërsa unë bëja shaka me miqtë që linin çdo punë që kishin për të përcjellë ndeshjet e tyre drejtpërdrejt. As nuk kisha luajtur kurrë e as nuk kisha shikuar asnjë ndeshje të tyre dhe nuk e kisha në plan ta bëja… deri të enjten.

Të enjten e 21 prillit do të nisnin ndeshjet kualifikuese për turneun më të madh të CS:GO në botë, PGL Antwerp Major 2022. Ekipi që dikur njihej me emrin BLINK, kurse tani me emrin Bad News Eagles shkruajtën historinë duke u bërë skuadra e parë nga Kosova që merr pjesë në këtë fazë kualifikuese. Por, pesë djemtë kosovarë ishin të uritur për më shumë, kërkonin kualifikimin në atë turne. Përballë tyre ishin ekipet më të forta të botës në këtë lojë, por përkundër kësaj, optimizmi për sukses shihej në fytyrën e lojtarëve të Bad News Eagles.

Kjo ishte padyshim një ngjarje e madhe, ku një ekip kosovar po garonte me më të mirët e botës dhe në si redaksi e sportit vendosëm ta përcillnim. Por, për të mos dështuar dhe për të raportuar drejt rreth kësaj ngjarjeje, duhej të informohesha për ekipin kosovar, për disa prej kundërshtarëve dhe për lojën në përgjithësi.

“Bad News Eagles është ekipi i parë prej Kosovës që ka arritur të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese për këtë turne. Nën organizatën BLINK ata kanë arritur të renditen në vendin e 21-të në botë. Kanë luajtur në ligën Esea Premier, që është liga e dytë më e mirë, pas ESL. Ata gjithashtu kanë luajtur në kualifikime për të hyrë në këtë ligë, por që fatkeqësisht janë eliminuar. Ndërsa tash si Bad News Eagles kanë marrë pjesë në Open Qualifiers, nga ku u kualifikuan në RMR Europe, pra në kualifikimet për PLG AntwerpMajor 2022. Momentalisht, Bad News Eagles gjenden në pozitën e 43-të në renditjen botërore”, filloi të më tregonte Alberti, miku im i cili i përcillte vazhdimisht ndeshjet e tyre, e të cilin e pengova gjatë tërë ditës me pyetje.

Me këto informata dhe të tjera në vazhdim që merrja nga ai, fillova të kuptoja rreth lojës e sidomos rreth suksesit të madh që Bad News Eagles kishin arritur deri aty. Historia veçse ishte shkruar me pjesëmarrjen në ndeshjet kualifikuese. Gjithashtu, u anëtarësova në grupin e CS:GO Kosova / Albania në Facebook për të parë dhe kuptuar më shumë nga e gjithë kjo situatë.

Aty postimet ishin me bollëk. Mbi 10 mijë anëtarë, pothuajse të gjithë prisnin me padurim nisjen e aventurës së ekipit kosovar në këto kualifikime. Informacione rreth ekipeve kundërshtare, rreth lojtarëve kundërshtarë, rreth “map-ave” ku tanët mund të ishin më të suksesshëm. Postimet e tilla nuk ndaleshin në grupin e famshëm të kësaj lojë, që atë ditë ishin bërë së bashku në përkrahje të ekipit të parë kosovar që garon në këtë nivel.

Sistemi i garimit ishte i tillë: Një ekipi për kualifikim në turne i duheshin tri fitore nga pesë ndeshje gjithsej. Në rast se një ekip fitonte tri ndeshjet radhazi, automatikisht kualifikohej tutje. Për ta fituar një ndeshje, një ekip duhej të fitonte 16 raunde.

“Shqiponjat e Kosovës” në ndeshjen e parë do të përballeshin me ekipin rus, Entropiq, që renditej i 14-ti në ranglistën botërore. Përkundër kësaj, Bad News Eagles arritën të shënonin fitore në vazhdime 19:17 duke bërë një përmbysje fantastike të rezultatit për ta siguruar fitoren e parë dhe një nismëtë mbarë të kësaj aventure. Kjo fitore “çmendi” edhe komunitetin e CS:GO në Kosovë. Grupi u mbush me postime në përkrahje të pesë djelmoshave: Dionisit, Flatroni, Gencit, Senerit dhe Rigonit. Në ndeshjen e radhës, BNE do të përballej me ekipin numër shtatë në botë. Përveq kësaj, ata së fundmi kishin marrë një lojtar, Brollan për shifrën e 600 mijë eurove. Ndërkohë, ekipi Bad News Eagles ishte pa asnjë investim, vetëm pesë të rinj që po e jetonin ëndrrën.

Në përfundim të pjesës së parë, Bad News Eagles po pësonin me rezultat 13:2 dhe humbja u bë e paevitueshme. Por, djemtë arritën që të ngushtonin epërsinë dhe në fund humbën dinjitetshëm me rezultatin 16:11.

Pak kohë pas kësaj humbje, u bë i ditur edhe kundërshtari i radhës, me të cilin Bad News Eagles do të përballeshin të nesërmen (e premte) nga ora 11:00.Ishte ekipi i katërt në botë, G2, që në radhët e veta kishte super yjet e botës në CS:GO. Po ashtu, G2 vitin e kaluar kishin arritur deri në finale të këtij turneu për të cilin po synonin të kualifikoheshin. Përkundër kësaj, BNE nuk u tregua aspak nivel më i dobët, duke humbur në fund me shifrat 16:10

Ndeshja e katërt për skuadrën kosovare do të vinte të shtunën, ndërsa dueli do të zhvillohej në tri terrene (map-a) gjithsej. Ekipi që i fitonte dy, do të kishte mundësinë të luajë nesër ndeshjen vendimtare, kurse humbësi eliminohej.

Përballë BNE ishte ekipi nga Rusia, ASG. Në terrenin e parë, ekipi kosovar “shpërtheu” duke e fituar me rezultat 16:2. Ndërkohë, në terrenin e dytë, ata hasën në rezistencë shumë më të fortë, por në fund ia dolën të fitonin 16:13 për t’i bërë dy fitore në kualifikimet për PGL AntwerpMajor 2022.

Emocione të pa përshkruara dhe gëzim i jashtëzakonshëm vërehej në sytë e lojtarëve tanë, të cilët sapo kishin bërë një tjetër hap gjigant drejt realizimit të ëndërrës së tyre. Ata tani ishin vetëm një fitore larg për ta dërguar Kosovën në turneun më të madh në botë në CS:GO.

Disa orë më vonë, u bë i ditur edhe kundërshtari i fundit i tyre, pengesa e tyre e fundit drejt realizimit të ëndrrës shumëvjeçare, kualifikimit në turneun më të madh në botë në CS:GO. Bad News Eagles do të përballeshin me ekipin nga Çekia, Sinners. Sfida do të zhvillohej po ashtu në tre map-a dhe do të niste në orën nëntë në mëngjes.

“Që vjen dita me lon alarm për m’u çu të dielën s’e kisha mendu”, “Kurrë kaq herët nuk jom çu të dielën”, ishin vetëm disa nga reagimet e fansave në grupin e Facebookut. Të gjithë ishin në përkrahje të djemve kosovarë që ishin kaq afër historisë.

E diela erdhi dhe ndeshja mes Bad News Eagles dhe Sinners nisi. Djemtë tanë e nisën jo mirë duelin duke humbur në map-in e parë me rezultat 16:10. Kjo nënkuptonte se nëse dëshirojnë fitoren, duhet patjetër të fitojnë në dy terrenet tjera. Dhe ashtu edhe ndodhi. Në terrenin e dytë, BNE u treguan agresiv duke fituar 16:6. Kurse, map-i i fundit ishte histori në vete. Bad News Eagles po humbnin bindshëm dhe ishin shumë afër eliminimit. Kur shanset ishin kundër tyre dhe fati s’po i përcjellte, Dionisi, Flatroni, Rigoni, Seneri dhe Genci nuk ishin dorëzuar. Përkundër disavantazhit të madh, ata bënë rikthim senzacional dhe e fituan atë map me rezultatin 16:14. Më pas, pesë djemtë tanë “shpërthyen” në festë. Në festë “shpërtheu” i gjithë komuniteti shqiptar në CS:GO dhe jo vetëm. I gjithë populli shqiptar iu gëzua kësaj arritjeje të jashtëzakonshme, e cila e vendos Kosovën si një prej vendeve më të mira në këtë lojë.

Duhet kujtuar se pas largimit nga BLINK, këta djelmosha janë pa organizatë dhe po garojnë në këto nivele vetëm si ekip me emrin Bad News Eagles. Këta djelmosha e kanë bërë krenar një popull të tërë dhe të gjithë duhet patjetër të informohen, ashtu siç unë, për sukseset e mëdha që kanë arritur, e që patjetër se nuk do të jenë të vetmet.

(Kosova Sot Online )